Ballina Aktualitet Manastirliu: Ri-hapje graduale e sistemit shëndetësor, nga 18 Maji fillojnë operacionet e...

Manastirliu: Ri-hapje graduale e sistemit shëndetësor, nga 18 Maji fillojnë operacionet e planifikuara

 

11 Maj, Tiranë- “Nga data 18 Maj do të rifillojnë gradualisht operacionet e planifikuara, në spitalet rajonale dhe universitare”. Gjatë një inspektimi në spitalin e ri të Kirurgjisë në QSUT, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se pas vlerësimit të situatës nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, është vendosur ri-hapja graduale e sistemit shëndetësor.

 

“Koeficienti i riprodhimit paraqitet nën 1, çka ka bërë që sot Komiteti Teknik i Eksperteve të vlerësojë edhe rihapjen graduale te sistemit shëndetësor në spitalet rajonale dhe universitare nga data 18 Maj. Gjatë kësaj jave duhet që të gjithë strukturat të angazhohen maksimalisht për t’u bërë gati për rihapjen graduale të shërbimeve të kirurgjisë së planifikuar”, tha Manastirliu.

 

Duke theksuar se gjatë të gjithë kohës së epidemisë, janë garantuar të gjithë shërbimet së i përket urgjencave kirurgjikale dhe patologjive malinje, Manastirliu u shpreh se ndërhyrjet e planifikuara do të nisin në mënyrë graduale në të gjithë vendin.

Ministrja e Shëndetësisë tha gjithashtu se po vlerësohet rikthimi në normalitet edhe i spitalit COVID2.

 

“Jemi duke vlerësuar me komitetin Teknik të Ekspertëve edhe rikthimin në normalitet të spitalit universitar ‘Shefqet Ndroqi’, i cili i është dedikuar COVID2 dhe brenda kësaj jave do të kemi një vendim për të vlerësuar rikthimin në normalitet të këtij spitalit për të ofruar shërbimet e tij”, tha Manastirliu.

 

 

Në takimin me Ministren e Shëndetësisë kirurgët u shprehën se janë gati që shërbimi ti rikthehet  në normailtetit, si fillim me kapacitete të reduktuara dhe më pas të vijojë puna normalisht në shërbim të qytetarëve.

“Do të doja që qytetarët të jenë të ndërgjegjshëm për distancim social dhe higjenën personale, ndërsa shërbimi i kirurgjisë është gati, si fillim do të fillojmë me kapacitet më të ulët, me ndërhyrje më urgjente, për ta shtrirë hap pas hapi”, tha prof Arben Gjata.