Ballina ED/OP NJOLLË E ZEZË MBI KOSOVËN – Shkruan: Shefqet DIBRANI

NJOLLË E ZEZË MBI KOSOVËN – Shkruan: Shefqet DIBRANI

 

Është kryesia e LDK-së e cila po vepron sikur të ishin “Kolonë e pestë”, me mision për të abuzuar sistemin demokratik në Kosovë.  Është pikërisht LDK-ja që ia bëri Kosovës edhe një  NJOLLË TË ZEZË, e cila nuk do të shlyhet kurrë, dhe për gjatë tërë historisë parlamentare të Kosovës do ta mbajë vulën e LDK-së. E kjo ka të bëjë me faktin se është shënuar rasti i vetëm në gjithë botën demokratike e diktatoriale, kur një parti politike, që ishte pjesë e kabinetit qeverisës, të rrëzojë Qeverinë e vendit të vet, madje tragjikisht e çmendurisht në kohë pandemie?! Pastaj kanë vazhduar shkelje strukturore e zinxhirore në të gjitha hallkat e sistemit, deri në mbledhjen e mbajtur në Kabinetin e Presidentit të Kosovës, me përfaqësuesit e partive politike, ku nuk janë përfillur e respektuar masat mbrojtëse të cilat i ka lëshuar Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Kombëtar në Kosovë.

Ky mentalitet kaq negativ, po reflektohet në të gjitha zhvillimet politike në Kosovë. Sot nga një kategori, po ndihmohet, po atakohet, po shpifet e intrigohet kudo dhe kurdo, në shtyp, në televizion, (tamam sikur të ishin mediume serbe që operojnë në gjuhën shqipe mbi hapësirën e Kosovës), por që janë shndërruar në mediume të neveritshme s’ka dyshim.

Fatkeqësisht në këtë degradim mediatik, janë involvuar edhe profesor universitar, të cilët qartë shihen se kanë probleme të shëndetit mental, gjë që do të ishte e domosdoshme, strukturat e universitetit, t’ua ndalonin rreptësishtë paraqitjen e mëtutjeshme para studentëve, veçmas e kam fjalën për atë kategorinë që i ka tejkaluar të gjitha normat etike e edukative të debatit televiziv. Jo pse po tregohen të njëanshëm, por arroganca dhe kërcënimet e tyre, frikësojnë studentët, pasi haptas po shprehin armiqësi me përmasa skizofrenike, duke mos u shqetësuar se si do të reflektoj kjo sjellje përpara studentëve, të cilët duhet të jene përzierje, regjionale, fetare dhe politike.

Fundja e fundit, nëse Kosova është në këtë gjendje, është edhe me fajin e analistëve dhe këshilltarëve politik, të cilët riciklohen nga debati në debat, nga njëri medium në tjetrin, nga një kabinet në tjetrin, sikur të ishin pjesë e “Kolonës së pestë”, për të bërë lëmsh e për të prodhuar kaos në Kosovë.

Çuditërisht vetëm në Kosovë po ndodhë që gazetat dhe televizionet ta kryqëzojnë intelektualin, te thërrasin për vrasje e linçime, edhe atëherë kur deklarohet në afekt. Aq më shqetësuese duket fakti kur shihet se udhëheqësi në TV, për të prodhuar skandal mediatik është në gjendje për ta kryqëzuar intervistuesin. E gjithë kjo bëhet në emër të fjalës së lirë, por dikush në emër të “fjalës së lirë”, po kryqëzohet pikërisht nga gazetarët, (rasti i Shkëlzen Gashit), në anën tjetër gazetarit që ishte në Mision dhe në atë Emision,  askund dhe askush nuk ia përmendi emrin. Kështu nuk ka vepruar as sistemi serb në Kosovë. Fundja e fundit këto media kanë raportuar edhe për “Babain e Drejtorit”, që po prodhon kriza dhe po iu bënë shantazh intelektualëve, se paska qenë viktimë e dhunës së ushtruar kundrejt tij, me akuzën se ai ishte strukturë e sistemit paraprak, prandaj ky çun i lazdruar nga milionat, për këtë arsye të ditura është dashur të sillej më i arsyeshëm. Se mbase edhe ne i dimë se libra e kush ka trilluar, kundër Luftës së UÇK-së?! Kurse tash në emër të “paqes së porositur”, pikërisht kjo kategori por prodhon skandale duke akuzuar të tjerët?!…

Nuk ka asnjë luftë çlirimtare që ka ndodhur në botë, e cila nuk i ka tejkaluar normat dhe ligjet e luftës, prandaj pse të përjashtohet vetëm Lufta e UÇK-së?! Pra, sikur të ishim më të mençur, dhe sikur të mos ishte në veprim “Kolona e pestë”, edhe ato raste që mund të ishin kualifikuar, do të amortizoheshin me dënime nga gjykatat,  sepse urrejtje masive nuk ka pas në vendin tonë. Gjatë luftës kanë qenë “tejkalime”, të cilat më shumë nga frika dhe tmerri në situata dramatike qenkan tejkaluar normat(?!). Në anën tjetër nuk ka vend demokratik, pra duke i përfshirë edhe vendet Ballkanike të përfshirë në konflikte e luftëra të armatosura, që menjëherë pas luftës, nuk i kanë themeluar gjykatat e tyre speciale, për t’i gjykuar ato raste që janë klasifikuar e kategorizuar si tejkalim i dispozitave ligjore, por siç shihet, dikush paska abuzuar në emër të një “pastërtie?!”, duke pasur mision për ta njollosur edhe luftën edhe paqen, por edhe duke rrezikuar demokracinë, të cilën e kemi ngatërruar me fajin tonë.

Qysh gjatë luftës së Kosovës, kam theksuar se “Serbia në këtë humbje të sigurt do të bënë përpjekje maksimale që së paku të ndikojë në orientimin politik të ardhshëm të shqiptarëve, të sforcohen vijat komuniste të përafërta me bindjet politike që synon në të ardhmen të ndjek Serbia”, (“Rilindja”, 10.04.1999), e në një shkrim tjetër të asaj kohe, kam shkruar se “Serbia e ka humbur Kosovën”, por ajo do t’i lë pas, dhe do t’i aktivizojë strukturat e sistemit paraprak, për të operuar në Kosovë, tamam sikurse të ishin “Kolonë e pestë”, për t’i shantazhuar proceset e ardhshme demokratike në Kosovë. Prandaj po flas si intelektual dhe njohës i këtyre zhvillimeve, se Shkëlzen Gashi, para 20 vitesh ishte fëmijë dhe nuk ka pasur mundësi të shpif dhe as të njollos Luftën e Pastër të UÇK-së. As nuk ka mundur për të hartuar raporte me akuza të rënda, prandaj nuk e ka pyetur askush Shkëlzen Gashi, “A është arrestuar babai i tij, … nga UÇK për shkak të dyshimeve se ka qenë spiun i UDB-së?”, pastaj ai nuk ka shpifur për “Gorillat e UÇK-së”, qysh më 20 shtator 1999, dua të them se s’ka pasur mundësi që mediat gjermane t’i besojnë një fëmije, por iu kanë besuar MISIONARËVE që për 20 vjet rresht, kanë shpifur e prodhuar akuza të sajuara në kuzhinat që po prodhojnë kriza në Kosovë. E keqja e kësaj afere është prodhuar për efekte politike ndaj Albin Kurtit, pa i llogaritur pasojat në kohën e pandemisë, që kanë ose do t’i bartin qytetarët e Kosovës?! E sikur ajo deklaratë të mos zmadhohej, a do të kishin shkruar shtypi në Serbi?! Që pastaj “Kolona e pestë”, t’i riciklonte ato deklarata për ta shantazhuar përsëri Kosovën në kohë pandemie?!

A nuk doli nga këto kuzhina edhe rasti i aferës me ato 1000 teste, që Ministri i Shëndetësisë i paska pranuar nga Serbia?! Dikush e tha, (por nuk e di sa ishte e saktë?), se pikërisht janë përfaqësuesit diplomatik amerikan, në Beograd dhe Prishtinë, që ia paskan sugjeruar këtë kontingjent, Ministrit Vitia, i cili edhe nëse nuk ka pasur nevojë, për t’i zbutur raportet me amerikanët është detyruar t’i pranojë. Por shtrohet pyetja sikur “Kolona e pestë”, që operon edhe mbi mediat ta kishte injoruar “ndihmën humanitare nga Serbia”, duke e heshtur dhe injoruar tërësisht këtë rast, a do të kishte pasur mundësi Serbia ta përdorte si gjest të humanizmit pranë organizatave botërore. E them jo, sepse në shumë raste, vet këto mediume, vet këta analist dhe politikan të papërgjegjshëm ia kanë bërë me dije Serbisë si do të duhej ajo me vepruar e çfarë duhet për të kërkuar.

Ta zëmë: A nuk e polli mendja e Baton Haxhiut për t’i falur krimet Serbisë, dhe vetëm dy a tri ditë më pas, pikërisht në TV Dukagjini, në emisionin Debat Plus, foli edhe për një “Racizëm të heshtur” që zhvillohet në Kosovë?! Pastaj le të merret gazetaria hulumtuese për të treguar se kush ishte i parë që tha se duhet për t’ia  falur ata 700 hektarë tokë,  Patrikanës në Deçan, dhe hapësira të tjera përreth kishave dhe manastireve, pasi toka përsëri mbetka në Kosovë. A nuk është ky Televizioni Ynë Publik, bashkë me ato private, pa përjashtim, që veriun e Mitrovicës e trajtonin si Mitrovicë Veriore?! Pastaj a nuk thanë analistët dhe politikanët tanë, se Kosova dashka t’iu falë territore Maqedonisë Veriore,  Malit të Zi e tash a nuk u tha nga politikanët me nam, dhe analistët tru tredhur, se edhe  Serbisë duhet t’i falim diçka se edhe ajo nuk po e pranuaka realitetin e ri që e solli Lufta e UÇK-së. Janë udhëheqësit televiziv, ata që e torturojnë zyrtarin shtetëror për t’i nxjerrë deklarata për koncesion e që u dashka Kosova t’i bëjë në favor të Serbisë. Prandaj mund të konstatojmë se Serbia nuk është aq e mençur, sa është i shkathet budallëllaku dhe çmenduria e atyre që si “Kolonë e pestë”, po tallen me fatin e Kosovës, madje duke nxitur urrejtjen kundër prezencës Amerikane në Kosovë, dhe për të krijuar sa më shumë përçarje edhe me aleatët e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian.

E kaluara komuniste në Kosovë, na tregon se pikërisht udbashët dhe strukturat e sistemit, (nga radhët e shqiptarëve), shtireshin herë si projugosllavë të mirë e herë si shqiptar patriot, madje kur nxeheshin kanë brohoritur edhe parulla patriotike, shumëfish ma të guximshme se ato që i thoshin, grupet në ilegalitet patriotik, e dhjetëra herë më shumë, se sa brohoritjet që vinin nga shtresa intelektuale dhe ajo akademike e cila në të gjitha etapat ka qenë përgjegjëse dhe e kujdesshme për veprimet e veta.

Edhe tashti po brohorasin RROFTË AMERIKA, ata që duan ta shkatërrojnë Kosovën, dhe çuditërisht gati të gjithë mbajnë emra patriotik që ua kanë vënë baballarët e tyre udbash e bashkëpunëtor ta zëmë: Arben, Arbër, Adrian, Arban, Shkëlzen, Baton, Bubullon, Veton, Murmuron, Perëndon, Valëvit, Flamur, Shqiponjë e Bilbil, madje deri te toponimet Shkodran, Butrint, Berat a ndonjë tjetër, por asnjëri sish nuk mbajnë emrat as Sorrë, as Korb e as Laraskë e ruana zot Nish ose Beograd?!

Në anën tjetër na janë të njohur edhe gazetarët dhe shkrimtarët e atij sistemi,  të cilët kanë qenë edhe kryeredaktor të Gazetës “Komunisti” , organ i LKK e LKJ-së, edhe drejtor të dhunshëm në gazeta e televizione, kurse poezia e tyre ishte tejet urbane dhe mjaftë patriotike. Vetëm në Kosovë ka ndodhur që në Akademinë e Shkencave të saj, të zgjidhen shkrimtar, (rasti i Sinan Hasanit),  romanet e të cilit dihet se si dhe kush i ka shkruar. Por askush nuk e thotë se historia nuk po përsëritet, si qenkan shkruar librat “shkencor?!”, të akademikut të ekonomisë, të cilët janë botuar nga “Preduzeća NOVIINVEST”, në të cilin është shkolluar Elita e tashme udhëheqëse e LDK-së, të cilët me shkelje të rënda statutare dhe demokratike janë katapultuar në udhëheqje të LDK-së. Kurse zgjedhja e një komunisti në krye të LDK-së, pa qenë kurrë më parë anëtarë i saj, jo në shtetet demokratike, por as në vendet post komuniste në tërë Evropës Lindore, nuk ka ndodhur një NJOLLË E ZEZË MBI DEMOKRACINË?!.

E njolla e radhës është tradhtia që iu bë votuesit, përballë të të cilit LDK-ja ka premtuar se kurrë nuk do të bëjë koalicion me Listën Serbe, se sa për partneritet as që bëhet fjalë. E njëjta gjë ndodhi me partnerin tjerë që thanë se sikur vëllezërit të më ngjalleshin nuk i kisha marrë ato 1000 teste nga Serbia, kurse tash u harruan Radoniqi e akuzat banale, madje duke anashkaluar edhe shumicën shqiptare në Parlamentin e Kosovës.

Kosova është futur në krizë të thellë, pikërisht nga një elitë që në kohë Pandemie ishte kundër vetvetes duke ia vënë një NJOLLË TË ZEZË KOSOVËS.  Prandaj e lusim Zotin ta shpëtojë Kosovën nga kjo “Kolonë”, që mbajnë emra patriotik?!

St. Gallen, 30.04.2020.