Vendimi qeveritar që detyrimisht të mbahen maska, ngjalli debat në publik se pse në të njëjtën masë nuk hyri edhe mbajtja e dorezave, pasi në fillim të paraqitjes së virusit Covid-19, u tha se ai përcillet me të prekur.
Për këtë, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe sqaroi se maskat duhet të mbahen për t’u mbrojtur nga personat asimptomatik.
“Tash është e qartë se ka bartës të virusit e që janë asimptomatik. Si edhe shumë shtete në botë, ashtu edhe ne, e kemi zbatuar të njëjtën masë si një politikë e jona. Konsiderojmë se tash në këtë fazë, pas shumë njohurive nga periudha paraprake, konsiderojmë se kjo masë është e detyrueshme”, tha Filipçe.
Ndërkaq në lidhje me atë se pse nuk u bënë të detyrueshme edhe dorezat, ai tha:
“Nëse kemi kujdes gjatë manipulimit rreth gojës dhe hundës dhe me maskën, dhe nëse shpesh lahen duart për 20 sekonda, konsideroj se dorezat aspak nuk janë të nevojshme, për shkak se edhe dorezat kur mbahen në mënyrë të pakujdesshme, me to preket goja, hunda apo maska, mund të sjellë deri te transmetimi i virusit”, tha Filipçe.
Përndryshe, në Maqedoninë e Veriut mbajtja e maskave tashmë është e detyrueshme. Deri në fillim të majit do të vijojnë vërejtje, ndërkaq prej majit të gjithë qytetarët që nuk do të shihen me maska, do të gjobiten.