Ballina ED/OP KUSH DUHET TË FLASIN PËR HIJET E SË KALUARËS SONË? – Nga...

KUSH DUHET TË FLASIN PËR HIJET E SË KALUARËS SONË? – Nga Mehmet PRISHTINA

 

Pse Kosova si shoqëri dhe si shtet, me plot universitete e me akademi shkence, me intelektualë e shkencëtarë, nuk arriti deri më tani të ndërtojë një diskurs të pranueshëm mbi një pjesë të së  kaluarës së saj e cila i ka dritë-hijet veta. Sa kilometra tela çiftelie u këputën e sa patetizëm folklorik u derdh nëpër vargje këngësh e nëpër përmendore dhe sa pak guxim qytetar për të  folur për hijet e së kaluarës sonë!

Një ish këshilltar i Kryeministrit në detyrë rizgjoi një temë të fjetur, në një kohë kur të gjithë jemi të fokusuar në parandalimin e përhapjes së pandemisë së virusit korona. Vetë fakti se ai dhe ngjashëm si ai nuk do të mund të ushtrojnë funksione publike e zyrtare, duke hapur tema të cilat janë kompetencë kryekëput e organeve të drejtësisë, por edhe e institucioneve kredibile shkencore e profesionale, flet për ndjeshmërinë e materieve të tilla.
Kosova është ende larg të qenit një shoqëri e përgatitur për të debatuar edhe për anët e errëta të së kaluarës së saj. Dhe më së paku këtë debat mund ta bëjnë individë të caktuar të cilët flasin nga pozita zyrtare, pa mbajtur llogari se një diskurs i tillë mund të përhapë më tepër konfuzitet në opinion, se sa ndonjë qartësi të nevojshme.
Jo se temat e tilla duhet të mbeten përgjithmonë tabu, por qasja ndaj tyre duhet të ketë për bazë disa kritere: e para, duhet ta ketë kriterin e objektivitetit dhe paanshmërisë
; pastaj, duhet ta ketë kriterin e distancës kohore, si domosdoshmëri për të gjykuar drejt e pa emocione mbi ngjarje e individë nga e kaluara jonë jo shumë e largëtkriteri i tretë,  që në asnjë mënyrë të mos bëhet barazimi në mes të uniformës së UÇK-së dhe individëve të papërgjegjshëm që në emër të asaj uniforme kanë mundur të bëjnë veprime të gabuara dhe kriteri i katër –  jo pak më i rëndësishëm se të tjerët – që në asnjë mënyrë nuk guxojmë të barazojmë kriminelin dhe viktimën, ose të mos barazohen krimet dhe barbaritë serbe kundër popullatës së pambrojtur shqiptare me veprimet e caktuara jo humane të individëve shqiptarë ndaj civilëve serbë, gjatë dhe (sidomos) pas luftës.

Tani shtrohet një pyetje fundamentale dhe tepër e qenësishme: Kur Kosova do të arrijë t’i përmbush këto kritere që të jemi të kënaqur me trajtimin e temës për të cilën po flasim? Pra, në radhë të parë te ne mungon edhe objektivititeti, edhe distanca e duhur kohore por edhe vullneti dhe gatishmëria politike për të nxjerrë nga errësira çështje të cilat nuk na bëjnë nder si popull.

Nëse shtypi i huaj, po flasim për ato media që kanë pasur burime relevante e kredibile, por në asnjë mënyrë Raportin kontraverz të Dik Martyt dhe Librin problematik të Carla del Pontes, që flasin për zhdukje misterioze njerëzish në periudhën e luftës dhe pasluftës, ndër ta edhe plot shqiptarë e serbë, përfshi edhe vrasjet e  pasqaruara të pasluftës, atëherë është tepër e logjikshme të shtrojmë një pyetje kruciale: Kush do të na i ndriçojë këto ngjarje, nëse jo ne si shoqëri?

Pse Kosova si shoqëri dhe si shtet, me plot universitete e me akademi shkence, me intelektualë e shkencëtarë, nuk arriti deri më tani të ndërtojë një diskurs të pranueshëm mbi një pjesë të së  kaluarës së saj e cila i ka dritë-hijet veta. Sa kilometra tela çiftelie u këputën e sa patetizëm folklorik u derdh nëpër vargje këngësh e nëpër përmendore dhe sa pak guxim qytetar për të  folur për hijet e së kaluarës sonë!

Prandaj na duken të pazakonta deklaratat e individëve të caktuar, siç ishte rasti me ish-këshilltarin e Kryeministrit në detyrë, të cilët mundohen të luajnë edhe rolin e avokatit edhe të gjykatësit, edhe rolin e aktivistit të shoqërisë civile edhe të zyrtarit shtetëror, të cilët nuk dinë të diferencojnë individin nga uniforma dhe, ajo çka është më skandaloze,  insinuatat për krimet e  pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së të bazohen në raportin kontraverz të ish-deputeti zviceran Dik Marti, të cilin e diskualifikoi si të pabazë para disa viteve një prokuror amerikan që vizitoi Kosovën.

Sikur Kosova ta kishte një sistem drejtësie plotësisht të pavarur, nuk do të ndodhte që Gjykata Speciale të veprojë jashtë vendit. Sigurisht që politikanët e dinë përgjigjen e kësaj anomalie, sepse ata ka qenë dashur të krijojnë kushte sigurie për dëshmitarët e mbrojtur dhe ata ka qenë dashur të ndërtojnë një legjislacion i cili do të garantonte drejtësi të paanshme e objektive.

Tani çdo kush që flet për krimet e pretenduara në të kaluarën, duke i anashkaluar argumentet e mësipërme, ose është i motivuar për të nxitë përçarje brendashqiptare, ose krejt këtë aventurë e bën për të ndërtuar një diskurs që ka për qëllim relativizmin e rolit dhe kontributit të UÇK-së në çlirimin e Kosovës.

Në një kohë kur politika antihumane e destruktive serbe ka punuar me të madhe në fshehjen e krimeve të bëra ndaj shqiptarëve, ku si rrjedhojë ende nuk dihet fati i 1653 të pagjeturve, për shkak të mungesës së informacioneve për vendndodhjen e varrezave ilegale në kohën e luftës, Kosova si shtet dhe si shoqëri ende ndodhet larg një katarsisi kolektiv moral për të folur më me guxim për krimet me autorësi shqiptare dhe viktimat me autorësi serbe. Kjo edhe për faktin se  Serbia nuk ka treguar vullnet politik për t’i ndjekur kriminelët e luftës në radhët e veta dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë, si dhe për të hapur arkivat ushtarake dhe policore e të tjera. Në anën tjetër, ka munguar edhe presioni i bashkësisë ndërkombëtare në institucionet serbe për të siguruar informata për vendndodhjen e varrezave ilegale si përpjekje për fshehjen e gjurmëve të krimeve në masakrat që kanë ndodhur gjithandej Kosovës ndaj popullatës shqiptare civile të pambrojtur, por edhe vullneti i mjaftueshëm i klasës politike të Kosovës, tash e 20 vite, në targetimin e krimeve serbe në tryezat e bisedimeve.

Nëse të kaluarën e krahasojmë me një retrovizor, atëherë lirisht mund të themi se edhe Kosova do ta ketë vështirë ta shohë të ardhmen nëse nuk e pastron retrovizorin nga njollat e individëve të papërgjegjshëm. Dhe këtë mund ta bëjnë vetëm politikanët e moralshëm e objektiv që nuk sakrifikojnë kursin e drejt të udhëtimit për hir të hatërmbetjeve dhe subjektivizmave të natyrave të ndryshme.