Fan Noli i pat quajtur kolltukofagë politikanët e kohës së vet, të lidhur pazgjidhshmërisht me karrigen e pushtetit. Ai i krahasonte ata me krimba të verdhë, me koka të zeza, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë.
Për fat të keq, veҫ Shqipёrisё, sot kolltukofagët i janë qepur edhe Kosovës dhe po ushqehen me plagët e infektuara të saj. Kasta e vjetër është kapur me thonj e me duar pas karrigeve të pushtetit dhe, në kulmin e pandemisë, është unifikuar në qëndrimin e saj kundër Albin Kurtit. Në këtë luftë ajo nuk njeh etikë, moral, parime, as logjikë:
-Ndërkohë që është deklaruar hapur kundër reciprocitetit me Serbinë, pra për të lejuar pabarazinë dhe diskriminimin e Beogradit ndaj Kosovës, në ekonomi, tregti, arsim, kadastër, dokumente fitosanitare, doganore, udhëtimi, etj, u ngrit me tërbim kundër 1000 testeve të ofruara nga Beogradi, në kuadrin e solidaritetit ndërkombëtar, në luftën kundër koronavirusit.
Ҫdo njeri me logjikë normale e kupton që ky “patriotizëm” i saj është fals.
-Ndërkohë që shtiret si “proamerikane” e flaktë, këtë radhë, kasta kolltukofage e bëri veshin e shurdhër ndaj daklaratave të ambasadave amerikane në Prishtinë dhe Beograd që e vlerësuan pozitivisht bashkëpunimin humanitar Kosovë-Serbi, për përballimin e krizës së shkaktuar nga kovid-19, sepse këto deklarata bien në kundërshtim me objektivin parësor të saj-heqjen qafe të Albin Kurtit.
Ҫdo njeri me logjikë normale e kupton që “proamerikanizmi” i kastës së vjetër pushtetore është fals, thjesht, një instrument për arritjen e qëllimeve politike.