Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Papa Françesku diskutuan të enjten efektet që ka pasur në botë pandemia e koronavirusit dhe ranë dakord për nevojën që të ndihmohen vendet më të varfra, tha zëdhënësi i Merkelit.
“Biseda u përqëndrua në situatën humanitare dhe politike gjatë pandemisë dhe rëndësinë e solidaritetit në Evropë dhe në botë”, tha zëdhënësi Steffen Seibert përmes një deklarate.
“Të dy ishin të një qëndrimi, se gjatë pandemisë, duhet përkrahur në veçanti vendet më të varfra në botë”, shtoi ai.
Merkel, e ka ftuar Papa Françeskun të vizitojë Gjermaninë, sapo të lejojnë rrethanat.
Më 1 maj, edhe sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka ngritur shqetësimin për mungesën e ndihmës për vendet e varfra.
Guterres ka thënë në një konferencë për media se bashkësia ndërkombëtare ishte e ndarë në momentet më të rëndësishme të luftimit të koronavirusit.
“Ekziston një shkëputje midis udhëheqjes dhe pushtetit. Ne shohim shembuj të mrekullueshëm të udhëheqjes, por ato zakonisht nuk shoqërohen me pushtetin. Dhe, ku ne shohim pushtetin, ndonjëherë nuk shohim udhëheqjen e nevojshme”, ka thënë Guterres.