Ballina Aktualitet Koronavirus, BE i dhuron Shqipërisë materiale kontrolli për testimet

Koronavirus, BE i dhuron Shqipërisë materiale kontrolli për testimet

 

Në Shqipëri, Bashkimi Europian i dhuroi Institutit të Shëndetit Publik mostra materialesh kontrolli të testimit për COVID-19. “Materiali kontrollues i krijuar së fundmi po përdoret nga laboratorët në BE për të kontrolluar funksionimin e saktë të testeve të koronavirusit. Kompletet e dhuruara për Shqipërinë do të mundësojnë një saktësi të shtuar për deri në 20.000 komplete testimi COVID-19. Kompletet janë thelbësore për të shmangur rezultatet e rreme negative të testimit dhe veçanërisht të rëndësishme në një moment kur autoritetet publike po shqyrtojnë zbutjen e disa kufizimeve të lirisë së lëvizjes”, shpjegoi zyra e Bashkimit Europian në Tiranë

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, theksoi se “Komisioni Evropian iu kundërvu sfidave globale të paraqitura nga pandemia e koronavirusit me një paketë reagimi mjaft ambicioze prej më shumë se 15.6 miliardë Eurosh. Ndërsa Bashkimi Evropian po bën çmos për t’i mbështetur qytetarët e tij, është gjithashtu detyra jonë të ndihmojmë partnerët dhe miqtë tanë. Ndikimi te partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor ka të ngjarë të jetë dramatik. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku me autoritetet shqiptare për t’i trajtuar këto sfida të përbashkëta”.

Bashkimi Evropian po e mbështet Shqipërinë me 50 milionë Euro për të luftuar COVID-19. “Aktualisht janë kontraktuar 4 milionë Euro për furnizimin me pajisje mjekësore për shpëtimin e menjëhershëm të jetës. BE-ja po bashkëpunon me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit (UNOPS) në mënyrë që kjo mbështetje të sigurojë artikujt e nevojshëm sa më shpejt të jetë e mundur. Artikujt përfshijnë ventilatorë, ambulanca, aparatura portative për ekzaminime me rreze X, shtretër për Njësitë e Kujdesit Intensiv, materiale mbrojtëse për punonjësit e kujdesit shëndetësor”, vuri në dukje zyra e BE-së në Tiranë, sipas së cilës “BE-ja do të sigurojë gjithashtu 46.7 milionë Euro për të mbështetur rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike. Në nivelin makro-ekonomik, Shqipërisë do t’i vihet në dispozicion një shumë shtesë prej 180 milionë Eurosh në formën e huave shumë të favorshme. Qëllimi i këtyre fondeve është të kontribuojnë për forcimin e stabilitetit makro-ekonomik për të mundësuar kanalizimin e burimeve drejt mbrojtjes së qytetarëve dhe zbutjes së pasojave të COVID-19”.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, janë përjashtuar gjithashtu nga autorizimi për eksport për pajisje mbrojtëse personale . Rajoni, përfshirë Shqipërinë, është përfshirë në nismat e BE-së siç janë Marrëveshja e Përbashkët e Prokurimit për pajisje mjekësoredhe sistemi evropian i alarmit të shpejtë për sëmundjet ngjitëse.

Përveç mbështetjes së konsiderueshme të BE-së, edhe vende të tjera i kanë ofruar ndihmë Shqipërisë në përballjen e saj me epideminë. Shtetet e Bashkuara po ashtu, pak javë më parë njoftuan miratimin e fondeve shtesë për Shqipërinë në ndihmë të luftës kundër pandemisë COVID-19. Këto fonde do të vazhdojnë ndihmën në pajisjen e laboratorëve, rritjen e mundësive të zbulimit dhe gjurmimit të rasteve pozitive, përgatitjen e stafit laboratorik për të reaguar, përmirësimin e komunikimit të rreziqeve e më shumë. Ndihma janë dhënë dhe me pajisje mbrojtëse.

Mbështetje ndaj autoriteteve shëndetësore janë ofruar dhe nga kompani amerikane që kanë aktivitet në Shqipëri e që janë pjesë e Dhomës amerikane të Tregtisë. Pas Coca-Colës që ofroi pak javë më parë afro 55 mijë dollarë, të premten Banka amerikane e Investimeve, ABI Bank, i dhuroi ministrisë së Shëndetësisë tre pajisje respiratore për terapi intensive. ” Këto pajisje respiratore që dhurojmë sot do të lehtësojnë punën e këtyre mjekëve dhe infermierëve dhe do ndihmojnë në misionin fisnik të shpëtimit të jetëve të gjithë popullit shqiptar”, deklaroi Drejtoresha e Divizionit Ligjor dhe Përputhshmërisë në ABI Bank, Vilsa Lika. Ndërsa për zëvendës ministren e Shëndetësisë Mira Rakacolli bëhet fjalë për “një kontribut që do t’i vlejë gjatë sistemit shëndetësor publik, jo vetëm për përballimin e kësaj situate emergjente”.