Ballina Histori LLESH NIKOLLË DOÇI I LURËS – Nga Ramiz Lushaj

LLESH NIKOLLË DOÇI I LURËS – Nga Ramiz Lushaj

 

Llesh Nikollë Doçi është një ndër figurat e shquara të Lurës e Dibres, të Kombit Shqiptar, që në etno-histori, botime historike e letrare, folklorin panshqiptar, njihet ndryshe dhe si “Llesh Nikollë Doçi – kreu i Derës së Parë të Lurës”, “Llesh Nikollë Doçi i 300 duvakëve”, “Lleshi i Parë”, “Llesh Dibrani”, “Llesh Sulltana”, etj.
Llesh Nikollë Doçi ka lindur në Lurë në gjysmën e dytë të shek. XVII, sipas gjasave, nga viti 1653.
Llesh Nikollë Doçi i përket një dere e fisi të moçëm e të njohur të Doçëve të Lurës, pasi qysh në kohën e Skenderbeut, një ndër të parët e tij, Preng Nikollë Doçi, sipas disa hulumtimeve, thuhet se ka marrë pjesë në Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës, më 2 mars 1444, si kreu i Malit të Lurës (e vetëqeverisur), se Lura ishte një ndër Nëntë Malet e Gegnisë. Ai ishte prijës krahinor e bashkëluftëtar bashkëkohës i tij, se krahina e Lurës ishte një nga bazat e rëndësishme të Skënderbeut përgjatë qeverisjes së shtetit të tij skënderbegian.
Llesh Nikollë Doçi në kohën e tij ishte përfaqësuesi kryesor i Derës së Doçit, që ishte Dera e Parë e Lurës, të cilit i përket merita e madhe se e konsolidoi dhe e lartësoi këtë derë historike të Lurës e Malësive të Veriut Shqiptar, e njohur në katër vilajetet otomane në tokat shqiptare prej nga Shkodra në Prizren dhe deri në Manastir e Janinë, aq sa dhe Porta e Lartë në Stamboll u detyrua t’ua njihte meritat e tyre, t’iu bëntë lëshime perandorake nga Sulltan Ahmed III me plotësime të kërkesave të tyre atdhetare për Lurën e Dibren.
1.- Llesh Nikollë Doçi e ka filluar veprimtarinë e tij atdhetare, si njeri i ditur dhe trim, me aftësi të larta të organizimit dhe të drejtimit të fisit të tij të Doçëve dhe të krahinës së tij të Lurës, në një kohë që ende nuk ishte krijuar Bajraku i Lurës, ende nuk ishin formuar a konsoliduar të Katër Oxhaqet e mëdhenj të Dibres.
Doçi i Lurës, Dera e Parë e Lurës, kreu i së cilës asokohe ishte nipi i tij- Gjergj Nikollë Doçi, përmendet si përfaqësuesi Lurës qyshse në Kuvendin e vitit 1580 të Dardhës, Reçit, Lurës e Çidhnës.
2.- Llesh Nikollë Doçi pati vështirësi të mëdha në kohën e qeverisjes së saj, pasi krahina e Lurës ishte e shkatërruar nga lufta me otomanët dhe popullsia autoktone e larguar po rikthehej në trojet e veta për të ndërtuar ardhmëri mbi gërmadha lufte.
Kryeipeshkvi i Durrësit, Mark Skura, në Relacionin e tij të 20 dhjetorit 1641 shkruante se “Vizitova Lurën: të krishterët nuk i paguajnë haraç turkut, kanë kishën e Shën Mërisë me një prift dhe janë 1012 frymë; Gurë Lura numëronte 84 të krishterë të lirë nga haraçi turk, Fushë Lura 1007 të krishterë që i paguanin haraç Turqisë aq sa e shihnin të udhës, dhe vizitova Pregjën, e cila kishte një prift dhe ishin 504 frymë, krejtësisht të lirë nga haraçi turk”. Vizitatori Apostolik, dom Shtjefën Gaspri, famulltar i Durrësit, 30 vjet më vonë, në relacionin e tij të vitit 1671, shkruan: “Lura ishte shkatërruar në luftë me turkun. Kishin ngelë vetëm 50 shtëpi me nja 300 banorë katolikë…”. Kjo gjendje e rëndë e Lurës erdhi pas Kryengritjes Kundërotomane të vitit 1648 të Lurës (sëbashku me krahina të Dibres e Mirditës). Në vitin 1757 Lura arriti të ketë 124 shtëpi dhe 1001 banorë, të gjithë katolikë.
Pra, Derës së Parë të Lurës në qeverisje lokale i takoi Prija (e drejta e Kreut, drejtimi), kësokohe tepër të vështirë, “të rindërtimit të Lurës, të rikthimit të lurasve”.
3.- Llesh Nikollë Doçit i përket merita dinjitare se mbajti një Autonomi Lokale të Krahinës së Lurës mbi bazen e Të Drejtës Zakonore Shqiptare. Vet kënga popullore e transmetuar prej asaj kohe ndër breza, e ka një thënie atdhetare të tij:“vetëm këto male nuk durojnë bidat” (padrejtësi morale e juridike).
4.-Ky përfaqësues i Derës së Parë të Lurës e ka udhëhequr Kryengritjen Kundërosmane të Lurës nga prilli 1707 deri në mars 1708.
5.- Gjithashtu, ka marrë pjesë në Kuvendin e Dibrës të vitit 1712 si përfaqësues i krahinës së Lurës, ku vlerësohet si njeri i mendimit pleqnar dhe i veprimit luftarak.
6.- Llesh Nikollë Doçi – kreu i Derës së Parë të Lurës, sëbashku me të tijët të Doçëve e të Lurës, në vitin 1712 kundërshtuan pagimin e çdo lloj takse.
Një nga të Derës së Doçit, atdhetari Dodë Doçi me disa të krishterë në Lurë e sulmuan shtëpinë e spahiut Ahmet për ta vrarë, duke iu thënë se “në tokat tona, në shtëpijat tona jemi vet sulltana”, ndaj deshtën t’i burgosnin në kalanë e Nishit, u thirrën nga kadiu i Pejës, po nuk u zbatuan urdhrat e tyre dhe Dera e Parë e Lurës i shkroi Sulltanit një letër ankesë për administratën otomane në Lurë, krahinat përrreth e në Dibër për disa zaimë, spahi e koçobash. (Shpesh, disa studiues, thonë se Dodë Doçi ishte vet Llesh Nikollë Doçi). Ky sulm i fund-janarit 1712 ndikoi që të pezullohej vjelja e xhizjes në të gjitha Kazanë e Dibres.
7.-Llesh Nikollë Doçi i Derës së Parë të Lurës ishte nismtari e një ndër prijësit e Kryengritjes Kundërosmane të Lurës e krahinave për rreth nga shkurti 1712 deri më 28 janar 1713, e cila pati jehonë të madhe deri në Portën e Lartë në Stamboll e në vende të Perëndimit.
8.- Llesh Nikollë Doçi i Lurës për qëndrimet e tij kundërotomane në kuvende e kryengritje iu vunë kushte të rënda nga Porta e Lartë me anë të përfaqësuesve të saj rajonalë, siç e dëshmon dhe kënga: “…Një fjalë Lurës ia ka çue/Treqind nuse un’ ti due/Për treqind kalorësit e mi/Ma të zgjedhun në osmanlli…/Llesh Nikollë Doçi na ka ndigjue/Ka mbledh shokët tue kuvendue:/Më ka çue fjalë Dibra duhet me shkue…/…E gjithë Lura asht’ ngritë në kambë/Llesh Nikoll Doçit i kishin thanë:/-Nga nji djalë për shpi ta kemi dhanë/…A me dhanë cuca a me dhanë djemë/A me ba një luftë që të mbahet mend/…/.
Ai, si kreu i Derës së Parë të Lurës, e mendoi përgjigjen e tij, e dha variantin e vet, të cilin, si përfaqësues institucional e traditor, e diskutoi në Kuvendin e Dheut të Lurës, me Malet e Dibres- në kuvendime të saj, që në vend të “300 nuseve nga Lura e Dibra” të dërgojnë “300 luftëtarë me duvak të kuq”. Kur shkuan në “vend-pjekjeje” filloi beteja luftarake. Otomanët e Selim Pashës u tërhoqën me humbje e të mundur nga fushëbeteja e Fushë-Shehrit të Dibrës, ndërsa kreut të Lurës i mbetën të vrarë dhe dy vëllezërit e tij. Kënga e përshkruan madhështinë e kësaj beteje legjendare: “Selim Pasha prej Stamollës kërkon bijën e Llesh Nikollës…/…Një selam e pret Sulltani m’preu ushtrinë Llesh Dibrani/Një selam ja çojmë na vetë një selam si nji tërmet…/Selim Pasha moj herxhele t’mbet ushtria nër zabele si me ra ujku ndër dele…”/.
Pas kësaj beteje me zgjuarsi e trimëri e quajten ndryshe dhe “Llesh Nikollë Doçi i 300 duvakëve”. Kjo histori, kjo betejë, kjo mençuri lurjane e Llesh Nikollë Doçit të Lurës hyri e mbijetoi në këngë, gojëdhëna, legjenda, dokumenta historike, artikuj e studime, aq sa kjo betejë mori dhe përmasa legjendare, shërbeu si frymëzim për brezat shqiptarë në rrugëtimet historike për liri e pavarësi kombëtare shqiptare.
Edhe atëkohë kur e thirri Sulltani në Stamboll mbajti një qëndrim të vendosur, me kushte konkrete për krahinën e tij të Lurës e për Dibren, etj. aqsa i thonë dhe “Doç Sulltana”. Vizita e tij tek Porta e Lartë dhe kthimi në Dibër e Lurë u prit e përcollë me histori, gojëdhana deri në kufij të legjendave lidhur me “vulat perandorake”, tapi toke, etj.
9.- Llesh Nikollë Doçi i Lurës- kreu i Derës së Parë të Lurës, (e cila kishte një status juridik e pronësor më të zgjeruar se krahina e Lurës), thuhet se ka ndrrue jetë në dekadën e tretë të shek. XVIII, nga viti 1725, në moshë 72 vjeçare, duke u varrosë si një figurë e madhe historike e kohës së tij, me nderime të larta nga krahina e tij e Lurës, nga Dibra, nga Mirdita e Mati, ku erdhën në përcjellje e në Tpame dhe nga krahina shqiptare nga të katër vilajetet otomane.

10.- Llesh Nikollë Doçi- kreu i Derës së Parë të Lurës, ndër breznitë e tij pasardhëse nga Dera e Doçëve ka pasë personalitete të shquara në histori e në të gjitha fushat e jetës në krahinën e Lurës, në Dibër, Mirditë e Mat, në Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi e Maqedoninë e Veriut, si Dodë Llesh Doçi i njoftun për letër ankesat, veprimtarinë luftarake e qëndrimet atdhetare deri në Portën e Lartë si përfaqësues i Lurës; Kolë Bush Doçi- kreu i Lurës në Luftën kundër otomanit Hajredin Pasha (1843); Bibë Kolë Doçi -pleqnar e luftëtar, përfaqësues i Lurës në Kuvendin e Dibres të vitit 1899; Doç Gjergj Doçi- komandant i Lurës në luftën kundër malazezëve, i cili e ka varrin në Malin e Zi; Llesh Preng Doçi- i vrarë nga serbët në Qafë Mërkurth të Mirditës; Kolë Bibë Doçi- kreu i Lurës në luftë me serbët deri në Kolesjan të Kukësit, mësuesi i parë i shqipes në Lurë, Dëshmor i Atdheut; Nikollë Keqi dhe Keq Doçi dhënë jetën në mbrojtje të Plavë-Gucisë; Zyber Doçi dha jetën në internim në Kotorr të Malit të Zi; Staf Doçi, Zef Bibë Doçi, Gjon Bibë Doçi janë martirë atdhetarë; Gjok Doçi është Hero i Popullit; etj.
11.- Jeta e veprimtaria e Llesh Nikollë Doçit, si kreu i Derës së Parë të Lurës, pjesëmarrja e tij në kuvende të kohës, kryengritje e beteja të tij kundër otomanëve, pleqni të tij, historia e beteja e “300 duvakëve”, shumë ngjarje dhe fakte etno-historike të kohës së tij fundshek. XVII e fillimi i shek. XVIII, për Derën e Parë të Lurës, gjenden të pasqyruara në dhjetëra vepra historike, letrare, këngë etj, si nga akademik Kristo Frashëri, akademik Shaban Sinani, prof. Selami Pulaha, prof. Injac Zamputi, prof. dr. Kahreman Ulqini, prof. dr. Agron Tufa, prof. asoc. dr. Shefqet Hoxha- Mësues i Popullit, Haziz Ndreu-Mjeshtër i Madh, doktorant Nikollë Loka, gazetari disident Bajram Hyseni, studiuesi e dramaturgu Mexhit Prençi, historiani Moisi Murra, studiuesi e gazetari Fatos Daci, disa autorë me libra për Lurën e Dibren, si Ali Koçeku, Xheladin Ali Tollja, Ahmet Përleka, Jashar Kaci, Sali Ajazi, Hysen Dervishi, poeti Gjovalin Ndoja e të tjerë, që i këndvështrojnë e trajtojnë këto të lidhura me Lurën e Dibrën, me Mirditën e Matin,…me historinë kombëtare shqiptare.