Në këtë sezon të vitit, do të zhvilloheshin normalisht mijëra dasma çdo fundjavë në të gjithë globin. Por pandemia e koronavirusit i ka dhënë fund kësaj tradite. Në Itali, 17 mijë dasma u anuluan në mes të marsit dhe prillit dhe 50 mijë të tjera pritet të shtyhen ose anulohen në maj dhe qershor. Specialistët e industrisë thonë se po përgatiten për një vit të tërë me humbje financiare nga koronavirusi.
Nëse preferojnë silueta klas apo fustane me bisht sirene, shumica e nuseve duhet të presin pak më gjatë për të veshur fustanet e tyre të preferuara të ëndrrave të tyre këtë vit.
Në atelienë e fustaneve të nuseve të stilistes Manuela Tanno, në Campobasso në jug të Italisë, varëset janë të mbushura me veshje të elegante por të pashitura.
“Këtu janë të gjitha veshjet e vitit 2020 për nuset. Janë akoma këtu duke pritur të vishen në ditën e madhe, por për fat të keq kjo nuk do të ndodhë këtë vit”, thotë Manuela Tanno.
Tanno thotë se ka marrë pagesat fillestare për veshjet e saj, por nëse dasma nuk zhvillohet, ajo nuk mund të paguhet plotësisht, duke e bërë vitin 2020 vitin më të vështirë në karrierën e saj profesionale.
Sipas shoqatës Assoeventi, industria e dasmave në Itali po vuan jashtëzakonisht shumë, me humbje mes 80 dhe 100 përqind.
17 mijë dasma u anuluan mes marsit dhe prillit të këtij viti dhe 50 mijë të tjerë pritet të anulohen në maj dhe qershor.
Ndërsa të gjitha nuset e saj kanë shtyrë dhe nuk kanë anuluar dasmat e tyre, stilistja Tanno nuk shqetësohet vetëm për vitin 2020, por edhe për vitin që do të vijë:
“Nëse nuk kanë më të njëjtat burime ekonomike që kishin kur vendosën të martohen, sepse shumë nuk po marrin rrogën, ata mund të duhet të përdorin ato para shtesë për ta bërë dasmën një vit tjetër, duke krijuar një problem tjetër“, thotë ajo.
Në dyqanin e veshjeve të dasmave Vogue Spose, pronarja Michela Fagnano thotë se situata është e ngjashme.
Fagnano është gjithashtu e shqetësuar se shumë dasma jo vetëm që do të shtyhen, por do të anulohen për shkak të krizës ekonomike që pritet në vitin 2021.
Me një çmim mesatar prej 2,000-2,500 euro, çdo fustan i pashitur ka një peshë.
“Për sa i përket sasisë, në një rajon si ky i yni, flasim për 90, 95, 100 veshje në sezon, që është një humbje e madhe, do të jetë një humbje e madhe“, thotë ajo.
Maria Antonietta Donatelli do të martohej në 30 prill. Gjithçka ishte vendosur, ftesat u dërguan, veshja ishte zgjedhur, por ndërsa pandemia u përhap, ajo dhe i fejuari i saj vendosën ta shtyjnë dasmën deri në shtator.
“Dasma jonë është mjaft e madhe. Kemi ftuar 350 njerëz që janë shumë, por dy fshatra, dy familje po mblidhen, dy grupe miqsh, kështu që padyshim që numri rritet“, shpjegon ajo.
Gjatë izolimit të plotë dasmat u ndaluan.
Ndërsa Italia fillon të lehtësojë kufizimet e saj, çiftet mund të martohen, por nuk mund të presin të organizojnë darka të mëdha për të festuar.
Por ndërsa mund të jetë e vështirë për çiftet të pranojnë situatën aktuale, bizneset në industri duhet të përballen me humbjen e miliarda eurove.
Fotografi Nicola Paolantonio zhvillon fotografitë e tij gjashtë muaj pas dasmës.
Tani për tani ai po mbaron punët që kishte para pandemisë, por thotë se është i shqetësuar për vitin që vjen, me vetëm një dasmë në horizont.
“Të gjithë janë shtyrë, përveç njërës për vitin e ardhshëm, kështu që në rreth 6-7 muaj nuk do të kemi asnjë të ardhur, zero. Është si të kemi ngrirë veprimtarinë tonë për një vit të tërë“.
Paolantonio është një nga 8,000 fotografët e dasmave në vend, por ai mbetet pozitiv:
“Për fat të mirë duket se kjo krizë nuk e ka dëmtuar vullnetin për t’u martuar. Askush nuk ka ardhur të na thotë ndryshe. Kjo varet nga klientët natyrisht, por në rastin tonë askush nuk ka vendosur të anulojë martesën përfundimisht“, thotë ai.
Ndërkohë floristi Pino Piano thotë se ka pranuar humbjet e këtij viti dhe ka vendosur të jetë i duruar.
“Vitin tjetër, ne presim një dyndje të kërkesave duke na bërë të pamundur të bëjmë të gjitha dasmat sepse në të njëjtat data do të kemi disa kërkesa, dhe do të duhet të refuzojmë punën“.
Nga asnjë punë në shumë punë, Piano shpreson se kriza ekonomike nuk do të ndikojë në dasmat vitin e ardhshëm dhe t’i lejojë atij që të dekorojë përfundimisht kopshte, kisha dhe vendet e dasmave si më parë.