Ballina Bota Presidenti amerikan, Donald Trump: OBSH të reformohet, do të rishikojmë anëtarësimin

Presidenti amerikan, Donald Trump: OBSH të reformohet, do të rishikojmë anëtarësimin

 

Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi se do të ndalë përgjithmonë financimin për Organizatën Botërore të Shëndetit nëse brenda 30 ditëve ajo nuk angazhohet për përmirësime, dhe se do të rishikojë anëtarësinë e Shteteve të Bashkuara në këtë organizatë.

Presidenti Trump pezulloi kontributet amerikane për OBSH-në muajin e kaluar, duke e akuzuar organizatën se ka promovuar “dezinformimin” e Kinës në lidhje me shpërthimin e koronavirusit.

Zyrtarët e OBSH-së e kanë mohuar akuzën dhe Kina thotë se ajo ka qenë transparente dhe e hapur.

Presidenti e bëri kërcënimin në një letër për shefin e OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, të postuar në Twitter. Në letër ai shkruan se e vetmja rrugëdalje për organizatën është nëse ajo demonstron pavarësi nga Kina, duke shtuar se administrata e tij tashmë ka filluar diskutimet për reforma me zotin Tedros.

Të hënën, OBSH-ja tha se një rishqyrtim i pavarur i reagimit global ndaj virusit do të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur.

Për këtë, organizata ka marrë mbështetje dhe një premtim për fonde të mëdha nga Kina, e cila ndodhet në qendër të vëmendjes si origjinë e pandemisë.