Ballina Diaspora ISAKU, VËLLAÇKOJA YNË I VOGËL – Tregim nga Ramiz GJINI – New...

ISAKU, VËLLAÇKOJA YNË I VOGËL – Tregim nga Ramiz GJINI – New York

 

Të bëjmë diçka sa për t’u dukur se egzistojmë, se marrim frymë, diçka sa për të trembur vdekjen, – kuturisi e tha Isaku duke rrotulluar nga ne ata sytë e tij të trishtë.
Por ne as që ia varnim Isakut. As që donim t’ia dinim çfarë thoshte ai. Madje jo vetëm Isakut, vëllait tonë të vogël e buvesh, por nuk ia varnim as kohës, ritmit të jetës, zabullimës së gjallë rreth nesh, stinëve që vinin dhe iknin njëra pas tjetrës në mënyrë të përzishme. Dhe të gjithë, pra, që të gjithë, qemë zhytur në një lektisje të plogësht fatale si ta kishim bërë nijet për ta pritur në heshtje fundin tonë diskret.
Kishim lindur batalla, vuanim nga mungesa e lëvizjeve të motivuara; dhe, teksa bënim një jetë veleritëse, gëlltisnim pështymën e lëbozës së ditëve tona shterpë.
Isaku u ngrit ngadalë me kockat që i kërkëllinin, dhe, si arriti të mbante drejtpeshimin në këmbë, u kthye e tha:
– Vendosa të dal jashtë, nuk shtyhet më kështu, ndryshe do të kalbemi”. Bëri disa çape drejt portës, u ndal, e duke u kthyer sërish nga ne shtoi: – Do të ndërtoj një shtëpi për veten, një shtëpi në fushë të hapur”.
E përqeshëm dhe e tallëm si mosomakeq:
– Mos u bëj i marrë Isak”, – ngulmonim ne, – Kërkon të dalësh jashtë në këtë kohë të keqe, të përballësh me gjithë këtë suferinë të marrë!
Por ai as që deshi të na dëgjonte. Përplasi portën dhe u bë fir.
Ne kishim të gjithë një kokë sëbashku dhe e donim njëri-tjetrin ashtu siç e donte sejcili veten. Mendimet na puqeshin mrekullisht dhe flisnim të njëjtat gjëra njëherësh. Madje ne shikonim të njëjtat ëndërra; dhe, kur ndodhte, që i rrëfenim mëngjeseve, korrigjonim njëri-tjetrin për detaje të vogla që na shpëtonin pa u treguar. Ne i tregonim ato, edhe pse e dinim, që të gjithë bashkë kishim parë të njëjtën ëndërr. E bënim këtë, thjeshtë, sepse ashtu na pëlqente.
Dy ditë më parë, vëllai ynë i madh, na tregoi atë ëndërrën, që kishte të bënte me ca yje, që binin e shuheshin në ujin e ndyrë të brrakës së Gjikollit. Por ai harroi se njëri prej këtyre yjeve, teksa u përplas mbi syprinën e ujit, nuk u fundos ashtu si të tjerët. Ai u fry njëherë nga zjarri i vet, u bë sa një lëmsh i madh, pëlciti, dhe atëherë, qindra shkëndia të ndezura kërcyen e u futën poshtë pullazit të shtëpisë sonë. “Oh, po, po, – pati pranuar asokohe vëllai ynë i madh, – tani më kujtohet mirë, sepse shtëpia u përfshi nga flakët”.
Siç e thashë, ne shquheshim për lëvizje të pamotivuara, të cilat i demostronim dukshëm në mënyrë të përbashkët, kolektive.
Vetëm Isaku nuk ngjante me ne; dhe ne, dyshonim se ai pati lindur dobiç; dhe për më tepër, me një instikt kafshe të egër, qoftë për t’iu shmangur rrezikut, qoftë për t’u përballur me të. Ndoshta pse kish lindur i tillë, para disa vitesh, babai e vrau me sakicë nënën tonë dhe iku e u zhduk për t’i shpëtuar burgut.
E quanim buvesh Isakun, vëllain tonë të vogël. Qemë të bindur, që me gjithë atë erë, që tërbohej fushës, ai nuk do të mund të ngulte as edhe një hu gardhi në tokë; e jo më të ngrinte në këmbë një shtëpi të tërë.
Dita tjetër gdhiu pa Isakun dhe përpos kujtimit për të, që s’na shqitej nga mendjet tona të topitura, nuk gëlonte brenda nesh asnjë mendim, asnjë destin a dëshirë.
U trembeshim zhurmave, zabullimës së jetës dhe kishim rënë në një gjendje aq dërrmuese, sa edhe mundimet e shtriqjeve po na bëheshin të tmerrshme.
Të shtrirë në shpinë, me sytë e ngulur në tavan; të pajtuar me fatin dhe të mësuar paq me të drejtën që ne i kishim dhënë vetes, mund t’i ngrysnim për bukuri ditët tona duke bërë kokrrën e pallës; dhe pastaj, të shkonim në botën tjetër me indiferencë e shpërfillje, pa ndjerë asnjë brerje ndërgjegjje, asnjë dhimbje në shpirtërat tanë të patenzonë mveshur me një membranë të trashë, që tashmë kish nisur të koracohej. Sepse në fakt, ne nuk kishim histori, nuk kishim të kaluar të vyrtytëshme; dhe as që shpresonim në të ardhmen tonë të zgërlaqur, për të cilën, nuk mendonim ndonjëherë. Kishim vetëm ëndërra, që nuk arrinin të bëheshin kurrë realitet; dhe ajo që ishte më e keqja, qemë dënuar të zhgrryheshim në baltën e rrëshintë të një stine të ftohtë, ku nuk mbinte e lulëzonte asnjë lloj ideje apo motivi.
Pas ikjes së Isakut, e vetmja gjë, që na regëtinte në mendje, qe një pyetje e përbashkët: çfarë bënte Isaku atje në fushë të hapur ku të shkulte era? Dhe menjëherë pas kësaj dileme, përmes fishkëllimave dhe ulurimave të tërbuara të erës, ne e përfytyronim vëllain tonë të vogël të shndërruar në një dordolec. Me flokët e kataleshur e sytë e picërruar; me këmbët e pantallonave, që i shkundeshin nga era dhe me kindat e xhaketës që i valviteshin mu si flamujt e pisët të shejtanit. Sepse vërtet që ishte bidat më vete të luftoje me erën, me një masë të padukshme e të xhindosur, pa patur asnjë mundësi për t’iu shmangur; dhe ku asnjë lloj dredhie sado e zgjuar të ishte s’të hynte në punë.
Ashtu siç qemë, të shtrirë në kokërr të shpinës, binim në shajnì. E përfytyronim Isakun se si bënte qerthuj bashkë me shtjellat e erës si të qe një lëvozhgë e lehtë arre; pastaj e përfytyronim teksa zbythej zgupthi sëprapthi nga forca demonjake e natyrës duke hapur me prapanicë mbi tokën e lagësht një rrè të lëmuar si ato që lënë në pluhur rrëshqanorët; e përfytyronim duke u ngritur lart në ajër, duke u sjellë qiellit mu si një kuti kartoni bosh, si një qese e ndyrë plastmasi; apo si rroba e grisur dhe e çapëluar e një të vdekuri, derisa e ngecnim dhe e varnim pastaj me fantazinë tonë në ndonjë grremç dege të prerë majë ndonjë arre të moçme. Por nuk doli ashtu siç e kishim përfytyruar ne, sepse Isaku, vëllaçkoja ynë i vogël, kish gjetur një mënyrë për t’ia hedhur erës.
Para se të dilte në fushë të hapur, ai qe përvjedhur shpatinës së përroit të Gjetës duke ecur skiç. Pati hyrë në përrua, kish mbërthyer dobiçi mirë me krahë dy gurë të mëdhenj dhe kishte përshkuar plot mundim më këmbë fushën e hapur, derisa kishte mbërritur tek vendina ku do të ngrinte shtëpinë. Aty patie lënë në tokë vetëm njërin gur, kurse tjetrin e kishte marrë sërish me vete drejt përroit, që t’i shërbente si peshë sigurie për kthimin.
Sido që ne e tallnim dhe e përqeshnim, thellë vetes ndjenim keqardhje për Isakun e vogël, sepse po çalltiste e bohorritej shumë në një kohë kiamet;dhe as që e dinim, që edhe ai, ndjente të njëjtën keqardhje për ne, për mundimet tona të shtriqjeve e vuajtjet që na sillte mërzia e thellë, plogështia e gjatë dhe e pafund. Dhe si të deshte të na jepte një shembull triumfi, ai nuk pushoi për asnjë çast së mbarturi gurë që nga përroi për t’i çuar tek vendina ku do të ngulte shtëpinë. Për çdo herë që Isaku çonte dy gurë në fushë të hapur, njërin do ta kthente sërish mbrapsht në përrua, sepse kështu ia donte puna, dhe sepse, vetëm kësisoj ai e ndjente atë peshë sigurie që e bënte të ecte me këmbët në tokë.
Javën e dytë, ai erdhi të na shikonte. Gurin e peshës Isaku e la diku pranë murit të oborrit.
Ne sa s’u tërbuam prej atyre lëvizjeve të tij të qeta e të motivuara, të shoqëruara gjithmonë nga një mendim i fshehtë e vetiak.
– Mbylle shpejt portën, Isak, – iu hakërryem të gjithë me zë të lartë njëherësh dhe e tërhoqëm brenda si djajtë shpirtin mëkatar.
Dhe ai, pasi i vuri supin portës, e shtyu atë fort derisa arriti t’i vinte llozin. Pastaj u kthye nga ne e mërmëriti si nëpër dhëmbë atë shprehjen e tij të zakonshme:
– Unë e di që ju do të kalbeni.
Mezi e njohëm vëllaçkon tonë të vogël. Dukej i lodhur e i rraskapitur; rrobat i qenë grisur në pjesën e përparme të trupit, pëllëmbët e duarve i qenë zmadhuar gati dyfish dhe lëkura në ta, qe trashur e bërë plot kallo e dhoga. Këmbët i kishte të vëngërta e të çapëluara nga pesha e gurëve. Avullonte nga djersa por në sytë i shndriste një dritëzim prej orrli.
– I hodha themelet, – tha ai triumfalisht dhe qeshi.
E vështruam me habi e dyshim.
– Je në vete?! – pyetëm të gjithë njëherësh në kor me tallandisje. – Nuk shikon more vëllaçko ç’hata e ç’llazurë po bëhet përjashtë?! Na thuaj drejt, sa je munduar, sepse me ty Isak, ka gallatë!
Ai na vështroi pa folur, ndërdyzash; u duk sikur deshi të thoshte diçka, një fjalë të vetme, që e përtypi gjatë me dhëmbë dhe që e gëlltiti pastaj me shumë mundim.
– Hape gojën e fol që të dëgjojmë, – ngulmonim ne duke thirrur me sa na hante zëri, – Ç’bëhet jashtë? Ka dalë përroi nga shtrati? Po pemët, a janë rrëzuar? A është përmbytur fusha? A ka ndonjë shtëpi të rrënuar? A pè ndonjë qenie të gjallë mbi faqe të dheut, Isak?
– Pashë një skifter, – tha ai me një sinqeritet prej buveshi. – Një skifter, që sillej bashkë me erën nëpër qiell në gjueti të minjve.
– Uuuauuu! – ia bëmë ne me të tallur të gjithë njëherësh si gjithmonë në kor. Dhe qeshëm me të madhe. Pastaj tek e fundit, kur vala e gazit qe shuar, ngadalë e shtruar, që ta merrte vesh mirë, i thamë:
– Ti je nje buvesh Isak. Na fal pse po ta themi troç e drejt, por ti përnjimend je një buvesh i shkundur. Ku ka skifter me gjithë këtë hata që bëhet jashtë?!
Asokohe, Isaku, vëllaçkoja ynë i vogël, u zemërua keq me nè. U krodh njëherë në mendime; pastaj, me një vetësiguri të admirueshme hodhi atë shprehjen e tij të kaherëshme “Unë e di që ju do të kalbeni”; dhe doli jashtë i harmatuem mënie duke e lënë portën hapur.
Një shakullimë e madhe ere mbushi shtëpinë, u rrotullua gjithandej mureve dhe i bëri sendet lesh e lì. Asohere, ne u turrëm të gjithë së bashku me yrish, i vumë shpatullat derës dhe vetëm pasi i rrasëm llozin morëm frymë të lehtësuar. Dhe thamë: “Në djall vafsh, Isak! O hajvan samari, që s’merr vesh hiçfare e nuk do që t’ia dish ç’bëhet jashtë. Ik nga të të çojë era o dobiç dhe kurrë mos u kthefsh më në gjirin tonë! Ne po të tregojmë hatanë, kurse ti do që të shkoqitësh davanë”!
Ditët që pasuan qenë më të tmerrshme.
Shikonim pemët në kopësht teksa përkuleshin me degët gjer në tokë nga stuhia. Era tërbohej gjithandej athua se qenë shpuar shakujt e qiellit. Madje një ditë, pamë tjegullat e çatisë së shtëpisë kundruall se si u shkëputën e fluturuan me rrapëllimë përmes një rrëmeti uluritës. Teksa vrapuam njëri pas tjetrit për të zbritur në bodrum, dëgjuam nga jashtë zërin e Isakut, i cili piskati t’i hapnim portën.
– Mos u përgjigjni, – i thamë njëri-tjetrit të gjithë njëherësh, – Le të rrijë jashtë dobiçi. Mirë t’i bëhet.
Isaku vikati edhe shumë herë të tjera; dhe atëherë, të gjithë sëbashku, ne vendosëm t’ia falnim vëllaçkos tonë buvesh atë që kish bërë. U kapëm fort njëri pas tjetrit, që të mos na ngrinte peshë era dhe vajtëm të hapnim portën e oborrit.
– Futu shpejt brenda Isak,- i thamë me të hapur portën, – Na kërko falje dhe mos e përsërit edhe njëherë atë që bëre.
Isaku hyri në oborr, jo me një, por me dy gurë të mëdhenj sigurie në krah. Fytyra e rrahur nga era dhe shiu i qe skuqur. Flokët i qenë kataleshur si të qe përleshur me njëqind djaj. Por dukej i qetë në vetvete dhe në sy i lexohej një besim i verbër.
Me të hyrë brenda, ai u ndal, u kthye nga ne e duke picërruar sytë bërtiti e tha:
– Nuk erdha për të kërkuar falje, por erdha sepse më duhet sharra, sakica dhe sqepari.
Kulmi!
Kaq shumë u inatosëm me Isakun sa mezi pritëm sa të merrte surdinën me veglat, për t’i përplasur fort portën nga prapa me një vendim, që s’kish për t’u thyer kurrë më.
Isaku u largua me surdinën dhe gurët e tij të sigurisë, kurse ne ia mbyllëm derën me shul nga brenda gjithë inatë; dhe, ashtu siç qemë të kapur njëri pas tjetrit, vajtëm e u mbyllëm thellë në bodrum.
Qëndruam gjatë aty brenda, të rrasur nguc e nguc pas njëri-tjetrit, duke shfrytëzuar zgëqet e errët xëc tamam si këlyshët e dheut, a thua se donim t’i shpëtonim një mallkimi të lashtë, ora ndëshkuese e të cilit, dukej se tashmë po trokiste.
Ndërsa ditët kalonin, qielli erdh’ e u nxi katran, era u bë ende më e tërbuar. Ulërima e saj e tmerrshme i ngjante asaj të një bishe prehistorike. Rropamat dhe klithmat u shtuan. Tashmë për ne, nuk kish pikë dyshimi, që vëllaçkoja ynë i vogël, e kish paguar me kokë marrëzinë e tij.
Kur ia behu ora e zezë, që thuhet se s’ka as fill as cak, shtëpia u trus e nisi të lëkundej që nga themelet; pastaj teksa rroposej, shkrepëtiu një vetëtimë, drita verbuese e së cilës, mbërriti gjer thellë në bodrum.
Kur u dëgjua gjëmimi, ne kuptuam se vetë Zoti po vrumbullonte me zë rrufeje. Ai tha:
– Unë e di që ju do të kalbeni.
Atëherë, të gjithë së bashku, ne ndjemë dhe kuptuam, që diçka e rëndë po shpërbëhej e shembej brenda nesh; se era shkatërruese na kish hyrë gjerë thellë në deje; lagështira dhe myshku, qenë buisur qyshkur në zemrat tona; madje ato kishin hyrë në të gjitha poret e trupave tanë të malcuar. Një kutërbim plehu e kalbësire të gërbulur kish nisur të nderej eterit rreth nesh. Të neveritur, vendosëm të dilnim. Pështymë mbi trupat tanë të kalbur, dhe, si gjetëm një vrimë përmes rrënojës, u përvodhëm jashtë ku natyra ishte qetësuar dhe një mëngjez i vagëllimtë pranvere, përhapte puhizën e një shpresë të re mbi gjithësinë.
Me të hedhur sytë andej nga fusha e hapur, për habinë tonë, na zunë sytë Isakun, vëllaçkon tonë të vogël: kish hypur majë çatisë së shtëpisë së tij të re dhe po i vendoste asaj tjegullat e fundit me një gazmend në buzë, që buronte mes gurit të sigurisë dhe mendimit të tij vetjak.