Pandemia globale si pasojë e virusit korona ka përfshi edhe viset shqiptare në Malësi. Edhe këtu u zbatuan rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë që të ndërmerren masa parandaluese ndaj përhapjes së kësaj pandemie dhe për rrjedhojë komuna e Tuzi shpalli futjen në karantinë të banorëve të saj.
Mediat lokale kanë raportuar se banorët e komunës së Tuzit u gjendën tepër të papërgatitur ndaj masave që i shpalli komuna dhe qeveria qendrore e Podgoricës. Ata ankohen se karantina u shpall pa ndonjë paralajmërim të duhur dhe kjo shkaktoi jo vetëm trauma, por edhe probleme të shumta që ndërlidheshin me jetën e përditshme të qytetarëve, duke filluar nga furnizimi me ushqime e deri te shërbimet e domosdoshme mjekësore, përfshi edhe blerjen e medikamenteve.
Pas katër javësh izolimi total Këshilli Nacional për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në Mal të Zi zbuti masat e izolimit për qytetarët e Komunës së Tuzit, të cilat ishin vendosur nga data 24 mars. Të rikujtojmë që në Tuz u zbuluan shumë raste të infektuar me koronavirus dhe Qeveria e Malit të Zi pas tyre imponoi një bllokim të plotë të komunës së Tuzit me qëllim të mospërhapjes së virusit. Masat e ndërmarra nga Trupi Koordinues Nacional kanë dhënë rezultatet e duhura pasi që në Malësi nuk ka pasur raste të shumta të prekur me koronavirus. Vendimi për lehtësimin e masave është përshëndetur nga banorët e komunës së Tuzit pasi kjo është periudha ku shumica e banorëve të malësisë janë të angazhuar në punët rreth prodhimeve bujqësore që janë jetike për këtë rajon. Prodhuesve bujqësorë u lejohet lëvizja nga ora 05:00 deri në orën 20:00 për të punuar në tokat e tyre, duke respektuar masat mbrojtëse dhe distancën fizike. Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, apelon tek qytetarët që të respektojnë maksimalisht masat lehtësuese “Kur kemi respektuar tash tre javë masat e karantinës, besoj se e kemi më lehtë që t’i respektojmë këto masa më lehtësuese vetëm një javë! Nëse këto i respektojmë atëherë nga java tjetër do të lirohemi pothuajse në tërësi”, ka thënë Gjeloshaj.
Kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj i ka kërkuar kryeministrit Dushko Markoviq të sigurojë një paketë të veçantë masash për të ndihmuar bujqit dhe biznesmenët e Malësisë. Në një letër që Gjeloshaj i dërgoi Kryeministrit, thekson se Komuna e Tuzit ka pasur masa rigoroze për shkak të epidemisë dhe se është e nevojshme të zbuten humbjet. “Karantina në komunën e Tuzit ka një ndikim të madh në bujqësi dhe ekonomi në tërësi. Asnjë firmë në komunën e Tuzit me karakter të veçantë vendor nuk ka funksionuar, kështu që jemi të vetëdijshëm se do të ketë ndikim të keq në të gjitha bizneset vendore, veçanërisht duke pasur parasysh që shumica e firmave i përkasin bizneseve të vogla që janë në prag të mbijetesës në këtë situatë “, thuhet në letër. Gjeloshaj sugjeron që për komunën e Tuzit, për shkak të masave rigoroze, së bashku të hartojnë modelin më të mirë të mundshëm për të lehtësuar pasojat e bllokadës totale të ekonomisë së Komunës së Tuzit. Prandaj, ne propozojmë që një paketë e veçantë e masave mbështetëse të hartohet për komunën e Tuzit, si për ekonominë ashtu edhe për bujqësinë. Komuna e Tuzit do të ishte në dispozicionin tuaj me të gjitha kapacitetet e saj ”, thuhet në letër.
Nga Tuzi raportohet se tash më janë shëruar 30 veta të prekur nga virusi korona dhe pritet që edhe 7 raste të tjerë të kalojnë shërimin me sukses.
Kjo pandemi sigurisht që do të kalojë, por nuk do të kalojë shpejt shija e hidhur që erdhi nga mungesa e solidaritetit brendashqiptar. Qeveritë e Kosovës, të Shqipërisë por edhe faktorët politikë shqiptarë në Shkup e Tetovë, kësaj radhe treguan një mungesë totale të sensit për të ndihmuar shqiptarët e Malësisë, të cilët këto ditë të izolimit i kaluan në kushte jashtëzakonisht të vështira. Shqiptarët e kësaj treve kjanë tepër të revoltuar nga këta faktorë politikë e institucional në Prishtinë, Tiranë e Shkup, të cilët nuk shprehën as interesimin minimal për gjendjen shëndetësore të bashkëkombësve të tyre në Malësi.
Secili e ka të qartë se në këto kushte pandemie, menaxhimi i situatës kërkon vëmendje dhe resurse të mëdha njerëzore, teknike e njerëzore. Pra është më se e qartë se edhe shteti i Kosovës, i Shqipërisë por edhe faktorët institucional e politik në Maqedoninë e Veriut, e kanë pasur prioritet dhe vazhdojnë ta kenë betejën e çdoditshme me Covid-19 dhe kjo betejë sa është e vështirë, po aq është edhe mjaft komplekse.
Prandaj shqiptarët e Malësisë nuk kërkojnë që qeveritarët shqiptarë në Prishtinë, Tiranë e Shkup t’i anashkalojnë prioritet e tyre, por në anën tjetër ua zënë shumë për të madhe sidomos qeverive në Prishtinë dhe Tiranë, që deri më tani nuk shprehën të paktën një interesim minimal për krizën shëndetësore nëpër të cilën po kalon Malësia.
Me këtë rast shqiptarët e kësaj ane u janë shumë mirënjohës mërgimtarëve tanë në SHBA, të cilët edhe pse ishin të prekur edhe ata nga pandemia, megjithatë, gjetën forma e mënyra t’i ndihmojnë bashkëkombësit e tyre në vendlindje.