Ballina ED/OP Autogolat e kritizerëve të qeverisë Kurti – Nga dr. ambasador Islam LAUKA

Autogolat e kritizerëve të qeverisë Kurti – Nga dr. ambasador Islam LAUKA

 

Sot qeveria Kurti mbushi 100 ditë.
Në përpjekje për ta nxirë sa më shumë këtë periudhë të shkurtër kohore, kritizerët e tij, në fakt, po bëjnë gola në portën e tyre:
1. “Kritika” e tyre kryesore ka të bëjë me “prishjen e marrëdhënieve me SHBA-në”, për shkak, siҫ thonë ata të kundërshtimit të ambasadorit Grenell, lidhur me heqjen e tarifës dhe të reciprocitetit me Serbinë. Sipas këtyre kritizerëve, që të vlerësohet i susksesshëm, Kurti do të duhej të hiqte dorë nga një element thelbësor i sovranitetit shtetëror në marrëdhëniet me Serbinë, si reciprociteti, në themel të të cilit qëndron barazia dhe respekti I ndërsjellë.
2. Një “dështim” tjetër që i faturohet qeverisë Kurti është “mungesa e vizitave jashtë shtetit”. Po cili ështё ai udhëheqës rajonal, europian apo botëror që ka bërë vizita jashtë vendit të tij në kohën e pandemisë? Sipsa kritizerëve, që të quhet i suksesshëm, Kurti do të duhej të mos zbatonte distancimin social në marrëdhëniet ndërkombëtare.
3. “Dështim” e quajnë kritizerët edhe të vetmen vizitë të Albin Kurtit në Shqipëri, sepse ai u përplas me Ramën për “shëngenin ballkanik”. Që të konsiderohej vizitë e suksesshme, sipas tyre, do të duhej që Kurti të pajtohej me idenë e Ramës, pavarësisht se ajo është në kundërshtim me interesat e Kosovës.
4. “Dështim” e quajnë kritizerët edhe “rrudhjen” e ekonomisë, gjatë kohës së pandemisë. Po cili vend në botë nuk po vuan pasojat ekonomike të shkaktuara nga kjo krizë e rëndë? Sipsa tyre, që të quhej i suksesshëm, Kurti nuk do të duhej të vinte në plan të parë jetët njerëzore, siҫ kanë bërë të gjitha qeveritë e botës, por konsideratat ekonomike.
E vërteta është se këto 100 ditë të qeverisë Kurti (47 prej tyre në detyrë) janë mbizotëruar nga shqetësimi i madh për të përballuar krizën e paparashikuar tё koronavirusit. Në tërësi, krahasuar edhe me vendet e rajonit, mund të thuhet se ajo u përballua dhe po përballohet me sukses. Krahas saj, qeveria Kurti u përpoq, me aq sa mundi, të luftojë korrupsionin dhe kapjen e shtetit.
Nuk duhet harruar që shkalla e vështirësive në këtë kohë krize ka qenë tepër e lartë. Qeverisë iu desh të luftojë kundër dy viruseve njëkohësisht, njëri më i rrezikshëm se tjetri-kovid 19 dhe virusit të politikës së vjetër. Në këtë kuptim, ajo ishte e lidhur këmbë e duar. Për fat të keq, qeveria nuk pati mbështetjen e Kuvendit të Kosovës as për miratimin e ligjeve më të domosdoshme për luftimin e pandemisë.
Mësimi i këtyre 100 ditëve, duket se është ky: vetëm koalicioni i Albin Kurtit me popullin e vet do të jetë i besueshëm dhe i qëndrueshëm dhe vetëm ky koalicion mund t`i zgjidhë hallet që, tash 20 vjet, e kanë kapluar Kosovën.