Ballina Aktualitet FMN dhe BB zotohen për më shumë angazhim ndaj krizës së pandemisë

FMN dhe BB zotohen për më shumë angazhim ndaj krizës së pandemisë

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore, janë zotuar të rrisin përpjekjet e tyre për të qetësuar goditjen në ekonominë globale nga pandemia e koronavirusit.

Drejtorja e FMN-së, Kristalina Georgieva dhe presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, theksuan se agjencitë e tyre janë të vetëdijshme për kërcënimin në rritje nga një krizë shëndetësore.

“Një tkurrje e madhe e ekonomisë globale në gjysmën e parë të vitit 2020 është e pashmangshme”, tha Georgieva.

“Pasiguria rreth ashpërsisë dhe kohëzgjatjes së krizës është jashtëzakonisht e lartë”, shtoi ajo.

FMN po parashikon që ekonomia globale do të tkurret me 3 përqind këtë vit, rënia më e keqe që nga Depresioni i Madh në vitet ’30 dhe më e rëndë se kriza më e fundit financiare që filloi në vitin 2008.

Të dy institucionet gjatë dy muajve të fundit kanë paraqitur një numër programesh mbështetëse. FMN-ja ka shqyrtuar kërkesa për kredi urgjente nga pothuajse gjysma e 189 vendeve të saj anëtare.

FMN dhe Banka Botërore morën mbështetje këtë javë nga G20-ta, apo grupi i vendeve kryesore industriale, për një moratorium për shlyerjen e borxheve për vendet më të varfra në botë – si Afganistani, Etiopia dhe shumë vende afrikane.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, tha se moratoriumi i borxhit për vendet më të varfra ishte një fillim i mirë, por duhet bërë më shumë duke marrë parasysh ashpërsinë e krizës aktuale.