Ballina Ravijëzime ANA LUIGJI – Tregim nga Ramiz GJINI

ANA LUIGJI – Tregim nga Ramiz GJINI

 

Kur treni ndaloi në stacion dhe dyert u hapën, luzma e madhe e njerëzve që zbritën, ia la vendin një turme që u dha brenda vagonëve duke shfryrë mërzinë që të shkakton pritja e gjatë. Vetëm në gjashtë sekonda, kjo rigatë udhëtarësh u përthith nga nëntë dyert e vagonave të mëdhenj.
Por Ana Luigji, me pesëdhjetë e pesë vitet e saj që i rëndonin mbi supe; dhe me dhimbjet reumatizmale në kyçet e këmbëve, nuk arriti t’i zbriste shkallët për tu gjendur në platformë në kohën e duhur. Gongu ra; sakaq dyert u mbyllën dhe treni u nis ngadalë duke gulçuar si një bollë gjigante e plagosur. Dhe ja ku Ana Luigji u ndodh e vetmuar në stacion, me çantën hedhur mbi supin e djathtë dhe me një qese plastmasi të mbushur në dorën e majtë.
Me të kthyer kokën prapa, ajo i pa dy vagabondët teksa zbritën shkallët dhe zunë vend prapa kolonës duke hedhur kur e kur vështrime prej braci në drejtim të saj.
Nga ana tjetër e stacionit mbërriti në platformë një burrë i dobët dhe i shkurtër që mbante syze prej kafkulli. Ishte një kinez, të cilit, ashtu si shumicës së tyre, qe vështirë t’ia përcaktoje moshën. Ndoshta qe vizitor i përkohshëm, sepse, kur Ana Luigji iu afrua pranë dhe e përshëndeti, ai seç tha diçka në gjuhën e tij, që asaj iu duk si përçartje e një njeriu të sëmurë nga ethet. Mos vallë kinezi e mori përshëndetjen e saj si një grishje putane?! Gjithsesi, Ana Luigji e pa të udhës të qëndronte në shmang.
Ajo tashmë qe e bindur se dy vagabondët e ndiqnin. E kishin ndjekur, që kur pati dalë nga banka ku nxorri të hollat që do t’i duheshin për shpenzimet e pakëta të muajit që sapo kish hyrë. Ata iu vunë pas gjatë gjithë rrugës së mbushur me tezgat plot e përplot me mallrat që shisnin arabët; që nga çikërrimat zbukuruese të grave, e deri tek veshjet e rënda dimërore të burrave. Pastaj e pritën jashtë derisa ajo hyri e doli nga biblioteka ku dorëzoi librin e marrë dy javë më parë; dhe tani, ata djem të këqinj ishin sërish aty, në cep të platformës, duke u përpjekur të mos e humbisnin nga sytë për asnjë çast.
Çuditërisht, Ana Luigji nuk kish dashur t’u shmangej, ndonse qe e sigurtë që dy vagabontët, do të vazhdonin ta ndiqnin derisa të gjenin momentin për të kryer sulmin mbi të.
Njëri qe i gjatë dhe ezmer, kish veshur pantallona të zeza e të gjera nga ku varej një zinxhir i kromuar. Flokët i kish të gafrruara dhe të lyera me brilantinë. Mbante vath në të dy veshët dhe herë-herë, pa e ngritur kokën, hidhte vështrime të përvjedhura nga të gjitha anët mu si një ujk shurdh.
Shoku i tij qe dërdëng dhe i shkurtër. Kishte një natyrë menefregu dhe dukej si të qe ngritur ato çaste nga një gjumë i rëndë ku gjithë natën kish thithur ajrin e lagësht, topitës të ndonjë bodrumi. Koka e tij e rruar qe e madhe dhe gjithë tul. Po të kish mundur të kapte trenin, Ana Luigji do të kish shpëtuar prej tyre, por ja që nuk mundi, dhe tani, ajo e ndjente se ndodhej në vendin më të pambrojtur: brenda metrosë ku nuk kishte frymë njeriu përveç një kinezi pa moshë, i cili, i qe avitur tehut të platformës për të kundruar një mi të vogël, i cili bënte ec e ndalu përgjatë transhesë në kërkim të ushqimit.
Kur në platformë mbërriti gruaja indjane me dy fëmijët e saj, Ana Luigji pati një ndjenjë të vogël lehtësimi. Kaq i mjaftonte për të mos u ndjerë e vetmuar për aq kohë sa ndonjë luzmë udhëtarësh nga ata që ndërrojnë trenat nxitueshëm të dyndeshin me një gurgulè të thukët në platformë.
Indjania ecte ngadalë, me kokën paksa të ngritur lart dhe dukej sikur përpiqej t’i jepte rëndësi asaj pikës së vogël e të rrumbullt në ngjyrën e kafes së errët në ball. Kish dy sy të mëdhenj, të gjallë e të zinj nga ku buronte një dritëzim i hareshëm mëngjezesh pranveror. Teksa ecte, gërsheti i saj i trashë e i gjatë gjerë poshtë belit, i fshikte vithet e kolme si të një pele herxhele, që i lodronin nën një veshje të hollë pupline.
U kish blerë fëmijëve nga një pushkë-lodër, nga ato që mbushen me ujë, i kish futur ato në një qese të madhe plastmasi që t’u a jepte kur të mbërrinin në shtëpi. Por ata ngulmonin t’ia merrnin me përplasje këmbësh mbi dysheme e hungurisje qaramane të stisura enkas.
E sapoardhura ndaloi pranë Ana Luigjit bashkë me dy fëmijët e saj. Nxori lodrat dhe ua la të vegjëlve në duar. Por me t’i marrë, ata i kërkuan asaj uji, që të mbushnin “armët” për të luftuar me njëri-tjetrin.
– Unë do ta vras vëllaçkon: pam-pam-pam, – u afrua e i tha gjithë lazdrim Ana Luigjit më i vogli, – Pastaj, pam-pam, do të vras babin, dhe në fund – pam, edhe mamin.
Ana Luigji buzëqeshi; futi dorën në qese dhe nxori e u fali secilit nga dy bombone të mbështjella me letra me ngjyra, ndërsa i këshilloi me dhimshuri duke u thënë se nuk ishte mirë të bënin sikur vrisnin, qoftë edhe me një pushkë – lodër të mbushur me uji në vend të plumbave.
Indjania u zu ngushtë nga mirsjellja e kësaj gruaje të panjohur që falte bombone stacioneve të trenave dhe i vështronte të tjerët me sytë plot dhembshuri!
E falenderoi Anën për bombonet dhe i këshilloi edhe fëmijët ta bënin një gjë të tillë. Por të vegjëlit s’e bënë. Fshiheshin pas së ëmës, i nduknin fustanin mbushur plym lulevathi, përtypnin bombone dhe qeshnin duke bërë me gisht njëri-tjetrin.
– Unë i dua fëmijët e vegjël, – tha Ana Luigji, – Por kur rriten, duket se nuk janë më dhe aq të mirë.
Iu avit indjanes dhe me zë të vogël shtoi: – I shikon ata dy bjerraditësit e rinj prapa kollonës? Ka plot një orë që më ndjekin! Më panë kur dola nga banka dhe me sa duket, duan të më rrëmbejnë çantën. Kurse unë nuk e kam hallin te këta dreq parash, që kushedi sa herë kanë rënë në duar pisash, por e kam te diçka tjetër, që ata shkretanë nuk e dinë.
Indjania e vështroi me një llurbë dyshimi! Iu duk paksa e çuditshme kjo grua! Ç’donte të thoshte me ato fjalë?!
Ana Luigji, rrotulloi sytë si të deshte të sigurohej se nuk kish njeri tjetër aty pranë, iu qas tjetrës, e duke folur ngadalë, athua se njiheshin prej kohësh, me një sinqeritet pak naiv, i tha:
– Kam këtu brenda çantës një send shpërthyes. Një minë, që e mbaj me vete ngado që shkoj.
Tjetra e vështroi me sytë e bukur e të zinj, që iu bënë edhe njëherë më të mëdhenj nga ç’i kishte.
– Një minë…?! – Memzi bëlbëzoi e zgërlaqur ajo. – Ju thatë se keni brenda çantës një minë?!
Fytyra i mori pamjen e një gjethi duhani të zverdhur, balli iu rrudh, kurse njolla e bojës në ballë – petale luleshege e përzhitur nga acari.
– Po – tha qetësisht dhe e vendosur Ana Luigji, – Një minë të vërtetë me sahat. Por ti, moj motra ime mos u tremb, sepse unë nuk kam ndërmend t’i bëj keq askujt.
Tjetra shtangu në vend pa mundur të nxirrte asnjë fjalë.
Ana Luigji vijoi tashmë me zë të lartë:
– Po të mos jetë kjo shungullimë e mbytur që bëjnë trenat teksa trandin tokën nga të gjitha anët, mund të dëgjosh tiktakun e saj si ai i zemrës sime të alarmuar. Sepse unë jam nënë dhe nuk dua që ata djelmosha të vriten.
– Për hatër të Zotit, çfar jeni duke thënë! – briti duke u zbrapsur e llahtarisur indjania, ndërsa tërhoqi pas vetes dy të vegjëlit e saj.
Ana Luigji i ndjeu vagëllimthi dy adoleshentët se si u afruan pahetueshëm me hapa të lehtë kaçakësh, por as kokën se ktheu që t’i shikonte. Atëherë, një dorë me gishtërinjtë si kthetra hardhuce ia hoqi çantën nga supi, dhe ajo, pa luajtur fare nga vendi, i pa të dy vagabontët teksa ia thekën vrapit përgjatë platformës.
Ende pa mbërritur tek shkallët, ata u përballën me një luzmë të madhe udhëtarësh, që po dyndeshin me tërtip teposhtë shkallëve bashkë me tallazin mbytës të një ufme të madhe! Qe pikërisht ora kur udhëtarët mësynin për të ndërruar trenat.
Të dy vagabontët u zunë gafil, kthyen kokat dhe panë të çuditur që askush s’po i ndiqte. Atëherë e ndalën hovin dhe qëndruan në shmang pikërisht përballë syrit të një kamere të fshehur brenda një ketri butaforik.
Pikërisht ato çaste, indjania u briti vagabontëve me një zë të çjerrë e gjamatar nga tmerri. U tha se brenda çantës gjendej një minë dhe se duhej ta linin menjëherë në tokë, pastaj të largoheshin!
Por dy ithtarët e rinj të së keqes as që deshën t’ia dinin për kumtin e saj. Nisën të ngjisnin me vështirësi shkallët, duke u përpjekur të gjenin shtigje të lira përmes rrëmetit të turmës indiferente, ndërsa talleshin me njëri-tjetrin për thirrjet e një të marre, që këpuste fjalë nga ato që i pëshpërisnin në vesh djajtë e llomitur të metrove, djajtë që klliteshin e rroposeshin qosheve mes errësirës së mpiksur përjetë!
Atëherë, indjania ra e u fik në gjunjë, i mblodhi e i rrasi fëmijët poshtë vetes si klloçka zogjtë; dhe, ashtu siç qe e kutulluar, zuri veshët me duar në pritje të shpërthimit, të një shpërthimi që u mbyt nga disa urdhëra të rreptë policësh përmatanë si dhe nga zëri i ëmbël i Ana Luigjit, e cila, me dorën e saj të zgjatur, e ftonte tjetrën gjithë dhimshuri që të ngrihej në këmbë, sepse treni që ata prisnin kish mbërritur në stacion dhe dyert qenë hapur.
– Më fal, motra ime, – i tha Ana Luigji. – Nuk doja t’iu kallja frikën në këtë far feje. Ishte thjeshtë një keqkuptim. Nuk u kuptuam bashkë, pasi mua nganjëherë, ma shkrep t’i them gjërat në një mënyrë të veçantë…
Tjetra shashtisi duke i parë Ana Luigjit sytë e përnjomur, qarkuar me një hije në ngjyrën e myshkut që mbjell koha pranë puseve të braktisur plot mister, ku mjafton të mbyllësh sytë, për të dëgjuar jehonat që kanë lënë cingëritjet e dërrasave të çikrikut dhe trokëllitjet e mbytura të kovës së drunjtë, teksa lëshohet tatëpjetë drejt fundit ku flenë ujrat e errët.