Tiranë, 30 Prill –Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu prezantoi planin e hapjes dhe lehtësimit të masave që do të hyjnë në fuqi që nga data 4 Maj.
“Jemi në një moment shumë të rëndësishëm dhe përcaktues për vijimin e situatës epidemike në vend. Nga vlerësimi i vazhdueshëm i të dhënave epidemiologjike, konstatohen ende vatra aktive infeksioni, në disa zona të vendit, ku po punohet intensivisht nëpërmjet testimit dhe gjurmimit agresiv të kontakteve. Strategjia e ri-ihapjes e hartuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, parashikon disa faza të lehtësimit të ngadaltë dhe të kujdesshëm të masave shtrënguese”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë ka njoftuar përfshirjen në “zona të gjelbërta” edhe të 18 bashkive të tjera në vend që konsiderohen më risk të ulët për përhapjen e infeksionit.
“Nga data 4 Maj do të përfshihen si zona të gjelbërta bashkitë: Tropojë,Rrogozinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vajgurore, Kucovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë Vlorë, Selenicë”, bëri të ditur Manastirliu.
Duke theksuar se ky vendim është marrë në përputhje me ecurinë e kurbës epidemiologjike dhe indikatorëve të sistemit shëndetësor si dhe duke u bazuar në nivelet e riskut, Manastirliu tha se “zonat e gjelbërta” do të kenë të njëjtat rregulla të lëvizjes dhe fashave orare tashmë të percaktuara për këto zona.
Duke bërë të ditur se duke filluar nga data 4 maj do të lejohet shërbimi taksi deri dy pasagjerë familjarë për udhëtimet ndërqytetase, Manastirliu njoftoi dhe vendimin e ri për kryerjen e karantinës për personat e riatdhesuar.
“Duke filluar nga data 4 Maj, personat që do të riatdhesohen dhe që janë me banim në zonat e kuqe do të vetëkarantinohen në banesë me kushte strikte dhe nën monitorim të rreptë. Ndërsa të riatdhesuarit që banojnë në zonat jeshile do të vijojnë karantinën në strukturat akomoduese të percaktuara” tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në vijim të prezantimit të strategjisë së rihapjes graduale ka deklaruar se prej datës 11 Maj do të lehtësohen një grup tjetër biznesesh, siç janë parukeritë, berberë, dentistë dhe dyqane në qendra tregtare, të cilat do të hapen me protokolle rigoroze sigurie.
“Në planin tonë të dy javëve që do të pasojnë, duke filluar nga data 11 Maj e në vijim, planifikojme të vijojmë me disa lehtësime masash, por me protokolle rigoroze sigurie për një grup tjetër biznesesh, siç janë parukeritë, berberë, dentistë dhe dyqane në qendra tregtare. Nga java që nis do të njihen me protokollet specifike, dhe do duhet që këto subjekte të marrin masa për organizimin e shërbimit me kushtet e reja”, tha Manastirliu.
Manastirliu tha se duke vlerësuar situatën dhe të dhënat sipas draft-planit, nga 18 maji e në vazhdim do të vlerësohet hapja e njësive të shërbimit si bare dhe restorante, vetëm për mjediset e hapura.
“Në vijim të draft-planit, dhe e përsëris draft-plan pasi do të vlerësohet situata në dinamikë, nëse të dhënat do të jenë të qëndrueshme, bazuar në kriteret e përcaktuara nga ekspertët, nga 18 Maji e në vijim, sipas disa hapave të mëtejshëm, do të vlerësojmë dhe hapjen e njësive të shërbimit, bare e restorante, vetëm për mjediset e hapura sipas protokolleve të ruajtjes së distancës dhe kushteve higjeno-sanitare”, tha Manastirliu.
Gjatë prezanimi të planit të ri-hapjes Manastirliu konfirmoi se kufizimet në këtë plan do të vijojnë për aktivitetet sportive, kulturore e sociale, grumbullimet me më shumë se 5 persona dhe që konsiderohen me risk të lartë.