Ballina Aktualitet Kosnett: Korrupsioni, varfëria dhe përjashtimi nxitën ekstremizmin

Kosnett: Korrupsioni, varfëria dhe përjashtimi nxitën ekstremizmin

 

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, tha të mërkurën në Prishtinë se njerëzit në Kosovë duhet të punojnë që të arrijnë ndryshimin që duan ta shohin në vend, dhe të mos bien pre e ideologjive që çojnë në ekstremizëm të dhunshëm.

Zoti Kosnett i bëri këto komente në hapje të nismës së Grupit Ndërkombëtar të Angazhimit, që synon të ndihmojë të rinjtë të mbrohen nga idetë e ekstremizmit të dhunshëm, një nismë e Instituti për Siguri, Integrim dhe De-radikalizim (INSID) i cili organizoi një forumi virtual në lidhje me sfidat e të kthyerve nga Siria të akuzuarve të burgosur për terrorizëm dhe kërcënimet nga radikalizmi i dhunshëm.

“Shpesh njerëzit nxiten drejt ekstremizmit jo sepse janë „besimtarë të vërtetë” apo që tërhiqen nga dhuna apo revolucioni, por për shkak se i shohin dështimet në shtëpi – korrupsionin, varfërinë, përjashtimin dhe problemet e tjera shoqërore – dhe ndjehen të pafuqishëm për t’i ndryshuar ato. Joshja e organizatave si ISIS paraqet premtimin e rrugëtimit drejt variantit të tyre të drejtësisë, drejt variantit të tyre të lirisë, për një jetë në bollëk. Ky është premtim bosh”, tha ambasadori amerikan duke nënvizuar se ekziston një rrugë tjetër drejt paqes, lirisë e drejtësisë.

“Nëse dëshironi ta ndryshoni Kosovën, atëherë bëhuni forcë e ndryshimit në Kosovë, këtu dhe tani. Nëse shqetësoheni për korrupsionin, punoni për ta ndërtuar një shtet ligjor. Nëse shqetësoheni për mungesën e mundësive ekonomike për fëmijët tuaj, mbështetni përpjekjet për përmirësimin e shkollave dhe për zhbllokimin e fuqisë së sektorit privat të vendit. Ndërtojeni një Kosovë gjithëpërfshirëse, një të tillë që e sheh larminë etnike dhe fetare si çështje të krenarisë dhe burim të forcës”, tha ai.

Deri në vitin 2016, më shumë se 400 qytetarë të Kosovës kishin udhëtuar në Siri për t’ju bashkuar luftërave të huaja në Siri e Irak.

Ambasadori Kosnett, duke vlerësuar punën e Arbër Vokrrit nga Instituti për Siguri, Integrim dhe De-radikalizim, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë gjithmonë në krah të nismave që synojnë të ardhme pa dhunë, terror e diskriminim.

“Vetë rrëfimi jetësor i z. Vokrri është frymëzues. Ai iu ekspozua dhe u përsiat me të njëjtat porosi dhe tundime që i shtynë 400 qytetarë të Kosovës për t’ju bashkuar ISIS-it. Por Arbëri pa përmes mashtrimit, i thirri mendjes dhe tani i është përkushtuar ekspozimit të mashtrimit të ekstremizmit të dhunshëm. Ai po iu ndihmon të rinjve për të marrë vendime pozitive për të refuzuar dhunën dhe për të përqafuar të ardhme më pozitive këtu në Kosovë”, tha ambasadori amerikan.

Zoti Vokrri tha mes tjerash se terrorizmi mbetet kërcënim i frikshëm dhe instituti synon të nxisë përpjekje të përbashkëta për të parandaluar radikalizimin e të rinjve.

“Ndërsa dalim nga kjo krizë e koronavirusit edhe terroristët e ekstremistët do të dalin prej saj, ata nuk pushojnë, prandaj duhet të jemi vigjilent”, tha ai.

Edhe më tej në zonat e konfliktit, sipas të dhënave që ka siguruar policia e Kosovës, janë 30 luftëtarë, 49 gra dhe tetë fëmijë.