Ballina Rajoni MOS NA LËSHO KËRKESË EDHE KËSAJ TË DIELE, O PRESIDENT THAÇI…!

MOS NA LËSHO KËRKESË EDHE KËSAJ TË DIELE, O PRESIDENT THAÇI…!

 

Nga Ramiz LUSHAJ

1.

President Thaçi, dje, të xhumanë e 17 prillit, e lëshoi një tjetër kërkesë për kah VV-ja për me ia çue emnin e Kryeministrit të ri të Kosovës. Ishte e katërta kërkesë në dy javë: me 2, 10, 15 e 17 prill. Turravrap politik.

Une nuk di që ndokundi në botë të ketë ba nji President kaq kerkesa të tilla, në një kohë kaq të shkurtër dyjavore. Gati nga një kerkesë në çdo tre ditë! Më ngjajnë dhe si “petulla në t’pame”, si “qofte te daja”…!

Duket se ritualin e këtyre kërkesave Presidenti e paska mësue përmendësh, si gjeli kohë-kangen e tij “kikiriku”, po ndoshta Presidenti po hyn nën ritmin circadian të kanxhit!

President Thaçi i ban dhe 7 kërkesa të tilla, se ai shtatanik po tregohet në këtë punë të keqnisun, të flliqun, në Kohë Pandemie Globale Koroniane… Po, kjo 7-ta asht numer biblik, me domethanien e vet…Po, President Thaçi, nuk asht as Bibla e as Kurani i Kosovës, edhe n’koft se i duket vetvetja i këtillë!

President Thaçi, me Dekretin për Thirrjen e Parlamentit kësokohe e kësomënyre; në rrëzimin e Qeverisë Kurti (me LDK etj.); në luftën bio-politike në (prapa)skena me intriga e sfida ndaj Albin Kurtit e kryeparlamentares Vjosa Osmani (ma të votuemit e Kosovës); në pingpongun politik me kurbë(kurbane) mes Presidentit, Partive Politike (PDK, VV) e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për (ç)masat për Koronën që po sjell dhe vdekje jetësh njerëzore edhe për karrike pushteti; në kërkesat presidenciale për Kryeministrin e Ri; po shihet e dëshmohet se këto punë nuk kanë të bajnë as me forcimin e lartësimin e Shtetësisë së Kosovës, as me Kombin Shqiptar në Rajonin Ballkanik; nuk kanë as moral kombëtar, politik e social; as nuk nisen nga parime të drejta etj. Këto janë ma shumë “t’thaçme” të Hashim Thaçit, Isa Mustafës e disa të tjerëve.

Une nuk po due me e mbrojt VV-jen, as nuk do ta votoja VV-jen, thjesht për disa nga Arsye(Time)t e mia vetjake; po ka do kohë që edhe LDK-së time të kahershme po i iken Rugovizmi i thesartë, ndaj po të isha Zoti apo i zoti kisha me prú në pushtet, me e bá prapë Kryeministër të Kosovës, gjeneralin e politikanin Ramush Haradinaj. Nejse.

Presidenti Thaçi duhet ta dijnë fortmirë se për mos me gabue në nji punë duhet me i gjet Kohen, Vendin e Mënyrën. Edhe n’koft iu gjet Vendin (n’Parlamentin…me maska), nuk iu gjet as Koha (me Koronë, me shkaqe e pasoja të saj), as Mënyra-t. Edhe si këto mënyrat e kërkesave presidenciale që duken si kanga e kanxhit “ki-ki-ri-ku”, si të sinkronizuara me ritmin circadian.

E dimë se Parlamenti, Presidenti, Politika ka punë me qeveritë, po na duhet që të themi: çka kie President që po ngutesh kaq shumë e kaq shpejt! A nuk po të rrihet e të pritet derisa të ikin Korona, se njerëzit janë të interesuar për kokat e veta, për shtëpitë e veta e jo për karriket e juaja, për lojërat e juaja politike…! Thonë se Korona e ka ciklin e luftës së vet deri në 70 ditë…! Ani, a nuk po m’u me prit deri në 70 ditë, o President shtatanik…!

2.

Une kisha me iu lutun Presidentit të Kosovës: Ani, baj çka të duesh e çka të mundesh në politikat e juaja shpesh të mbrapshta me Qeverinë Kurti, veç aman, mos na del me një kërkesë të tillë për emnin e Kryeministrit edhe të dielen, kësaj të diele kalendarike, me izolim korone e tërbime politike…! Se President Thaçi, ka’i’herë, nuk rrinë rehat pa e lëshue atë helmin e Gjarpnit…!

Ishte 26 janari 2014. E dielë ishte. Pas 4 vitesh baheshin Zgjedhjet Lokale në komunen e Ulqinit trojenik shqiptar, me shumicë shqiptare në elektorat. Patjetër duhej të fitonin partitë shqiptare të atyhit, me dhe pa koalicionet e tyne partiake. Shqiptarët në Malin e Zi kishin të vetmen komunë me kryetar shqiptar e me keshill komune me shumicë shqiptare.

Gjykanoviçi, “lider babagjysh” i Malit të Zi dhe i Partisë Demokratike Socialiste (DPS) donte me çdo kusht e mjet t’ua merrte shqiptarëve këtë komunë shqiptare. E, për me ia mbrri kësaj, me e krye këtë punë, i ndihmoi dhe Hashim Thaçi…!

Thaçi, si njeri që i bie hasha dhe vetes për interesa të tij edhe të karrierës, nuk rrinte si një arbnor në lagjen e tij “Arbnia” në Prishtinë apo të shkonte në uikend me famlje a shoqni të tij, atë të dielë të 26 janarit 2014, u çue e doli para kamerave televizive të Kosovës e lëshoi kode/kodime të hapëta, të këqija..

Ndër të tjera, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi: “…komuniteti kombëtar malazez do të hyjë në aktin më të lartë të Kosovës, gjë që është edhe kusht nga Podgorica për vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike…”. Kështu i premtoi publikisht e botënisht kolegut të tij Gjukanoviç- kryeministër e kryetar i partisë në pushtet DPS. I premtoi ndryshime në Kushtetutën e Kosovës…

Çka marren e tij lypi Thaçi i Kosovës të dielen e 26 janarit 2014 me i ba ndere fushate elektorale Gjukanoviçit të Malit të Zi, ndërkohë që në një ditë të tillë me heshtje elektorale; në nji ditë votimi elektoral komunar; në një kohë kur shqiptarët po rrezikonin ta humbnin të vetmen komunë në Malin e Zi me kryekomunar shqiptar e keshill komunal me shumicë shqiptare; në nji kohë kur shqiptarët trojenik në Malin e Zi luftonin për të Drejtat e Njeriut e të Etnisë së Tyre Shqiptare, etj.?!

Çka ndodhi politikisht, edhe prej shqiptarit kryeministër Hashim Thaçi?! Partia Demokratike Socialiste (DPS) e Gjukanoviçit, për herë të parë, pas 24 viteve pluralizëm në Malin e Zi, ia mbrrini të jetë partia ma e fortë në Ulqinin shqiptar, të fitojnë 26.17 për qind të votove, të kenë ma shumë këshilltarë se çdo parti tjetër shqiptare e malazeze; e rrezikoi nga lojëra politike zgjedhjen e kryekomunarit shqiptar, etj. Çka bane e çka pate, o Hashim Thaçi, që hyne në lojen politike malazeze, sipas asaj historisë në minare: ’i ndihmova dhe une pak…!”.

Ndaj, nis nga ky rast i keq i të dielës tande të 26 janarit 2014, kisha me t’u lutún njerëzisht, moralisht: mos na dil të pakten në këtë të dielë të parafundit të prillit 2020, në këtë të dielë të pritshme me Diell e të rrezikshme me Korona (Covid-19) për me i kërkue prapë e prapë VV-jes për me ta çue emnin e Kryeministrit të ri të Kosovës. Mos na e merr edhe këtë të Dielë Ilire, se na e ka dhanë me Dekret Perandorak perandori ilir, Konstandini i Madh, prej Nishit të Dardanisë.

Ti baj çka të duesh, se nuk muj me të ndalue në kurrgja, dhe Qeveria Kurti ka me ikë (apo me u kthye) në punë të vet, veç deshta me të thanë: Mos të bahet kjo kërkesë përditësore si askund tjetër në botë. Si “kanga e kanxhit”! Sikurse dhe në raste të tjera, të “Demarkacionit me Malin e Zi, të “Asociacionit të Komunave të Kosovës” me Serbinë, të “Ndryshimit të Kufijve”, etj. Thuhet, në legjenda apo realitete, se kur këndon kanxhi i sheh engjujt. E, une, kam do frikë, se kur Hashim Thaçi e këndon shpeshtas “kangën e kanxhit” mos sheh djajë. E për ma keq, ruajna o Zot, e mos ndodhtë…që Hashim Thaçi-Presidenti ynë i Kosovës, të na kthehet në Djall…!