Ballina Ravijëzime Ndryshimi do ndodhë. Çështja është, në interes të cilës klasë, cilit grup...

Ndryshimi do ndodhë. Çështja është, në interes të cilës klasë, cilit grup shoqëror – Meditim në karantinë nga Gani ELEZI

 

Massimiliano Santarossa, shkrimtar, filozof italian, në një shkrim të tij, spjegon pse postcovid-19 do jetë një botë ndryshe.

Së pari, kjo pandemi na bëri të kuptojmë brishtësinë, pafuqinë e sistemit, të shoqërisë sonë përballë fenomeneve natyrore, si kjo pandemi.

Së dyti, na bëri t’i kthehemi historisë për të kuptuar se shoqëria njerëzore është zhvilluar si një zinxhir rëniesh e ringritjesh. Shoqëritë lindin nga fraktura të mëdha të historisë, zhvillohen, rriten, “sëmuren” dhe në fund vdesin. Nga hiri, gjaku i njërës lind një shoqëri tjeter, e Re. Me pandeminë covid-19 po shohim “vdekjen” e shoqërisë sotme. Mbase, përfundim tragjik, por shkencor në kuptimin filozofik të procesit dialektik të zhvillimit të shoqërisë njerëzore.

Së treti, duke pranuar “vdekjen”, e shoqërisë sotme, pranojmë vdekjen Perendimit, pjesa më e zhvilluar, e emancipuar e saj. Të kapitalizmit. Perendimi, thotë ai, lindur ideologjikisht me revolucionin francez të viteve 700, ekonomikisht me revolucionin industrial në Angli në vitet 800, i ka mbijetuar, rrezikut të disa krizave të rënda, dy luftrat botërore, krizat e 1915, 1929, 1945, 2008. Por nuk ia del dot të shpëtojë nga kjo pandemi. Sepse, armiku i tij, tashmë, nuk është njeriu, qenia njerëzore, po natyra, e panjohura, ajo çka vjen nga errësira, e padukshmja. Perendimi, i lindur nga revolucioni social dhe industrial, sot zbulon se natyra është shumë më e fortë se çdo revolucion. Citon Emanuel Macron, të ketë thënë se “Njerëzimi sot është thirrur në një betejë pë të shpëtuar, me çdo kosto, të ardhmen, jetën e tij”. E për ta fituar këtë sfidë duhet të sakrifikojë në altarin e jetës shumëçka nga e kaluara e tij.
Mund të themi se Perendimi liberalist e mbyll këtu rrugën e tij. Dhe i len vendin një bote të Re.

Sot flitet shumë për botën postcovid-19. Për një botë ndryshe nga kjo e sotmja, në shumë argumente. Në sjelljen njerëzore, në ekonomi, qeverisje, etj. Pra, do përjetojmë kapëximin nga një formacion socioekonomik e mënyrë jetese, që e ka mbyllur ciklin e vet në një formacion socioekonomik e mënyrë jetese të re. Në kuptimin marksist, janë krijuar kushtet objektive për një hop të ri, për një revolucion, i cili do realizojë këtë kapërxim.
Problemi mbetet faktori subjektiv. A është gati ai të marrë përsipër, ta projektojë, ta udheheqë këtë ndryshim epokal të shoqërisë njerëzore ?
Si do jetë kjo botë e Re ? Nuk ka ndonjë recetë. Dimë si kanë qenë botët e mëparëshme, por nuk kemi ndonjë ide të qartë për atë që duhet të ndërtojmë. Komunizmin e kemi përfytyruar vetëm si opsion postsocialist.
Unë vetë, këtë botë të Re e përfytyroj si Socializmi i aplikuar në BS, Shqipëri, e vende të tjera, korigjuar seriozisht, mbi bazën e arritjeve, në disa argumente, epokale ( vetë socializmi ishte ndryshim epokal), por dhe mbi bazën e mosarritjeve, të dështimeve, të cilët çuan në shembjen e tij në fund të viteve 80-të shekullit të kaluar.

E di, disa do thonë- Ganiu akoma me Socializmin ! Nuk ndahem dot nga ai sistem. Jam produkt, bashkëkohës me të, por edhe pse në disa argumente, si siguria e jetës, punës, banesës, arsimit, shëndetësisë, etj ishte i pakonkurueshëm nga çdo sistem i deritanishëm.
Tjerë do thonë – për çfarë dështimesh flet Ganiu. Sigurisht, kishte të tilla. Nuk garantoi bollëkun e premtuar. Cënoi disa të drejta themelore të njeriut. Por, dështimi më i madh ishte shembja e tij në fund të viteve 80-të.

Sigurisht, ndryshimi do ndodhë. Çështja është në interes të cilës klasë, cilit grup shoqëror.
Beteja është e hapur. Kushdo mund të bëhet pjesë e saj. Liberalët, socialistët, socialdemokratët, komunistët, nacionalistët, masonët, etj. Komunistët nuk kanë justifikim në se nuk bëhen pjesë e kësaj sfide. Kudo, jo vetëm te ne, në Shqipëri. Madje nuk guxoj ta quaj këtë çështje ekskluzivisht shqiptare.

Ne, brezi im, besoj do jemi vëzhgues, edhe për arsye të kohës që kërkon ky ndryshim epokash ( llogaritet që niveli i prodhimit të vitit 2019 të arrihet në vitin 2060. Pra, 40 vjet). Revolucionet, ndryshimet e mëdha i bëjnë të rinjtë.
Le t’ua besojmë atyre këtë sfidë.