Ballina ED/OP Paqe apo ndëshkim nga dyfytyrësia politike?! – Nga MSc. Adem Lushaj,...

Paqe apo ndëshkim nga dyfytyrësia politike?! – Nga MSc. Adem Lushaj, drejtor i Shoqata e Intelektualëve të Pavarur Deçan

 

(Politikë favorizuese për Manastirin, e në anën tjetër ndëshkuese për zhvillimin e Deçanit?!)

“Paqja dhe ndëshkimi”, titull i librit të Florence Hartmann, ish zëdhënëse e Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi (ICTY), libër në të cilën paraqitet dyfytyrësia politike, kundrejt të drejtës, kundrejt ligjit. 

Shtrojmë dilemën: “Nëse në Komunën e Deçanit është luajt dyfytyrësi politike. A është ndëshkua Komuna e Deçanit me politikën e dyfishtë të zhvilluar, për të arritur “paqe politike”? Nëse zhvillimi ekonomik i Deçanit është ndëshkuar për hir të paqes me Manastirin e Deçanit?” “Paqe dhe ndëshkim në Deçan”. Këtë mund ta vlerësojnë deçanasit dhe njohësit e zhvillimeve, të para dhe pas luftës. 

Me 13 apo 14 qershor të vitit 1999 në Deçan, arritën forcat paqeruajtëse nën emblemën e KFOR-it. Ardhja e tyre ishte pritur më gëzim të papërshkruar nga deçanasit. Ata (KFOR-i), u vendosën në objektet e Pushimores së fëmijëve dhe të rinjve “Pishat e Deçanit”, objekte në afërsi të Manastirit. Ishin të pa djegura, të pa shkatërruara.

“Pishat e Deçanit”, ishte njëri ndër resursit më të mëdhenj zhvillimor në Kosovë. Që në fillim të viteve ’90-ta shqiptarët nuk kishin qasje në të. Mund të ketë ndonjë përjashtim për shqiptarët “e ndershëm”. Pos këtij resursi, shqiptarët nuk kishin qasje, as në resurset tjera në afërsi të manastirit, si në Kompleksin hotelier “ILIRIA”, dikur “Visoki Deçan”, as në Fabrikën e mjaltit “APIKO”. Ishin masat e dhunshme të regjimit të Millosheviçit që i kishin larguar punëtorët nga këto objekte, duke i uzurpua me punëtor serbo-sllavë. 

Sikurse në krejt komunat e Kosovës, edhe në Deçan ishte instaluar Administrata ndërkombëtare, me emërtim UNMIK (United Nations Mission in Kosovo). Po ashtu erdhën shumë organizata ndërkombëtare bamirëse duke ndihmuar në  ndërtimin e objekteve për banim dhe rimëkëmbjen ekonomike. Këto organizata ndërkombëtare ishin të vendosura nëpër objekte publike, por kishte edhe të tilla që ishin të vendosura nëpër ato private. Kështu që, edhe në objektet e Fabrikës së mjaltit APIKO, ishin të vendosura këto organizata ndërkombëtare. Mirëpo, pas një apo dy vitesh, objektet e APIKO-s lirohen me shpresën që aty do kthehet prodhimi i dikurshëm. Do ktheheshin punëtorët që kishin punuar me vite. APIKO-s do i kthehet nami që kishte dikur në gjithë ish Jugosllavinë. Por, ndodhi ajo çka nuk e priste askush. Jo vetëm që nuk lejoheshin punëtorët të kthehen në vendin e tyre të punës, por referencat e zyrtarëve të KFOR-it dhe UNMIK-ut ishin që të tërhiqen pajisjet e mbetura të kësaj fabrike, ngase pronat  e APIKO-s dhe të ILIRIA, nga Qeveria e Millosheviçit, iu ishin falë Manastirit të Deçanit. Këto referenca ndërkombëtare, nuk pranoheshin nga drejtuesit komunal dhe qytetarët. Dhe, për çudinë e të gjithëve, objektet e kësaj fabrike, djegën para syve të KFOR-it, dhe kjo nga klerikët ortodoks. Në vend të ngjarjes kishin dalë, edhe policia e Kosovës edhe ata të UNMIKU-ut. Por, rasti ishte mbyllur. Asnjë veprim ligjor. 

Nga veprimet politike dhe dëmtuese, kishin pësuar edhe dy familje, njëra rome e tjetra malazeze. Pos shtëpive të rrënuara, iu është marrë edhe prona e tyre. Tashmë, pronat publike të kësaj fabrike, me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, të bazuar në Vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, edhe zyrtarisht janë në pronësi të manastirit. 

Kompleksi hotelier ILIRIA, (VISOKI DEÇAN), krahas pushimores së fëmijëve, ishte objekti kryesor hotelier i kësaj komune. Hotel me renome, edhe jashtë Deçanit. Deri në vitin 2002, hapësirat e këtij hoteli ishin të pa prekura. Pra, hoteli ishte i pa dëmtuar. Ndërkohë, objekti bazë dhe shtëpizat përreth hotelit, jo vetëm që filluan të vidhen nga qytetarët e papërgjegjshëm, por u shkatërruan edhe fizikisht. Kjo bëhej para syve të ushtarëve të KFOR-it, të cilët e kishin në përgjegjësi. Ky veprim i paqeruajtësve ishte befasues, por doli të jetë me prapavijë politike. Njëjtë si APIKO, ashtu edhe ILIRIA, me vendim të Gjykatës Kushtetuese, është pranuar si pronë e Manastirit. Pra, ligjërisht dhe faktikisht, Fabrika e dikurshme e mjaltit “APIKO”, dhe Kompleksi hotelier “ILIRIA”, nuk ekzistojnë.

Çfarë ndodhi dhe po ndodhë me objektet e Pushimores së fëmijëve dhe të rinjve “Pishat e Deçanit”?

Fillimisht, mendohej se vendosja e forcave paqeruajtëse në objektet e kësaj pushimoreje është bërë se nuk kishte vend më të përshtatshëm, pasi që objektet në Deçani ishin mbi 90 përqind të djegura apo të rrënuara. Pushimorja ishte ndër të rrallat që kishte mbetur, ngase është në afërsi të manastirit. Mirëpo, me reduktimin e forcave paqeruajtëse dhe bartja e tyre në bazën ushtarake në Pejë, u pa mundësia që ky resurs turistik të fillon punën sipas destinmit që kishte dikur, rehabilitimin e fëmijëve dhe të rinjve, si dhe zhvillimin ekonomik. Këtë gjë me ngulmë e kërkonte edhe ish drejtori i kësaj pushimoreje, Osman Tolaj (tashmë i ndjerë), i cili kishte dërguar kërkesa të shumta për takime me zyrtarët më të lartë të KFOR-it dhe UNMIK-ut. Por, përpjekjet e tij, sa ishin shpresëdhënëse, aq edhe zhgënjyese. Disa nga zyrtarët e ndërkombëtar jepnin premtime për lirim sa më të shpejtë, e kishte të tjerë që thoshin se “çështja e këtyre e objekteve do vendoset në nivelin më të lartë të NATO-s”! Pra, doli të jetë çështje e politikës së ndikuar nga kisha ortodokse serbe me seli në Beograd. Në vitin 2010, ishte dhënë mundësia që KFOR ta dorëzon këtë resurs zhvillimor, me kushtin që kjo të menaxhohet nga CARITASI italian për një periudhë 30 vjeçare. Sipas zyrtarëve të KFOR-it, në mënyrë procedurale, së pari, këto objekte duhet ti dorëzohen UNMIK-ut si menaxhuese me pronat publike, e pastaj mbetët në përgjegjësit e tyre, se çka matej. Gjithnjë sipas KFOR, me qëllimin më të mirë, do kërkojnë edhe mirëkuptimin e UNMIK-ut që objektet e pushimores ti epën  në menaxhim CARITAS-it, dhe të krijohet mundësia që të shfrytëzohen edhe nga qytetarët. Për këtë gjë, ishte formuar edhe një Komision ndërinstitucional, me përbërje të përfaqësuesve në Komuna, Manastiri, UNMIK dhe KFOR. Mirëpo, kjo gjë nuk ndodhi. Oferta për menaxhim 30 vjeçar, e pastaj të shikohen mundësitë e krijuara, nuk ishte pranuar nga ekzekutivi komunal, sikurse edhe nga subjektet politike dhe jopolitike të Deçanit. një premtim i ngjashëm ishte bërë edhe në vitin 2014, nga ambasadori i Gjermanisë, i cili së bashku me Kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, kërkonin nga Kuvendi Komunal që të pranojnë një MEMORANDUM, që sipas tyre ofronte një zgjidhje të qëndrueshme për deçanasit. Palë e këtij memorandumi do ishte Komuna e Deçanit dhe Manastiri i Deçanit. Trysnia e tyre, nuk gjeti mbështetjen e këshilltarëve komunal. Pra, kaluan vite, ende mbesin të zbrazëta objektet e “PISHAT E DECANIT”, një objekt gjigant për zhvillim ekonomik. Pra, pranim-dorëzimi nga KFOR-i, nuk ndodhi. 

Po ashtu, nga dyfytyrësia politike nuk po mund të shfrytëzohen edhe resurset tjera zhvillimore që janë në Grykën e Deçanit. Nuk mund të shfrytëzohet resursi turistik-shëndetësor, GUSHAVCI. Nuk mund të shfrytëzohet guri i mermertë. Nuk mund të shfrytëzohen resurset natyrore turistike, ngase me një Ligj politik të Kuvendit të Republikës së Kosovës, afër 800 hektarë janë vendos në “karantinë”. Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin mbi Zonat e veçanta, bazuar në Planin e Ahtisarit, ku 800 hektarë në afërsi të manastirit, mbesin në mëshirën e vendimeve të Kishës ortodokse dhe politikës serbe. Kjo gjë u pa me rastin e ndërtimit të hidrocentraleve të cilat u lejuan të ndërtohen, edhe pse ishin në kundërshtim me ligjin. Këto hidrocentrale u lejuan të ndërtohen, ngase ishte interesi i Manastirit. Politikë favorizuese për Manastirin, e në anën tjetër ndëshkuese për zhvillimin e Deçanit?! Paqe apo ndëshkim nga dyfytyrësia politike?!