Ballina Aktualitet Grupi i BEI-së do të kontribuojë me 1.7 miliardë euro në Ballkanin...

Grupi i BEI-së do të kontribuojë me 1.7 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor

 

Grupi i Bankës Europiane të Investimeve (BEI), do të sigurojë 1.7 miliardë euro për të mbështetur rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të Ballkanit Perëndimor nga pandemia e COVID-19. Kjo është pjesë e paketës së ndihmës financiare prej 3.3 miliardë eurosh për rajonin, njoftuar më 29 prill nga Komisioni Europian dhe mbështet përpjekjet e Team Europe për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor.

Sektorët e kujdesit shëndetësor kombëtar dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në rajon, do të jenë përfituesit e menjëhershëm të paketës mbështetëse të BE-së, e cila është krijuar gjithashtu për të forcuar sektorët bankarë kombëtarë dhe për të siguruar asistencë teknike, duke realizuar projekte zhvillimi dhe duke stimuluar investime shumë të nevojshme.

Për të lehtësuar ndikimet shëndetësore, sociale dhe ekonomike të pandemisë, BEI do të sigurojë financim të ri dhe do të përshpejtojë nënshkrimet dhe disbursimet e kredive të miratuara për klientët e sektorit privat dhe publik në Ballkanin Perëndimor, me rreth 600 milionë euro të caktuara për sektorin privat.

Werner Hoyer, presidenti i BEI-së, tha: “Pavarësisht sfidave të jashtëzakonshme të krijuara nga kriza e COVID-19 brenda BE-së, Unioni ka treguar mbështetjen e tij të palëkundur për vendet partnere dhe angazhimin për bashkëpunim dhe koordinim ndërkombëtar. Nevojat e mëdha në rajon mund të adresohen vetëm nga një përpjekje në ekip dhe BEI-ja është e gatshme të kontribuojë në Kornizën e Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe Planin e ardhshëm Ekonomik dhe Investimeve për Rimëkëmbje”.