Ballina ED/OP Evropa ime: Qytetari i diktuar

Evropa ime: Qytetari i diktuar

 

Deri ku mund të merret për dore një qytetar në krizën e Coronës? Ndalimet masive, spektakolare dhe kudogjendura duken shpesh si një strategji që duan të mbulojnë diçka tjetër, shkruan shkrimtari Stanisław Strasburger.

A qëndron roli i shtetit aty, që mua, familjes sime dhe shumë grupeve shoqërore, që cilësohen si grupe të rrezikuara t’ua përcaktojë, se me cilat rreziqe duhet të përballen? A është gjoja solidariteti me këto grupe në të njëjtën kohë një mungesë e thellë solidariteti, me ata, të cilëve bllokimi i plotë, Lockdown ua shkatërron ekzistencën? Mjetet, me të cilat po operon politika, kalojnë përtej aspektit shëndetësor-epidemiologjik. Shteti dërgon policinë nëpër rrugë, (në disa vende edhe ushtrinë), për të izoluar e përgjuar qytetarët e tij. Bëhet fjalë për mbrojtjen time dhe atyre pranë meje. Pra, ose të vdekur ose liri egoiste. Por a nuk tingëllon kjo pak e dyshimtë. A nuk po sillet shteti si ata prindërit e dhunshëm, që duan të mbrojnë gjoja fëmijët përmes përgjimeve apo ndëshkimeve?

Përse tregohet kujdes?

Në vend që të ndjej përkujdesjen unë ndjehem i irrituar. Sepse shteti, që kujdeset kaq shumë për shëndetin tim, pse është kaq pasiv ndaj rreziqeve të tjera shëndetësore të njohura prej kohësh? Ai fiton para pa hezitim me duhanin dhe alkoolin. Ai sillet çuditërisht i rezervuar me industrinë ushqimore, në produktet e të cilave, zënë vend parësor sheqeri dhe përbërës të tjerë të dëmshëm. Nga gjithçka dimë sot për Coronën, faktorët e larpërmendur sjellin më shumë të vdekur e vuajtje, se Corona.

Jo vetëm kaq. Vende të qeverisura me kaq dallime si Polonia, Spanja, Italia e Gjermania për shkak të krizës së Coronës vendosën njësoj për kthesën e prerë në jetën tonë psikike, sociale dhe ekonomike. Në të njëjtën kohë ata dështojnë në mënyrë spektakolare në iniciativat bazike logjistike dhe tekniko-administrative. Pse nuk mund të transportohen sistematikisht të sëmurët nga një rajon në të tjerë, për t’i mbrojtur ata nga vdekja në spitale të tejmbushur? Ka vërtet një Bergamo e Madrid, por ka edhe rajone të tjera, ku ka pak të sëmurë. E nëse shihet BE si e gjitha, ka në çdo kohë në dispozicion shtretër për trajtim intensiv. Ku është solidariteti kaq i përfolur nga qeveritë tona?

Ndalimet spektakolare, masive po më duken gjithnjë e më shumë si një taktikë për të fshehur menaxhimin katastrofal. Jo virusi, po disfunksionimi i sistemit i bën njerëzit të vdesin pa nevojë. Më duket, se kemi të bëjmë këtu me një dështim, për të cilin ne me mjetet e presionit emocional detyrohemi ta paguajmë me përgjim dhe izolim. Ky duket si një populizëm i ri, populizëm shëndetësor.

Matriks e shifrave dhe imazheve

Në fluksin e imazheve dhe shifrave, që duhet të më bindin, të më informojnë saktë për katastrofën që thuhet se ekziston, kam një ndjesi të fortë se po manipulohem. Sepse po të shohësh më me vëmendje, modelet matematike për përhapjen e pandemisë, shifrat e vdekurve e të sëmurëve në masë të madhe dalin konstrukte arbitrare. Pyetjet, se si numërohet, si matet, dhe përse raportohet për çfarë në këtë rast lihen mënjanë. Një rrjedhë e madhe informacioni duket si një matriks: dërrmuese, hipnotizuese, gjithmonë me të drejtën me vete, por lidhja e kësaj rrjedhe me botën është, thënë butë, e paqartë.

Në një kohë që kjo matriks i vendos europianët në një pasiguri të madhe. Shpejt, shumë vetë besojnë, se është legjitime, në emër të një gjoja solidariteti e së mirës së përgjithshme të sakrifikohen liria dhe vlera etike. Kam frikë, se shumë nga këto liri nuk do të kthehen më. Po aq pak, sa ato që u dorëzuan pas atentateve islamiste e që nuk janë kthyer më.

Sepse me populizmin shëndetësor po zë vend edhe një mentalitet autoritar. Nga njëra anë qytetarë të shqetësuar, që thirrën menjëherë policinë për t’u treguar vendin vizitorëve në park dhe pjesëmarrësve në “Corona-party”. Kaq keq qëndron puna me demokracinë tonë dhe solidaritetin qytetar, saqë ne nuk e kemi më as edhe një dozë të vogël besimi tek bashkëqytetarët tanë, por thërrasim menjëherë aparatin shtetëror?

Nga ana tjetër kishte po kaq shumë vetë që pohuan me zë të lartë, se u kishte ardhur në majë të hundës ky ritëm i jetës. Më në fund kemi qetësi, ka më pak njerëz në rrugë, nuk duhet të udhëtosh me avion, pra mund të marrësh frymë i qetë. Edhe një qëndrim i tillë shkrin romantikën naive me fodullëkun autoritar. Vërtet kemi nevojë për një paralizim të plotë për një ndryshim të ritmit të jetës? E a mund të paragjykosh, se gjithkush është i sigurtë në shtëpinë e tij dhe pa frikë për të ardhmen?

Historia që përsëritet

Populizmi shëndetësor, pushteti i matriks, dhe pritshmëria e qytetarëve të shqetësuar, se shteti duhet të krijojë siguri, le të kushtojë as të dojë, të kujton atë populizmin tjetër: luftën me terrorin. Ka paralelizma të çuditshme. Ngjashëm si në rastin e shitjeve të alkoolit dhe duhanit, edhe atëherë shtetet gjoja aq të angazhuara në luftë kundër terrorizmit, nuk i reduktuan shitjet e armëve, përkundrazi i zgjeruan ato. Kishte një fluks imazhesh e “faktesh” që “provonin” rreziqet. Ndizeshin luftëra, viheshin në dyshim gjeneral grupe të tëra shoqërore, mënyra të ndryshme jetese, që nuk u ndryshuan, por u stigmatizuan. E pjesa tjetër e qytetarëve u vendos nën një përgjim më të rreptë.

Atentatet kaluan. Numri i viktimave, në krahasim me “mjetet” që u përdorën në këtë luftë i ulët. Në një kohë që këto „mjete”, që janë përdorur në emër të së mirës së përgjithshme dhe sigurisë janë ende në veprim. Luftërat kundër terrorit vazhdojnë, përgjimi, kufizimet dhe stigmatizimi ashtu si edhe eksplozivi brenda shoqërisë kanë mbetur. A do ndodhë kështu edhe me virusin?

Stanisław Strasburger është shkrimtar dhe menaxher kulture. Romani i tij aktual „Tregtari i historisë” u botua në vitin 2018 në gjermanisht (2009 i botuar në gjuhën polake, 2014 në arabisht). Autori ka lindur në Varshavë dhe jeton në Berlin, Varshavë e qytete mesdhetare. Ai është anëtar i këshillit të shoqatës “Humanismo Solidario”./DW