A mund së shpejti neozelandezët të punojnë katër ditë në javë? Kryeministrja e vendit, Jacinda Ardern, tha se ato sipërmarrje që “mund ta bëjnë këtë”, mund ta zbatojnë këtë praktikë si një mënyrë për t’i dhënë impuls industrisë së turizmit të brendshëm të Zelandës së Re.
Duke folur çiltërsisht në një video në Facebook Live pas vizitës së saj të parë post-lockdown në vendin turistik Rotoura, Arden tha: Kam dëgjuar shumë njerëz që propozojnë një javë me katër ditë pune, por kjo është diçka që qëndron mes punëdhënësve dhe punonjësve. Kemi mësuar shumë gjëra nga COVID dhe pikërisht, elasticiteti i njerëzve që punojnë nga shtëpia – produktiviteti që mund të nxirret prej këndej.
“I nxis njerëzit, nëse janë punëdhënës apo në kushte për ta bërë këtë, që të mendojnë nëse është diçka që do t’u shkonte përshtat ose jo vendit të tyre të punës, pasi sigurisht që kjo do ta ndihmonte turizmin e të gjithë vendit”.
COVID-19 dhe turizmi
Industria e turizmit në Zelandën e Re është një pjesë e rëndësishme e ekonomisë së vendit. Në vitin e mbyllur në mars 2019, turizmi kontribuoi tek PBB me 9,9 mld dollarë amerikanë – ekuivalente me 5,8%. Një 4% tjetër e PBB u gjenerua nga industritë që mbështesin turizmin.
Turizmi i brendshëm është i rëndësishëm. Neozelandezët shpenzuan në vendin e tyre thuajse 4 mld dollarë amerikanë më shumë krahasuar me turistët ndërkombëtare në vitin 2019, kur shpenzimet totale ishin më shumë se 24,9 mld dollarë. Industria e turizmit punëson më shumë se 229.000 persona.
Por gjatë pandemisë, njerëzit u mbyllën në shtëpi, udhëtimet u pezulluan dhe kufijtë u mbyllën, duke shkaktuar vuajtje në industrinë e turizmit në Zelandë të Re. Një sondazh i kryer në prill te 1600 anëtarë të Industrisë së Turizmit Aotearoa (TIA) zbuloi se 93% e të anketuarve kishin përdorur skemën e subvencioneve të pagave të punëdhënësve nga ana e qeverisë dhe për 30% ishin marrë masa për lehtësimin e taksave.
Siç tregon grafiku më poshtë, më shumë se 30% e kishin vendosur biznesin “në letargji për të ardhmen e afërt”, ndërsa pak më shumë se 40% “po zvogëlonin në mënyrë drastike madhësinë e kompanisë së tyre”
TIA parashikon që më shumë biznese mund të mbyllen në të ardhmen e afërt dhe paralajmëroi: “Nëse më shumë biznese falimentojnë, industria mund të mos jetë në gjendje të marrë veten me shpejtësi, ndërkohë që kërkesa do të rritet”
A funksionon java me katër ditë pune?
Nëse punëdhënësit do të zbatonin javën me katër ditë pune, duke mos ua shkurtuar pagën punonjësve, kjo do t’u jepte neozelandezëve më shumë kohë të lirë për të eksploruar “oborrin” e tyre – siç u shpreh kryeministrja e vendit, Ardern.
Kjo mund të sjellë përfitime të tjera, përveçse do t’i japë një impuls industrisë së turizmit. Kompania Perpetual Guardian ka zbatuar një javë me katër ditë pune që prej vitit 2018, kur, pas një eksperimenti të suksesshëm, produktiviteti i punonjësve u rrit me 200%, niveli i stresit u zvogëlua ndërsa kënaqësia në punë u përmirësua.
Themeluesi i kompanisë, Andrew Barnes, i mirëpriti me kënaqësi komentet e kryeministres. Ai tha për The Guardian se pandemia ofroi mundësi për një “reset” masiv. “Duhet të ruajmë gjithë avantazhet e produktivitetit që solli puna nga shtëpia, duke përfshirë edhe ajrin më të pastër dhe mungesën e trafikut… ndërkohë që ndihmojmë bizneset të qëndrojnë më këmbë”.
Siç tregon grafiku më sipër, produktiviteti nuk lidhet domosdoshmërisht me më shumë orë pune.
Vitin e kaluar, në gusht, Microsoft në Japoni eksperimentoi javën me katër ditë punë dhe zbuloi se shitjet u rritën me thuajse 40%.
Përfitimet për shëndetin mendor të një jave më të shkurtër pune mund të jenë thelbësore për të ndihmuar ekonomitë të rimëkëmben pas pandemisë – tha Barnes. “Java e punës me 4 ditë është një mjet për të mbrojtur shëndetin e punonjësve në çdo aspekt, duke e bërë këtë model edhe më të rëndësishëm në normalitetin e ri në të cilin ndodhemi”.
*Kate Whiting
Burimi: World Economic Forum