Ballina Rajoni Maqedoni e Veriut, shpallet gjendje e jashtëzakonshme e re për 14 ditë

Maqedoni e Veriut, shpallet gjendje e jashtëzakonshme e re për 14 ditë

 

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, presidenti Stevo Pendarovski njoftoi se ka vendosur të shpallë gjendje të jashtëzakonshme të re për 14 ditë, edhe pse qeveria kërkoi kohëzgjatje prej 30 ditë.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, shpalli gjendje të jashtëzakonshme të re për 14 ditë për shkak të krizës me koronavirusin e ri (COVID-19), duke përmendur si shkak zbatimin e masave ekonomike dhe sociale, raporton Anadolu Agency (AA).

Sot u mbajt seanca e gjashtë e Këshillit të Sigurimit në të cilën u diskutua gjendja e jashtëzakonshme e shpallur për shkak të pandemisë COVID-19. Pas seancës, presidenti Pendarovski mbajti një konferencë për media.

Ai informoi se në seancën e sotme është rishikuar raporti i paraqitur nga Qeveria për zbatimin e gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur për herë të dytë në 17 Prill. Pendarovski tha se në seancë, Kryeministri Spaovski ka informuar për 30 ditët e kaluara dhe ka sqaruar propozimin e qeverisë për të rishpallur gjendje të jashtëzakonshme për 30 ditë tjera.

“Pas konsultimeve të gjera që i kisha ditëve të kaluara dhe sot me ekspertë nga disa fusha dhe me këshilltarët e kabinetit dhe bazuar në atë që u tha dhe u propozua në seancë, vendosa që të shpall gjendje të re të jashtëzakonshme në kohëzgjatje prej vetëm 14 ditë, në vend të 30 ditëve sa u kërkuan. Duke pasur parasysh tendencat pozitive në qetësimin e gjendjes së pandemisë, unë mendoj se 14 ditë janë të mjaftueshme”, tha Pendarovski, duke shtuar:

“Arsyeja e këtij vendimi është nevoja për të zbatuar masa ekonomike dhe sociale për të zbutur pasojat e pandemisë që tashmë po ndjehen si rezultat i faktit se një numër i madh i kompanive nuk kanë punuar dhe akoma nuk punojnë”.

Pendarovski gjithashtu tha se strategjia për trajtimin e krizës së koronavirusit po jep rezultate, gjë që tregon se “si shtet ne po përballemi mirë me këtë sfidë të madhe”.

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të pranishëm ishin kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi; kryeministri, Oliver Spasovski; ministri i Brendshëm, Naqe Çulev; ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, profesorët universitarë Trajan Gocevski, Veton Latifi dhe Nenad Markoviç, ndërsa me ftesë të presidentit, i pranishëm ishte edhe kryetari i Komisionit të Sëmundjeve Infektive, Zharko Karaxhoski.

Kujtojmë se me sugjerimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, presidenti Stevo Pendarovski për herë të parë shpalli gjendje të jashtëzakonshme më 18 mars dhe që atëherë gjendja e jashtëzakonshme ka mbetur në fuqi.

Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, deri më tani janë regjistruar 1.740 raste me COVID-19, prej të cilëve 97 kanë vdekur, 1.251 janë shëruar.