Ballina ED/OP Kushtetuesja të veprojë me urgjencë në zgjidhjen e krizës institucionale! – Shkruan:...

Kushtetuesja të veprojë me urgjencë në zgjidhjen e krizës institucionale! – Shkruan: Florim Zeqa

 

Kushtetuta e Kosovës e hartuar nga të huajt, e shkruar nga vendorët duke kopjuar nene dhe ligje nga kushtetutat e vendeve të ndryshme evro-perëndimore nuk po mund e gjenë zbatimin e duhur në praktikë.

Siq dihet Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën. Ajo siguron funksionalitetin e institucioneve të vendit në pajtim me Kushtetutën dhe garanton mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive individuale të garantuara me Kushtetutë.
Vakumet ligjore në kushtetutën tonë, përveq interpretimeve të shumëfishta po lënë hapësirë të manipulimit nga politikanët e papërgjegjshëm kosovarë.
Për të vërtetuar vakumet ligjore që ekzistojnë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për lexuesit, nga kushtetuta i kam shkëputur disa nga nenet dhe pikat më të kontestuara ditëve të fundit nga politikanët dhe jo vetëm.

Neni 82 [Shpërndarja e Kuvendit]

2. Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.

Neni 84 [Kompetencat e Presidentit]

(14) cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit;

Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]

1. Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]

5. Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.

Neni 100 [Mocioni i Votëbesimit]

1. Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë mund të ngrihet me propozimin e një të tretës (1/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

6. Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje.

Neni 112 [Parimet e Përgjithshme]

1. Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.

2. Gjykata Kushtetuese është plotësisht e pavarur në kryerjen e përgjegjësive të saj.

Siq shihet rrëmujën më të madhe e kanë shkaktuar vakumet ligjore në këto nene të kushtetutës; Neni 82, pika 2, Neni 95, pika 5, në të cilin nuk përfshihen fare afatet kohore si dhe Neni 100, pika 6, ku mungojnë qartësitë ligjore në procedimin e zgjedhjes së qeverisë së re pas mocionit në kuvend.

Kërkohet ndërhyrje urgjente e Gjykatës Kushtetuese

Në këtë rast, është e pashmangshme ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese. Situata e krijuar pas mocionit të votëbesimit ndaj ‘Qeverisë Kurti’ me 25 mars 2020, e shtron nevojën e ndërhyrjes së mënjershme të Gjykatës Kushtetuese, për të qartësuar rrugën ligjore për formimin e qeverisë së re, për t’i dhënë epiog ligjor krizës institucionale të krijuar pas shkarkimit të qeverisë.
Gjykata Kushtetuese e ka për obligim, që sa më parë të qartësoj situatën konfliktuoze mes kryeministrit dhe presidentit, gjegjësisht të qartësojë kompetencat e kryeministrit në detyrë dhe mënyrën e zgjedhjes së qeverisë së re pas mocionit të suksesshëm në kuvend.
Gjykata Kushtetuese le të na tregojë të gjithëve, por në radhë të parë Albin Kurtit, se a ka të drejtë në këmbëngulsinë e tij për ta quar vendin në zgjedhje në situatën kur partia fituese e zgjedhjeve (LVV) ka mbetur pakicë në Kuvend, apo, a ka të drejtë presidenti Thaçi t’ia jepë të drejtën shumicës prlamentare në kuvned që ta zgjedhë qeverinë e re pa shkuar vendi në zgjedhje!?
E nderuara kryetare e gjykatës, zonja Arta Rama-Hajrizi, të nderuar gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, ju gardian të parë të kushtetutës së vendit, jam i bindur që edhe ju, sikurse ne, jeni duke i përcjellur me vëmendje zhvillimet politike në vend pas shkarkimit të qeverisë.
Partia fituese e zgjedhjeve (LVV) po ngulë këmbë në të drejtën e saj për ta quar vendin në zgjedhje, ndërsa partitë tjera në emër të shumicës në kuvend po duan ta e bëjnë të kundërtën e saj, duke e formuar qeverinë e re nga shumica parlamentare në Kuvend!
Meqë e kemi një kushtetutë, duhet ta kemi vetëm një zgjidhje ligjore, e jo dy siq po na ofrohen nga liderët shtetërorë.
Edhe pse fillimi i një procedure në Gjykatën Kushtetuese bëhet vetëm pas parashtrimit të kërkesës me shkrim në gjykatë nga personi fizik siq thuhet në kushtetutë, Gjykata Kushtetuese pa humbur kohë dhe pa respektuar “rregullat burokratike” duhet të jepë sqarimet e duhura për dalje nga kriza institucionale, për shkak se vonesat në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e qeverisë së re pas mocionit në kuvend, mund të shkaktojë situata të paparashikuara konfliktuoze me pasoja zinxhiorore për vendin tonë.

25.04.2020