Ballina Diaspora Dr. Patrice Najbor ia kushtoi gjithë jetën e tij, “Shtëpisë së Madhe”,...

Dr. Patrice Najbor ia kushtoi gjithë jetën e tij, “Shtëpisë së Madhe”, Shqipërisë – Nga Ramiz LUSHAJ

 

    Dr. Patrice Najbor në Francë, diplomat, historian, humanist, publicist, mik i mirë i Shqipërisë, ndër të vecantit e Familjes Mbretërore Shqiptare, ka ndrrue jetë me 5 të majit 2020, pas nji sëmundje të dokohshme, bash në moshë kur pena, mendja e zemra e tij po punonte pandamun e ma së forti për kombin shqiptar. Ai ka ba aq shumë e aq mirë për kombin shqiptar, saqë Mbreti Leka I do ta portretizonte lartësisht me cilësimin meritor: “falë gjykimit të shëndoshë dhe zemres së mirë, ai është bërë shqiptar”.

    Ky francez, sa edhe shqiptar, Patrice Najbor, u diplomua në Institutin e Studimeve të Marrëdhanieve Ndërkombëtare (ILERI) të Parisit dhe në studime të larta të specializuara (DESS) të kryeme (në Universitetin Paris XI) për Diplomaci, Politikë të Jashtme, Marrëdhanie Ndërkombëtare (administrim të Organizatave Ndërkombëtare).

    Në ma shumë se tre dekada, historiani Patrice Najbor, deri në kohëfundin e jetës së tij, iu përkushtua (ri)shkrimit të Historisë Kombëtare Shqiptare duke u rendue në një ekspert të njohur ndërkombëtar për cështje shqiptare, i ftuar për të ligjërue në evente e veprimtari të ndryshme të karakterit historik në Francë, Shqipëri, Belgjikë, etj. Ai, në kuadër të studimeve të thelluara (DEA) të mbrojtjes dhe sigurimit evropian (në Universitetin Lille II – 1990) mbrojti tezat “Sistemi dhe politikat e sigurimit të Shqipërisë” dhe “Cështja shqiptare e Kosovës”. Ajo, cka asht e veçanta për t’u shenjue, kemi të bajmë me faktin tjetër të shqiptarisë së tij, pasi dhe gradën Doktor i Shkencave Politike e mbrojti me tezën “Dykrenarja e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare bashkëkohore” (në Universitetin Paris XI – 1992). 

    Patrice Najbor ishte gjithnji i përkushtuar në studimet shqiptare, vecmas për Monarkinë Shqiptare e Familjen Mbretërore Shqiptare. Ai, në vitin 2002, botoi veprën “Dinastia e Zogut” dhe, tevona, pas disa vitesh, më 2008, kryeveprën e tij në pesë vëllime në gjuhën frënge “Historia e Shqipërisë dhe e Familjes së saj Mbretërore 1443-2007”.  Ai do të deklaronte për këtë vepër të tij: ”…jam përpjekur të vendos të vërtetën historike duke paraqitur me objektivitet, veçanërisht në saje të burimeve të jashtme, faktet dhe personat të cilët nuk janë njohur deri tani nga historiografia shqiptare. Kështu unë në mënyrë modeste jam munduar të sjell një kontribut në rishikimin e Historisë së Shqipërisë”. Në këtë botim voluminoz ka një dokumentacion të pasun arkivor, me dokumente, foto, shifra, fakte, disa sish të publikueme për herë të parë dhe me interes kombëtar shqiptar. Miku im, Guxim Alimani, gazetar i njohur, përkthyes i frëngjishtes në Letrat Shqipe, një ndër botuesit e artikujve e studimeve të dr. Patrice Najbor te gazetat e Tiranës: “Atdheu” (Vitet ’90) e në “Dardania” (2002), në fjalët e tij ngushëlluese për dr. Patrice Najbor, shkruan se ai: “gjithë karrierën e tij ja kushtoi historisë tonë nacionale. Ai la pas vepra e studime të shumta kryesisht rreth Mbretit Zog dhe Familjes Mbretnore Shqiptare” (5 maj 2020).

    Dr. Patrice Najbor ka dhanë një kontribut të çmuar në veprimtari, institucione e forume ndërkombëtare me ligjëratat e tij (referate, kumtesa, etj), për Historinë e Shqipërisë, sidomos për Monarkinë Shqiptare e Familjen Mbretërore Shqiptare; për kontributin e madh të Shqiptarëve në Kohën e Zogut e gjatë Luftës së Dytë Botërore për Shpëtimin e Hebrenjve, etj. Ai ka marrë pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare për Monarkinë në Shqipëri, mbajtur në Tiranë, më 1 shtator 2008- në jubileun e 80-të të Monarkisë Zogiste, ku ishte një ndër kumtuesit, sëbashku me të tjerët:  akad. Beqir Meta (Tiranë), akad. Bernd Fisher (Londer), prof. dr. Bajram Xhafa – Shkodër (kryetar i Senatit të Akademisë Monarkiste Shqiptare), prof. Alberto Basciani i Universitetit të Romës (Itali), Jason Tomes (Angli), prof. Francesko Guida (Itali), prof. dr. Valentina Duka (Tiranë), prof. dr. Muharrem Dezhgiu e të tjerë. Kumtesa e dr. Najborit asht botue dhe në librin “Monarkia Shqiptare (1928-1939) të përgaditur nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Historisë, Tiranë, 2011.

    Dr. Patrice Najbor është një ndër historianët e huaj që e ka studiue, vlerësue, propogandue kontributin e Shqipërisë në Shpëtimin e Hebrenjëve gjatë Kohës së Zogut e Luftës së Dytë Botërore, si në botime e kumtime në Francë (2008, ’09, etj.), me ligjërata në shkurt 2010 në Universitetin Ndërkombëtar të Brukselit, më 13 shtator 2011 në Muzeun e Hebrenjëve në Bruksel, më 29 mars 2014 në Konferencen Shkencore “Shqiptarët dhe Hebrenjtë para e gjatë Luftës së Dytë Botëore” në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, etj.

    Dr. Patrice Nejbor ishte edhe Këshilltar i Lartë pranë Zyrës së Oborrit Mbretëror në Paris, që përfaqësues të saj ing. Skënder Xhelal Zogu – nip i Mbretit Zog I dhe komandant Hylli Spahija, kohë ma heret edhe Tati Kryeziu (1923-1994) që ishte shpallur me Dekret Mbretnuer, më 1931: “Princ i Kosovës” e të tjerë. Aq të afërt ishin ndërveti në shoqërinë e tyne, në punët e veprimtaritë e tyre, saqë kur i takonim në Tiranë ing. Skënderin e komandant Hyllin, i dvetnim se “ku/si asht dr. Patrice Najbor”. Pra, ai edhe kur nuk vinte ndonjëher në të rrallë, ishte i pranishëm në bisedat tona gjithëhere. Najborin francez ne e shihnim si Patrikun shqiptar.

    Dr. Patrice Najbor, prej vitit 2018, ishte dhe Antar i Jashtëm i Akademisë Monarkiste Shqiptare në Tiranë. Ishte Akademik i saj. Në veprimtarinë e saj, “Akademia e Cmimeve”, me 12 shkurt 2018, në sallen “Shpataraku” në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, u vlerësue me Cmimin e Nderit “Shën Jeronimi” për kontributet e tij studimore për veprat “Historia e Shqipërisë dhe e Familjes së saj Mbretërore 1443-2007”(2008) e “Dinastia Zogu” (2002) etj., po nuk ishte e mundur dhe as nuk paska qënë e shkruar që të ishte i pranishëm në një ditë gëzimi të tillë në Shqipëri, në “atdheun e tij të dytë”. 

    Dr. Patrice Najbor i Francës ishte plot shqiptari, i përkushtuem ndaj Shqipërisë Londineze, ndaj Kombit Shqiptar, i përjetonte dhimbjet e vuajtjet, krenaritë e lumturimet e Shqipërisë si të ishte një shqiptar i vërtetë. Jo thjeshtë me fjalë, po krejtësisht me vepra. Ai në vitet e para të pas Dhjetorit ’90, në ato fillime të Tranzicionit, ishte dhe një humanitar, një bajemirë. Vinte nga Franca në Shqipëri me ndihma për Popullin Shqiptar, atëherit kur nevojat jetike ishin tepër të mëdha, shumëfish emergjente. 

    Dr. Patrice Najbor edhe atëherit kur ndihej krejtësisht shqiptar ishte genetikisht terësisht francez, i tokës franceze, i kulturës franceze, sepse ai si albanolog francez punonte për Shqipërinë e Monarkinë, për Shqiptarët e Miqtë e tij Shqiptarë dhe Franca e Madhe Kontinentale dhe e Përtej Deteve e shihte e vlerësonte si të tillë: Si një francez i mirë që ban punë të mira për vende e kombe të tjerë, për Shqipërinë e Shqiptarët. Ia vlerësonte kontributet e tij me veprat e botuara në gjuhën frenge për Historinë e Shqipërisë e Familjen Mbretërore Shqiptare. Se Franca nuk do të ishte Francë sikur të mos kryente dhe vlerësime e nderime të këtilla për Francezët e Vet edhe kur rrezatonin kështu e kësisoj për të Tjerët. Ndaj me 4 gusht të 2009-tës dr. Patrce Najbor u nderue me “Medaljen e Argjendtë të Frankofonisë”. Dekoratë e merituar për një personalitet të nderuar.

    Kryeministri Sali Berisha, më 30 nëntor 2010, e ka mirëprit në zyrën e tij kryeministrore dr. Patrice Najbor dhe i ka shprehur atij vlerësime e nderime panshqiptare për kontributet e botimet e tij për Shqipërinë e Shqiptarët, për Kosovën, për artikujt e tij për Shpëtimin e Hebrenjëve nga Shqiptarët, etj. 

Dr. Patrice Najbor ishte për herë të fundit në Shqipëri në tetorin e 2016-tës, në 8 tetorin e Martesës Historike të Princit Leka II me Znj. Elia Zaharia (e kurorëzueme Princesha Elia), që përkonte dhe me ditëlindjen e Mbretit Zog I, që ishte një event kombëtar shqiptar. Ai kishte ardhur nga Franca sëbashku me miqtë e tij të përjetshëm: ing. Skënder Zogu dhe komandant Hylli Spahija, te dy “Oficer i Madh” i “Urdhrit të Skënderbeut”, të cilët ishin bashkë me zonjat e tyne të nderueme. Të nesërmen kisha një ndeje me dr. Patrice Najbor e miqtë e tij në Hotel “Rogner” në Tiranë. Pimë kafe. Bamë dhe foto. Pa e ditun se ishte takimi ynë i fundit. Duke e ditë se do të jetë i përjetshëm nderimi për veprimtarinë e tij me librat për Historinë e Shqipërisë.. Atë ditë të 9 tetorit 2016 ishte dhe në një Takim, në një Drekë Miqësore e Pune, me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, të cilin kanë pasë rast me e njoftun prej kaherit në Francë. Aty, në atë Takim, dr. Patrice Najbor, mori vlerësime për punët e tij studimore e botuese dhe nga Kryeministri i Shqipërisë.

    Mbreti Leka I e ka vlerësuar lart veprimtarinë studimore shkencore botuese të dr. Patrice Najbor duke e nderue me “Urdhrin Skënderbeu” të Klasit “Komandant” në 80-vjetorin e Mbretërisë Shqiptare (1928-1 shtator- 2008), bash në ditën kur në Tiranë, në Oborrin Mbretëror Shqiptar, u dekoruan me “Urdhrin Skënderbeu” të Klasit “Oficeri i Madh” edhe ing. Skënder Zogu – nip i Mbretit Zog dhe komandant Hylli Spahija- veprimtar i përjetshëm i Mbretërisë Shqiptare e besniktar i Familjes Mbretërore Shqiptare. 

E thashë dhe krye here se këta të tre i gjeje bashkë në angazhimet e udhëtimet e tyre, si plotësim e lartësim të njeri-tjetrit. Te dy, edhe ing. Skender Zogut, edhe komandant Hylli Spahija, kanë meritën e tyre të madhe se ditën e munden ta mbanin pranë e t’i jepnin Monarkisë Shqiptare e Shqipërisë Etnike një Patrice Najbor kaq shqiptar, që ka punue si ndër ma të mirët shqiptarë. Po edhe dr. Patrice Najbor ka meriten e tij të vecantë se diti e mundi ta ruajnë miqësinë e mirë me këta dy burra të lartë të Kombit Shqiptar, të cilët ishin si “dy krahët e tij” në sipërmarrjet, angazhimet e realizimet e tij për veprimtarinë botuese të librave të tij, sepse këta e njohën me Monarkinë, me figura të saj të Familjes Mbretërore Shqiptare (Mbreti Leka Zogu I, Nana Mbretneshë Geraldina e Shqiptarëve,  Mbretëresha Suzan e Shqiptarëve, Princ Leka II e Princesha Elia), me ngjarje, fakte, dokumenta, etj. 

Zyra e Oborrit Mbretëror në Francë dhe Oborri Mbretëror Shqiptar në Tiranë, Monarkia Shqiptare në shekuj, Dinastia Zogu, i dukeshin (e i mbetën) dr. Patrice Najborit si “Shtëpia e tij e Madhe”, ku kaloi një pjesë të jetës së tij, të cilëve ua kushtoi gjithë jetën e tij.