Ballina Personazh NJË MINISTËR SI RAMË LIKAJ! – Nga Rasim SELMANAJ

NJË MINISTËR SI RAMË LIKAJ! – Nga Rasim SELMANAJ

 

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës unanimisht e ka propozuar për Ministër të Arsimit të Republikës së Kosovës, prof. Dr. Ramë Likajn, njeriun e duhur, kur arsimi kosovar, edhe në këtë kohë pandemie po përballët me vështirësi të mëdha, jo vetëm teknike.
Profesor Ramë Likajn e njoh nga vitet ’90-të, kur ishte student në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës. Atë kohë, duke qenë se isha drejtues i revistës “Zgjimi”, rreth kësaj reviste bashkoheshin shumë të rinj të suksesshëm fushash të ndryshme.
Ramë Likaj ishte njëri ndër ta, Student i dalluar, mbase ndër të vetmit me të gjitha dhjeta. Dhe, për ta ruajtur një mesatare të tillë, në atë kohë dhe në atë drejtim, ata që kanë kaluar nëpër filtra profesionalë e arsimorë, e dinë se çfarë do të thotë kjo. Po ashtu, edhe në aktivitete kulturore e arsimore, që mbaheshin në kuadër të iniciativave të atëhershme rinore, Ramë Likaj, me rezultatet dhe modestinë e tij, ishte shndërruar në model për të rinj, si studiues i zellshëm, por që e mbanin mend edhe si ish-nxënës të shkëlqyeshëm, me shumë shpërblime qoftë brenda shkolle, ku kreu shkollimin e mesëm, por edhe jashtë saj, pra në nivel nacional.

Po kush është në të vërtetë, Ramë Likaj?
Likaj u lind më 24 mars 1971, në Deçan, aty ku kreu shkollimin e fillor dhe të mesëm. Ai ndoqi studimet universitare në tri shkallë, si: studimet themelore, magjistraturën dhe doktoraturën në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës. Për sukses të dalluar në studime ka fituar bursën “student i dalluar”.
Likaj, në Universitetin e Prishtinës punon për 26 vjet radhazi, konkretisht në Departamentin e Mekatronikës të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike. Ai, po ashtu ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore dhe projekte ndërkombëtare, ndërsa ka të publikuara si autor dhe ko-autor dhjetëra punime shkencore dhe tekste universitare, e dispensa. Gjithashtu ka të publikuara dhjetëra hulumtime e raporte në fushën e arsimit.
Gjatë karrierës së tij akademike ka kryer disa specializime në fushën profesionale dhe të mësimdhënies, si në Gjermani, Itali, Austri, Kroaci, Slloveni etj., dhe ka marrë pjesë dhe përfaqësuar Kosovën në shumë konferenca e punëtori ndërkombëtare.
Që nga viti 1999. Likaj ka punuar në projekte ndërkombëtare në Kosovë dhe regjionin e Ballkanit, që lidhen me fushën e arsimit dhe aftësimit profesional për organizatat siç janë: Komisioni Evropian, European Training Foundation, GIZ, LuxDevelopment, KfW, WUS Austria, Kulturkontakt etj.
Duke qenë i provuar në fushën profesionale, dhe njeri me integritet të lartë, Likaj, gjatë karrierës së tij akademike ka kryer edhe këto detyra, si: Kryetar i Bordit të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, 2015-2016, Kryetar i Këshillit për Arsim dhe Aftësim Profesional, 2015, Koordinator i Republikës së Kosovës për vlerësimin PISA 2016, Koordinator i Kosovës për Procesin e Torinos, 2015-2016, Koordinator i MASHT-it për vlerësimin e Planit Strategjik të Arsimit 2011-2016, Koordinator i MASHT-it për Zhvillimin e Planit Strategjik të Arsimit 2017-2021, anëtar i Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, anëtar i rrjetit të Evropës Juglindore për trajnimin e arsimtarëve dhe trajnerëve të arsimit dhe aftësimit profesional, që nga viti 2003, Torino, Itali, pjesë e grupit punues për hartimin e planit Zhvillimor Qeveritar 2017-2021.
Përveç këtyre, Likaj, duke qenë ekspert i arsimit, ishte edhe pjesë e Këshillit për Arsim dhe Aftësim Profesional për dy mandate, MASHT 2006-2017, anëtar dhe Kryesues i Paneleve të ekspertëve për Validim të Kualifikimeve dhe Akreditim të Institucioneve, Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, Këshilltar i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë 2015-2017, Këshilltar për Arsim i Kryeministrit të Kosovës Z.Ramush Haradinaj, 2018-2019 etj.
Prandaj, ata që e njohin për së afërmi Prof. Ramë Likajn, si miq, kolegë, mësimdhënës, studentë, njerëz të profilit të tij akademik, e dinë mirëfilli se ai është njeriu më adekuat për Ministër të Arsimit. Janë të kota vuvezelet e politikës, kinse në emër të “ekspertizës”, që mundohen kuluareve ta etiketojnë karrierën profesionale dhe intelektuale të Ramë Likajt.
Për të vlerësuar atë, të paktën do të duhej, që secili të kalojë nëpër të gjithë filtrat profesionalë, pastaj të nxjerrë kuadro mbi dy dekada, si bëri ai, e që në fushën përkatëse janë të dëshmuar fort e mirë, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.
Prandaj, një ministër si Ramë Likaj, do t’i bënte nder jo vetëm institucioneve, Qeverisë së Kosovës, por gjithë arsimit kosovar.
Arsimi është fushë që nuk mjafton vetëm të jesh i orientuar kombëtarisht.
Arsimi është fushë që nuk mjafton vetëm të jesh i mirë profesionalisht.
Prof. Ramë Likaj i ka të dyja!
RS