Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha se është kundër ideve për shkëmbim territoresh ndërmjet dy vendeve, sepse ato bien ndesh më synimet për një zgjidhje që siguron qëndrueshmërinë e rajonit.
Zoti Lajçak shkroi në rrjetin social twitter duke ju referuar një bashkëbisedimi të tij më agjencinë APA se “bisedimet që udhëhiqen nga Bashkimi Evropian kanë për qëllim arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Një gjë e tillë duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe të kontribuojë për qëndrueshmërinë në rajon. Ideja e shkëmbimit të territoreve e bën të kundërtën“, shkroi zoti Lajçak.
Last week, I spoke to APA about the
-facilitated Dialogue, which aims at achieving a legally binding normalization agreement between Kosovo & Serbia. This must be in line with international law & contribute to stability in the region. The idea of land swaps does the opposite.
Komentet e zotit Lajçak pasuan reagimet që nxiti javën e kaluar shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell i cili në një intervistë me katër medie përfshirë edhe të përditshmen Koha Ditore, duke folur rreth ideve për shkëmbim territoresh tha se “kjo është një çështje që duhet të zgjidhet në dialog mes Serbisë dhe Kosovës. Unë nuk shoh nevojën që ne të jemi më katolik se Papa. Nuk na takon neve t’u themi serbëve dhe kosovarëve se për çfarë duhet të pajtohen ata apo jo. Roli ynë do të jetë të lehtësojmë dialogun. Por, siç thash nuk duhet të jemi më katolikë se Papa. Nëse ata merren vesh për diçka në duhet gjithsesi ta studiojmë atë marrëveshje, sepse secila marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës ka ndikim në rajon. Por në parim ky duhet të jetë dialog i lirë dhe fer mes dy palëve...”, tha ai.
Qëndrimi nxiti kritika në Kosovë por edhe të deputetëve të Parlamentit Evropian të cilët më 7 maj i kërkuan llogari në një debat komisionarit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, i cili tha se BE-ja pret që Kosova dhe Serbia të pajtohen për një zgjidhje që nuk paraqet rrezik për vendet tjera të rajonit.
“Qëndrimi ynë ishte shumë i qartë që nga fillimi. Thelbësore është që të dyja vendet të pajtohen për një zgjidhje që është e pranueshme për to dhe që nuk paraqet asnjë rrezik për asnjë vendet tjera në rajon. Kur të arrijmë atje, mund të shohim për elementet tjera. Në këtë kuadër, shkëmbimi i territoreve nuk është një çështje apo është një çështje e dorës së dytë. E domosdoshme është që palët të jenë në tryezën e bisedimeve dhe të angazhohen mirëfilli për një zgjidhje”, tha ai.
Debatet nëse ka një kuadër për një marrëveshje Kosovë – Serbi që do të përfshinte prekjen e kufijve u ringjallën bashkë më krizën politike në Kosovë, e cila mbeti me qeveri në detyrë që nga 25 marsi kur parlamenti miratoi një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.
Zoti Kurti është shprehur i bindur se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiç kanë një ujdi për shkëmbim territoresh dhe se kjo është diskutuar gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga ish shefja politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.