Ballina Diaspora PIANOJA E ZONJËS BLUMA ROTH – Nga Ramiz GJINI – New...

PIANOJA E ZONJËS BLUMA ROTH – Nga Ramiz GJINI – New York

 

Kujdestari i pallatit, plaku Martinez, sapo kishte bërë gati një pako për ta dërguar në postë kur dëgjoi të binte zilja e derës. E la pakon mbi tryezë dhe u nis të hapte derën, por ndërroi mendje dhe u kthye. “Si me një rast po dal“, tha me vehte ai, “Të shkoj në postë dhe të kryej punë“. Mori pakon dhe vajti të hapte derën.
Para tij u shfaq një grua e moshuar, por e mbajtur mirë. Kishte veshur pantallona të zeza si dhe një triko të trashë ngjyrë bezhë.
Qe muaji tetor dhe të ftohti ende nuk kish mbërritur në New York, por kjo grua, dukej sikur mërdhihte, ndaj i kishte mbërthyer të gjitha kopsat e trikos. Supet i mbante ngritur, kurse duart i kishte futur thellë në mëngët e gjata. Flokët i pati lidhur nga prapa dhe në kokë mbante një kapele të zezë sportive me strehë. Sytë e saj, edhe pse dukeshin si të lodhur nga pagjumësia, kishin një vështrim zhbirues si prej hetuesje. Kurse fytyra, e zbehtë e me një pamje disi nervoze. Kujdestari i pallatit, z. Martinez, teksa e mbante derën e apartamentit të tij gjysëm të hapur, tha:
– Urdhëroni zonjë. Si mund t’ju ndihmoj?
– Më falni për shqetësimin, – nisi të fliste gruaja e panjohur. – Unë quhem Bluma. Bluma Roth. Në hyrje të pallatit, i rashë ziles së apartamentit përballë jush, por nuk mu përgjigj askush. Kështu, u shtrëngova t‘i bija ziles suaj… Ju jeni kujdestari i pallatit, apo jo?
– Po, – tha z. Martinez. – Prej shumë vitesh.
– Po kërkoj një grua me emrin Sill a Sillis…
– Nuk ju kuptoj, – tha plaku Martinez. – Si thatë se quhet?
– Kanë kaluar shumë vite dhe tani ka filluar të më lërë kujtesa, – tha ajo si të deshte të kërkonte ndjesë, – por më duket se quhet Sill ose Sillis… Diçka e tillë.
– Mos doni të thoni se quhet Sis? – tha plaku Martinez.
– Po, po… Ju jeni shumë i saktë. Sesilia quhet, por thirret shkurt Sis, – u hodh përpjetë tashmë e kthjelluar gruaja, që tha se quhej Bluma. – Dini gjë, a ndodhet Sis brenda në apartament? Apo ndoshta është më mirë t’i trokas vetë në derë…
– Mos trokisni, sepse tani aty jetojnë të tjerë njerëz, – tha z. Martinez, ftohtë e me vështrimin e ngulur mbi të. – Sis ka vdekur prej kohësh.
– Ka vdekur?! – u habit gruaja.
– Po, ka vdekur qysh para njezete vjetësh, – tha ai.
– Po i shoqi? – pyeti gruaja dhe u përpoq t‘i kujtonte emrin.
– Less? – pyeti z. Martinez.
– Po, Lessman…, – u hodh sërish e tha ajo. – O zot i madh! Sa i mirë ka qenë me mua Less! Kur u largova, lash aty një pjano, që të kthehesha ta merrja më vonë, por rrethanat më erdhën të tilla, që nuk munda të vija e ta merrja… A jeton ai?!
– Jo, nuk jeton as Less, – tha sërish plaku Martinez. – Ka vdekur gjashtë muaj pasi vdiq e shoqja. Vdekja e saj e tronditi aq thellë, sa nuk deshi të jetonte më. E varrosën pranë saj një ditë të shtunë.
– A kanë lënë fëmijë? – pyeti gruaja disi me keqardhje.
– Jo, për fat të keq, nuk patën fëmijë, – tha z. Martinez. Dhe pyeti: – Për çfarë i donit?
– Për pjanon, pra…! – ia bëri ajo me një lloj kryeneqësie e keqardhje përzier bashkë. – Por nuk dua ta marr, jo… Vetëm desha ta shoh. Kanë kaluar dyzetë vjet, që nga dita kur u largova pa e kthyer kokën prapa… Për dyzetë vjet rresht, asaj pjanoje ia kam dëgjuar tingujt edhe në gjumë… Ju nuk mund ta merrni me mend sa shumë e kam dashur!
– Kuptoj…, – tha plaku Martinez pa ia shqitur sytë. – Pas vdekjes së Less, – nisi të thoshte ai, – pjanon e morën Rozenbergët, që jetonin në apartamentin ngjitur.
– Oh, Rozenbergët! – u kujtua në beft ajo. – Si i paskam harruar unë ata?! Kanë qenë një çift i mrekullueshëm…
– Rozenbergët nuk dinin t’i binin dhe aq mire, por e mbajtën për shumë vite, – tha plaku Martinez.
– Pra, ju thoni, që pjanon e morën Rozenbergët? – deshi të sigurohej Bluma.
– Po, Rozenbergët e morën, – tha kujdestari i pallatit. – Por edhe ata kanë vdekur prej kohësh.
– E prisja edhe këtë lajm, – tha gruaja. – Sepse më kujtohet, që aso kohe, para dyzetë vjetësh, Rozenbergët i patën martuar fëmijët; pra nuk qenë dhe aq të rinj.
– Pas vdekjes së tyre, – nisi të fliste plaku Martinez, – pjanon deshi ta merrte Meri Kas, që banonte poshtë nesh në kat të katërt, por nuk mundëm ta zbrisnim për shkallësh. Qe shumë e rëndë.
– Më kujtohet Meri Kas, – tha gruaja ndërsa e mbante kokën ulur. – Ajo dinte t’i binte mirë pjanos. Mbaj mend, që aso kohe, jepte mesime pjanoje ne nje shkolle private në Staten Island. – Ngriti kokën e pyeti: – A jeton Meri?
– Edhe ajo ka vdekur, – tha kujdestari i vjetër i pallatit. Ka shkuar tek të shumtit këtu e pesëmbëdhjetë vjetë të shkuara.
– Dhe çfarë ndodhi pastaj me pjanon? – deshi të dinte Bluma Roth.
– E mori ajo çifutja, që jetonte në katin e gjashtë. Se nga gjeti nja shtatë meksikanë, të cilët ia ngjitën lart në apartament dhe ajo i pagoi. Por ç’është e vërteta, edhe ajo nuk dinte t’i binte dhe aq mirë; englendisej me të sa për të shtyrë kohën.
– E mbaj mend, – tha Bluma Roth. – Quhej Sara dhe kishte dhjetë fëmijë. Fëmijët e saj na e kanë pas sjellë ngushtë. Vraponin nëpër apartament si të çmendur… Dhe ne, që jetonim poshtë saj, na bëhej se do të na binte tavani në kokë.
– Të gjithë fëmijët ashtu janë, të zhurmshëm, duan të luajnë, – tha plaku Martinez. – Pra ju, paskeni jetuar këtu…
– Dy vite të paharrueshëm, – tha gruaja. – Aso kohe isha vajzë e re, vetëm njëzetë vjec…
Z. Martinez i hodhi një sy orës që mbante në dorë. Ora shënonte tre pa pesëmbëdhjetë minuta. Kishte frikë se do të mbyllej posta ku i duhej të dërgonte pakon e tij.
– Po ngjitem lart që t’i trokas në derë Sarës, – tha Bluma, që ia kuptoj ngutjen, ndërsa u drejtua të ngjiste shkallët për në katin e gjashtë. – Ta përshëndes dhe të shmallem me pjanon time…
Plaku Martinez nuk e la.
– Mos u ngjisni lart zonjë…, – tha ai, tashmë me një nënqeshje të pamëshirshme në buzë. – Edhe Sara ka vdekur. Ka ndodhur shumë kohë më parë. Në atë apartament tani jetojnë dy pleq të ardhur nga Rusia.
– Edhe Sara paska vdekur?! – tha gruaja, tashmë me një zë të dërrmuar. – Nuk më thoni, ngase vdiq?!
– Vdiq nga kanceri në gji, – nisi të shpjegonte plaku Martinez, si gjithnjë, ftohtë e me vështrimin e ngulur mbi të. – I shoqi i saj u martua sërish dhe iku të jetonte në Pensilvania ku bleu një shtëpi të madhe. Pjanon ia la Marios, komshiut, që banonte në apartamentin ngjitur me timin.
– Marios?! – pyeti në beft përçudshëm ajo, athua se nuk kish dashur ta dëgjonte kurrë atë emër. Zëri iu dridh bashkë me buzët dhe fytyra iu bë më e hequr, më e zbehtë.
Plaku Martinez, u zhyt njëherë në vramendje, pastaj pyeti:
– Cilin Mario keni në mendje ju, zonjë? Sepse në këtë pallat kanë jetuar dy njerëz me emrin Mario.
– Mario Katalana, – tha menjëherë gruaja duke ngritur zërin në nota të larta.
E shqiptoi atë emër mu si ta kishte Marion përballë e po i jepte kumtin e dënimit me varje në litar.
– Edhe ai ka vdekur zonjë, – tha plaku Martinez. – Ka vdekur para gjashtë vjetësh. Pasi vdiq Mario, gruaja e tij, Sandra, ngeli vetëm me qenin, një leshatak i vogël, i lezeçëm, që thirrej Xhesmen.
– Si…?! Pra, Sandra qenka martuar me Marion?! – tha ajo. Dhe si të deshte t’ia thoshte vetëm vehtes, shtoi: – Ja pra, që paskam pasur të drejtë…!
Dhe qëndroi një cop herë në heshtje, e zhytur në kujtimet e kohës së shkuar.
– Ata kishin tridhjetë vjetë të martuar bashkë, – shpjegoi plaku Martinez.
Bluma Roth as që e dëgjoi çfarë tha tjetri përballë saj.
– Pra, paska qenë Sandra! – mërmëriti ajo sikur ato çaste të kishte zbërthyer një enigmë, që e pati munduar prej shumë vitesh. Pastaj si të kish marrë në çast një vendim të pakthyeshëm mori të ecte korridorit e shtoi:
– Le t’i trokas në derë asaj zogëzës së qyqes, që para dyzetë vjetësh, më nxorri nga foleja ime e më bëri të largohesha pa e kthyer as edhe një herë kokën prapa. Djalli ta marrë! Gishtat e saj i paskan rënë pjanos time…! Jam e sigurtë, që sapo të më shohë do të vdesë në këmbë.
– Një minutë, zonjë…, – e ndali plaku Martinez.
– Dua t’i them vetëm një fjalë, – tha gruaja. – Nuk dua të iki nga kjo botë pa ia thënë atë fjalë…
– Mos u lodhni, – tha plaku Martinez me zërin e tij të pakur e të ftohtë. – Jeni shumë vonë. Edhe Sandra ka vdekur.
Gruaja, e cila tha se quhej Bluma Roth, ndaloi. Qëndroi një cop herë pa lëvizur, ashtu siç qe, me shpinën e kthyer nga plaku Martinez; pastaj ra në gjunjë dhe mbuloi fytyrën me duar. Nën tingujt e largët të një pjanoje, ajo nisi të dëneste me supet që i hovnin përpjetë prej gulsheve që nxirrte shpirti i saj.
Z. Martinez doli në korridor, tërhoqi ngadalë derën, e cila lëshoi një gërvimë vajtuese, rrotulloi çelësin në bravë dhe u nis për në postë.