Ballina Bota Bota në përpjekjet për t`u kthyer në normalitet

Bota në përpjekjet për t`u kthyer në normalitet

 

Ndërsa zyrtarët në mbarë globin shqyrtojnë lehtësimin e bllokimeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit, ata përballen me gjetjen e një ekuilibri mes sigurisë personale dhe lirisë personale.

Ky është rasti në shtetin juglindor amerikan të Tenesisë, i cili renditet i 20-i në mesin e 50 shteteve amerikane për nga numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit dhe i 30-i për nga numri i vdekjeve.

Guvernatori i Tenesisë vendosi rregullin e qëndrimit në shtëpi në mes të marsit. Por urdhri skadoi në 30 prill. Ai ishte gjithashtu një nga shtetet e para që u përball me protesta që kishin për qëllim lehtësimin e kufizimeve të qëndrimit në shtëpi, gjë që do të lejonte rihapjen e bizneseve.

Histori personale

Bashkimi vjetor i familjes së banorit të Tenesisë, Andy Rines u anulua për shkak të kufizimeve. Ai e quan atë “fatkeqësi si pasojë e një reagimi me masa të tepruara”.

Linda Wilder, e cila jeton në të njëjtën pjesë të shtetit, ka biletat e sezonit në Dollywood, një park argëtues aty pranë. “Zgjodha një vit të keq për të blerë bileta sezoni,” tha ajo, e penduar. Edhe kur parku të hapet përsëri, ajo nuk është e sigurt se kur do të ndjehet e sigurtë për të shkuar.

Javën e kaluar shteti i Tenesisë lehtësoi më shumë kufizime të distancimit social, duke lejuar restorantet dhe dyqanet me pakicë të hiqnin kufizimet e kapaciteteve, duke lejuar qendrat dhe vendet e mëdha të rihapen duke respektuar distancimin social. Që nga e premtja, të 50 shtetet e Sh.B.A kanë filluar të lehtësoojnë disa kufizime.

Kjo është ajo që shqetëson Wilder, e cila jeton rreth gjysmë ore me makinë nga një destinacion i njohur turistik, Parku Kombëtar Smoky Mountains. Bashkëshorti i saj gjithashtu ka një sistem imuniteti delikat, që sipas zyrtarëve shëndetësorë, e vë atë në mesin e njerëzve në rrezik më të madh të komplikacioneve nga koronavirusi.

Virus Outbreak Tennessee

Megjithatë, Rines mendon se bllokimi ishte i panevojshëm, pasi qarku dhe shteti nuk janë vatra të koronavirusit.

Shumica e infeksioneve koronavirusit në Tenesi kanë qenë në qendrat urbane në tre zona: Memfis në perëndim, Neshvill në qendër dhe Noksvill në lindje. Pjesa malore në lindje të këtij shteti ka më pak raste sesa pjesët më të populluara në qendër dhe perëndim.

Sipas të dhënave zyrtare Tenesi ka regjistruar më shumë se 20,000 raste të konfirmuara të COVID-19, dhe 336 vdekje.

Sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins, në të gjithë botën, ka më shumë se 5.4 milion raste të konfirmuara të koronavirusit dhe 345,000 vdekjeve. Sh.B.A vazhdon të udhëheqë botën në rastet e konfirmuara, me më shumë se 1.6 milion, dhe vdekje, me më shumë se 97,700 viktima.

Turizmi i prekur

Kufizimet kanë pasur një efekt veçanërisht të ashpër në Qarkun Sevier, ku ndodhen shumë nga atraksionet turistike të Parkut Kombëtar Smoky Mountains. Ai është parku kombëtar më i vizituar në vend.

Byroja e Statistikave të Punës tha se rreth gjysma e punonjësve të sektorit privat të Qarkut Sevier janë punësuar në turizëm dhe mbyllja ka lënë rrugët e qyteteve të saj turistike, të mbushura me hotele, restorante, dyqane, pista dhe fusha golfi, pothuajse bosh.

Gjatë nëntë javëve të fundit, 38.6 milion të papunë kanë parashtruar kërkesat për përfitime sociale, pothuajse një në çdo katër punonjës në forcën amerikane të punës prej më shumë se 164 milion njerëy. Në prill, niveli zyrtar i papunësisë në Sh.B.A ishte 14.7%, por zyrtarët e administratës Trump për ekonominë thonë se ka të ngjarë që ai të jetë më i lartë dhe mund të arrijë 25% në javët e ardhshme.

Në prill, niveli i papunësisë në Tenesi ishte gjithashtu 14.7%, sipas një raporti zyrtar, të botuar të enjten.

Kur Parku Kombëtar iSmoky Mountains u rihap pjesërisht më 9 maj, moti ishte i freskët, por me diell, dhe vizitorët vërshuan.

Njoftimet lokale të lajmeve thanë se parkimi ishte plot. Ata gjithashtu raportuan se jo të gjithë vizitorët kishin veshur maska dhe se shumë nuk po respektonin distancën prej 2 metrash larg njëri-tjetrit ose ngjiteshin në zonat e parkut që nuk ishin rihapur zyrtarisht.

Shqetësime rreth rihapjes

Wilder ështëe shqetësuar, si për relaksimin e rregullave edhe për fluksin e turistëve. Ajo jeton pranë parkut, në qytetin e vogël liqenor të Dandrixh, në qarkun Xheferson në Tenesi.

Wilder dhe bashkëshorti i saj, sistemi imunitar i të cilit është delikat për shkak të sëmundjes Crohn, kanë vazhduar të punojnë gjatë gjithë periudhës së mbylljes, së bashku me dy djemtë e saj të rritur. Qarku Xheferson, me më pak se 55,000 banorë, ka regjistruar vetëm 27 raste të konfirmuara të COVID-19 dhe asnjë vdekje për shkak të virusit.

Por djali i saj më i vogël shpërndan pije joalkoolike për dyqane ushqimore në dy qytetet e mëdha turistike të Qarkut Sevier, Pigeon Forge dhe Gatlinburg.

“Ai është në dyqane të shumta ushqimore çdo ditë, i ekspozuar ndaj gjithçkaje,” thotë ajo. Ai vuan nga astma, dhe ajo shqetësohet për mushkëritë e tij.

Ajo thotë se shqetësohet që njerëzit nuk po e marrin seriozisht rrezikun e pandemisë. “Shumë njerëz me të cilët kam biseduar, nuk e kanë shumë të qartë rrezikun,” thotë ajo.

Wilder punon në një laborator në Nokvillë, strehë për rreth 188,000 banorë dhe Universitetin e Tenesisë, i cili regjistron afro 30,000 studentë çdo vit. Deri më tani, sipas statistikave të qendrës Johns Hopkins janë numëruar vetëm 321 raste të COVID-19 në qarkun Noks, ku bën pjesë Noksvillë, dhe pesë vdekje.

Wilder ka qenë duke punuar në shtëpi sa ka qenë e mundur, por një ditë pasi Tenisi lehtësoi kufizimet e qëndrimit në shtëpi më 30 prill, Wilder duhej të bënte 30-kilometra për të shkuar në punë.

Ajo ishte mësuar me trafikun e pakët në autostradën shtetërore gjatë kohës së urdhërit të qëndrimit në shtëpi, por më 1 maj, ndërsa u kthye nga puna ajo tha: “Ishte ashtu si para se të mbyllej gjithçka. Kishte njerëz kudo “.

Ajo e kupton nevojën për të dalë nga shtëpia. Ndërsa puna nga shtëpia ka qenë një përvojë e këndshme, Wilder thotë se me të vërtetë i mungon kisha e saj prej 21 vitesh dhe puna e saj në çerdhen e kishës.

Ajo dhe burri i saj nuk e kanë parë nënën e tij 77-vjeçare, e cila jeton në qarkun Noks, që nga muaji mars. Wilder tha se vjehrra e saj ka ndjekur rregullat dhe ka qëndruar në shtëpi.

“Ajo nuk është larguar nga shtëpia, përveçse kur ka marr ilaçet”, tha Wilder, duke theksuar se qëndron në kontakt me vjehrrën e saj dhe anëtarët e tjerë të familjes përmes telefonit.

Por vera po vjen, dhe me të edhe aktivitetet sportive dhe argëtuese që tërheqin njerëzit në zonë në një numër të madh.

Mbështetja për rihapje

Nga ana tjetër, Rines mezi pret që gjërat t’i kthehen normalitetit. Ai jep anglisht dhe është trajnerë basketbolli në qarkun Sevier.

Ai është i pezmatuar për përvojat që nxënësit e tij, veçanërisht maturantët kanë humbur pasi përfunduan vitin e fundit të shkollës së mesme në izolim.

“Një maturant më tha:” Nuk e kisha idenë se dita e fundit e shkollës së mesme do të ishte një të premte në mars,” tha Rines përmes një email-i. “Si mësues, ne nuk patëm mundësi të themi lamtumirë për studentët me të cilët kemi punuar, kemi ndamë eksperienca, kemi qeshur dhe kemi qarë së bashku për katër vjet.”

Rines tha se ai nuk beson se urdhërat e mbylljes ishin të nevojshme. Deri më 22 maj, qarku Sevier kishte pasur vetëm 69 raste të konfirmuara të COVID-19 dhe dy vdekje.

“Mbyllja mund të ketë minimizuar përhapjen e COVID-19 në një farë mase, por duke pasur parasysh se shumica e pacientëve shfaqin simptoma të lehta ose asnjë simptomë, efektiviteti i tij ishte minimal në rastin më të mirë,” tha Rines.

Organizata Botërore e Shëndetit thotë se rreth 1 në 5 persona që preken nga COVID-19 do të sëmuren rëndë. Rreth 80 përqind shërohen nga sëmundja pa shkuar në spital.

Por në një fletë informimi, OBSH-ja vë në dukje se “çdokush mund të preket nga COVID-19 dhe të sëmuret rëndë”.

Rines thotë se është një rrezik që ja vlen ta marrësh.

“Është thelbësore që të kthehemi në punë. Mezi po pres që sportet, koncertet, banketet, udhëtimet e biznesit, parqet, diplomimet, plazhet të rihapen. Personalisht, mezi pres që ekipi i shkollës së mesme të basketbollit të jetë përsëri bashkë. … Mezi pres të kthehem në shkollë gjatë vjeshtës dhe të shoh nxënësit e mi, ballë për ballë. ”

A ka ndonjë frikë për të ardhmen? “Nuk kam frikë për të ardhmen që ka lidhje me virusin,” tha ai. “Kurrë nuk kam patur frikë.”