Ballina Aktualitet KËRKOJMË NGA AUTORITETET E SHKUPIT TA RIKTHEJNË LAVDINË E NËPËRKËMBUR TË NËNËS...

KËRKOJMË NGA AUTORITETET E SHKUPIT TA RIKTHEJNË LAVDINË E NËPËRKËMBUR TË NËNËS TEREZË

 

Shkupi këtyre ditëve është bërë epiqendra e një denigrimi të paparë ndaj figurës së Gonxhe Bojaxhiut, e Shenjta  Nënë Tereza, e pranuar gjithkund në botë si humanistja më e madhe që ka pasur deri më sot njerëzimi. Por çuditërisht, vetëm autoriteteve zyrtare të Shkupit, si duket po iu pengon fama dhe lavdia e Nënë Terezës, sepse s’ka si të shpjegohet ndryshe tendenca për ta denigruar atë maksimalisht, duke i fshirë dal ngadalë gjurmët e shtëpisë ku ajo para 110 viteve lindi dhe kaloi një pjesë të rinisë së saj.
Në vazhdën e këtyre denigrimeve, ditë më parë Qyteti i Shkupit e ndërmori një hap arbitrar, duke shkulur themelet e kësaj shtëpie dhe vendosur një park para pllakës përkujtimore të Nënë Terezës, me çka është pamundësuar qasja deri te kjo pllakë. Me këtë veprim të shëmtuar autoritetet e Shkupit pamundësuan çfarëdo lloj pelegrinazhi që mund të bëhet në vendin ku dikur ka qenë shtëpia e Nënë Terezës.
Prandaj ne fuqishëm e përkrahim Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe drejtorin  Dr. Skender Asani në sensibilizimin që po ia bën veprimeve të shëmtuara të autoriteteve zyrtare të Shkupit, duke kërkuar njëherësh edhe rikthimin e gjendjes ashtu siç ka qenë më parë – rivendosjen e themeleve të shtëpisë së lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, hapjen e një shtegu për pelegrinazh dhe vendosjen e gjuhës shqipe në pllakën përkujtimore.
Ne e inkurajojmë z. Asani që të vazhdojë me përpjekjet e tij këmbëngulëse e argumentuese në rikthimin e lavdisë së nëpërkëmbur të figurës dhe veprës së Nënë Terezës, sepse vetëm duke mbrojtur vlerat që na afirmojnë në botën e civilizuar, ne mbrojmë një kauzë të drejtë për të cilën ishte angazhuar gjatë gjithë jetës Nënë Tereza – që të jetë në shërbim të njerëzve pa krah, e me shëndet të dobët, në shërbim të zërave që bota e luksit dhe shfrytëzimit i kishte shurdhuar.

Askush nuk do ta besonte se pikërisht në vendlindjen e Nënë Terezës, sot dikush do të guxonte që të shkulte themelet e shtëpisë së lindjes së saj, në emër të një rirregullimi të ri urbanistik, i cili nuk është asgjë tjetër pos një diversion anticivilizues mbi vlerat që simbolizon emri dhe vepra e Nënë Terezës dhe gjithçka që lidhet me trashëgiminë e saj familjare.

Në emër të paraardhësve tanë, të cilët qysh para një shekulli Shkupin e kishin pjesë të kauzave të tyre liridashëse e  humane, kërkojmë me ngulm nga faktorët politik e institucional të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta rikthyer në gjendje paraprake kompleksin historik ku para 110 viteve kishte lindur Nënë Tereza, duke i rivendosur themelet e shtëpisë së saj të lindjes dhe duke hapur shtegun për pelegrinazh deri te pllaka përkujtimore, e cila gjithsesi duhet të jetë e shkruar edhe në gjuhën amtare të Gonxhe Bojaxhiut.

Perfaqesues i Familjes Ismail Qemajli,Qamil Ismail Vlora, Perfaqesues i Familjes Hasan Prishtina- Mehmet Prishtina,Perfaqesues i familjes Isa Boletini,Gazmend Boletini,. Per Gjurme Shqiptare Marin Mema , Kryetari i SHSHKSH – Shoqates se Shqiptarve te shperngulur nga trojete  veta z. Jahja Lluka,Perfaqesues i Malesorve te Tring Ismailit dhe Ded Gjo Lulit -Martin BerishaPerfaqesues i familjes se Heroit Afrim Zhitija-Syle Zhitija,Perfqesues te Familjes se Heroit Hajrullah Murtezi-Terpeza,Ilir Murtezi,Perfaqesues i AFEDS-Shqiptareve te Medvegjes-Muharrem Salihaj, Flora Ferati Sachsenmaier dhe Shkelzen Boroci,Studiuesit Mark Palnikaj,Pjeter Meta, Aktivistet,Irfan Domnori dhe Elida Jorgoni.