Ballina Histori 21 vjet nga vdekja e Sami Pejës

21 vjet nga vdekja e Sami Pejës

AI NA MËSOI SI TA DUAM ATDHEUN

Nga Berat LUZHA

Sa është e vështirë dhe e dhembshme, aq është edhe kënaqësi të flasish e të shkruash për Atdhetarin e madh, Sami Pejën, i cili para pesë vjetëve e mbylli kaptinën e një jete legjendë, e një jete me plot krajata, e një jete epike, e një jete pa fëmijëri e pa pleqëri, e një jete burrërore, gjithnjë djaloshare.

Nuk e kishte dashur dhe nuk e kishte merituar Sami Peja të vdiste nga një sëmundje e befasishme vetëm pak ditë pa e parë lirinë e Kosovës me sytë e tij. Erdhi liria, por nuk mjaftuan as ato 75 vjetët e jetës së tij që edhe ai ta shihte, ta prekte e ta shijonte sadopak. Ai kishte qëndruar shumë herë ballë për ballë me vdekjen, ai e kishte sfiduar dhe e kishte mundur sa e sa herë vdekjen, duke e mbijetuar jetën, ai i kishte mbijetuar edhe krimet më mizore, torturat e pafund qelive të errëta të shumë burgjeve. Por, jetën papritmas ia mori një stuhi e përsëritur e terrorit fashist serb vetëm dy muaj para se në Kosovë të agonte drita e lirisë.

I lindur në Pejë në vitin 1924 në një familje tregtare, e cila gjatë Luftës së Parë Botërore e kishte humbur pasurinë, mbeti herët pa kujdesin e ngrohtë të prindëve. Pa e mbushur motmotin, babai i kishte ikur përtej kufirit, në Shqipëri, kurse pa i mbushur dy motmote, mbeti përgjithmonë edhe pa nënë, mbeti nën përkujdesjen e axhës. Në moshën e njomë pesëvjeçare edhe vetë kalon nga Peja në Kukës, ku fillon mësimet në shkollë. Pas mbarimit të klasës së dytë, shkon në Krumë të Hasit, ku i ndahet një vend në konvikt dhe një bursë nga shteti, si fëmijë bonjak dhe si kosovar. Pas fillores, kthehet përsëri në Kukës, ku jep provimin për t’u regjistruar, me bursë shtetërore, në Normalen e Elbasanit.
Me okupimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, normalistët e Elbasanit organizojnë protesta e demonstrata, për çka Samiu përjashtohet nga shkolla dhe arrestohet. Ishte pikërisht Samiu ai normalisti trim, i cili e kishte hequr flamurin fashist nga ballkoni i një shoqate fashiste në Elbasan.
Si djalë energjik, përplot ëndrra për një jetë më të mirë të popullit të tij, me ëndrrat në gji për liri e barazi, ai nis betejat e njëpasnjëshme, nis luftën për jetë a vdekje.
Nga Elbasani, si i burgosur, dërgohet për Shkodër, pastaj për Prizren, ku lirohet. Në Pejë, në moshën 16-vjeçare, fillon jetë të organizuar, kalon në ilegalitet, shpërndan trakte antifashiste nëpër qytet dhe ishte nisur të shkonte në male, të dilte partizan për të luftuar për lirinë e Kosovës dhe të Shqipërisë. Fati kishte dashur që rrugës për në male ai të kapet nga karabinierët dhe të dërgohet përsëri në burg, ku torturohet rëndë, por nuk dorëzohet, duke mos pranuar asgjë. Nga Peja pastaj dërgohet në Burgun e Ri Politik të Tiranës, në të cilin, pas dy muajve, sipas një urdhërese qeveritare, duhej të liroheshin të gjithë të burgosurit politikë që ishin të mitur, nën moshën 18-vjeçare. Pra, duhej të lirohej edhe Samiu 16-vjeçar. Por, shokët e burgosur i kishin rekomanduar që në vend të tij nga burgu të dilte heroi i popullit, Ramiz Sadiku. Për këtë gjest njerëzor e atdhetar ai torturohet rëndë, por pas disa ditëve, megjithatë, lirohet.
Kthehet sërish në Gjakovë, ku menjëherë, në mars 1943, vihet në ballë të një demonstrate të fuqishme antifashiste. Duke qenë se ai, pos se kishte demonstruar, edhe ishte përleshur me karabinierë italianë, duke u dekonspiruar tepër shumë dhe për të mos rënë përsëri në duarë të fashistëve, vendosi t’u bashkangjitej njësive partizane. Në Berbat të Malësisë së Gjakovës u bë pjesëtar i aradhës “Emin Duraku”, duke marrë pjesë pastaj në aksionet luftarake të kësaj aradhe.
Nuk mund t’i ishte përshtatur mbase askujt më shumë se sa Sami Junikut, siç quhej atëherë, apo Sami Pejës, siç u quajt më vonë, ajo kënga e njohur partizane:

“Ke marrë pushkën lufton për liri vatan,
dhe fshatari nga vatra ty s’të ndanë,
o i vogël-o partizan”

Aradha partizane “Emin Duraku”, gjatë prillit të vitit 1943, ishte nisur në drejtim të lindjes, duke kaluar nga Malësia e Gjakovës në Malet e Gjilanit.
Në afërsi të Livoçit të Epërm aradha ishte rrethuar nga forcat vullnetare, ku padashur ishte nisur një luftë e përgjakshme vëllavrasëse. Samiu kishte rolin e korrierit, duke bartur letra e porosi të Shtabit të Aradhës në qytetin e Gjilanit. I denoncuar për lëvizjet e tij të dyshimta, ishte zënë dhe torturuar rëndë. Po të mos kishte shkuar rastësisht te ai Rifat Berisha, nënprefekt i Gjilanit, i cili kishte urdhëruar që djalin të mos e rrihnin por ta dërgonin në burg të lidhur këmbë e duar, kushedi se si do të përfundonte jeta e tij. Pas burgosjes, Samiu ishte dënuar me vdekje, me varje, por Rifat Berisha, për ta shpëtuar, e kishte dërguar një polic personal për ta liruar nga burgu. Pas lirimit të mjeshtërishëm, Samiu u bashkohet shokëve në mal, kurse aradha niset për në Malet e Sharrit.

Në një mision tjetër të korrierit, duke udhëtuar nga Sharri në Lumë, Sami Peja me shokë kishte rënë në një pusi tjetër dhe ishte plagosur. Ishte rrethuar edhe shumë herë, por e kishte çarë rrethimin. Në vitin 1943, në Malet e Sharrit, kishte marrë pjesë në nxjerrjen e organit të luftës ”Liria”. Me urdhëresë nga Shtabi i Aradhës, shkon në Prizren, pastaj në Rogovë e në Gjakovë, prej ku kalon në Malësinë e Gjakovës, për t’iu bashkangjitur batalionit “Bajram Curri”, si komesar çete. Me çetën e tij do të jetë kujdesur për sigurimin e Konferencës së Bujanit. Pas kësaj shkon në fshatin Gri, të Malësisë, ku ishte Shtabi Suprem për Kosovë. Nga Malësia me detyrë kalon përsëri në Gjakovë, ku denoncohet dhe burgoset, fillimisht në Gjakovë e pastaj në Prizren dhe pastaj në Kampin famëkeq të Prishtinës. Nga Kampi i Prishtinës dërgohet në një kamp fashist të Vjenës dhe në Gjermani. Më 8 prill 1945 lirohet, por menjëherë inkuadrohet në një brigadë të sapoformuar antifashiste, e përbërë nga ish-të burgosurit e kampeve, në të cilën merr detyrën e komesarit të batalionit. Kjo njësi ushtarake, për shkak se lufta po mbaronte, shpejt ishte shpërbërë, kurse Samiu i sëmurë, më 10 maj 1945, bartet dhe shtrihet në Spitalin e Suboticës së sapoçliruar, për shërim dymujor.

Kjo ishte ajo odisejada e gjatë luftarake e partizanit të vogël dhe e idealistit të madh, Sami Pejës. Por këtu nuk do të përfundojnë përpjekjet e tij për liri.
“-Ne kemi menduar se pas çlirimit nga okupatori do të jetojmë të lirë, në paqe dhe të barabartë me të tjerët. Por ndodhi e kundërta. Të drejtat kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve u shkelën e po shkelen. Nuk kemi menduar se do të tradhtohen idealet tona, lufta jonë, gjaku i dëshmorëve”. Kështu mendonte dhe kështu fliste Sami Peja, sa herë bisedohej për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, në të cilën ai kishte dhënë kontribut të madh. I zhgënjyer plotësisht, edhe pse ishte emruar sekretar komune në Pejën e tij, ishte armiqësuar me regjimin e ri jugosllav dhe fshehtas kishte vazhduar veprimtarinë kombëtare. Por, një ditë ishte gjendur përsëri prapa grilave. E burgosi “revolucioni” i tij në vitin 1950 dhe deri në vitin 1956 mbajti burg në Bileqe, në Goli Otok, në Nish dhe në Srem. Për Goli Otokun famëkeq, shprehej; “Ai nuk ishte burg, ishte tmerr, ishte vdekje”.

Pasi ishte liruar nga burgu, Sami Peja punoi si punëtor në Pejë dhe në Prishtinë. Pastaj, iu rrek studimeve, fillimisht duke kryer Shkollën e Lartë Ekonomike të Pejës dhe pastaj edhe Fakultetin Ekonomik të Prishtinës (1966). Ishte asistent dhe shumë vjet edhe ligjërues i Fakultetit Ekonomik. Ishte një profesor i dalluar dhe i shumë i respektuar nga studentët.
Gjatë viteve të kthesave të mëdha, 1990 – 1992, veproi me sukses në Lëvizjen Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve.
Ishte nga themeluesit dhe udhëheqësit e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës.

Ngjarjet dramatike që përjetonte populli ynë, sidomos në dekadën e fundit të jetës së tij, e kishin tronditur thellë në shpirt Sami Pejën. Ai ishte pjesëmarrës i rregulltë i të gjitha protestave e demonstratave popullore, që organizoheshin në Kosovë kundër regjimit shtypës. Dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kishte gëzuar dhe entuziazmuar pa masë. Atë ditë të 28 Nëntorit 1997, kur pjesëtarë të UÇK-së, me uniforma ushtarake dhe të armatosur, kishin dalur legalisht në Llaushë të Drenicës, edhe ai ishte atje. Gjatë vitit 1998 udhëtonte shpesh me tren për në Pejën e tij, vetëm e vetëm që të kalonte nëpër territorin e lirë dhe për ta parë nga afër Ushtrinë Çlirimtare. Vetëm mosha e shtyrë dhe sëmundjet e pleqërisë kishin mundur ta ndalnin që edhe fizikisht ai të mos ishte në mesin e luftëtarëve të lirisë. Madje, disa herë ishte mëdyshur të mirrte rrugën e Drenicës.
– Ushtria Çlirimtare e Kosovës është forca, e cila popullit shqiptar ia ktheu vetëbesimin e lëkundur dhe dinjitetin e nëpërkëmbur, – kishte deklaruar ai për “Botën e re”.
Gjatë fushatës së spastrimit etnik, që zbatonte regjimi serb në Kosovë në pranverë të vitit 1999, Samiu nuk kishte ikur nga Kosova. Njerëzve që po merrnin botën në sy, dilte e u thoshte;
– Kthehuni, ku po shkoni?! Nuk duhet të largohemi nga Kosova! Qëllimi i armikut është ta kolonizojë Kosovën!
Një mbrëmje, atë të 13 prillit 1999, Samiu i kishte dëgjuar lajmet në BBC se si Serbia kishte bërë një plan për ta ndarë Kosovën në dy pjesë; gjysmën për serbët e gjysmën për shqiptarët. I shqetësuar tej mase, i kishte rënë tavolinës fort me grusht dhe ishte ngritur të endej nëpër dhomë, duke mërmëritur vetë me vete dhe duke sharë. Atë natë e kishin kapur dhembjet në krahëror, për të pasuar me sulmin fatal në zemër.

Zemra atdhetare e revolucionare e Sami Pejës, e cila u kishte qëndruar stoikisht aq shumë goditjeve gjatë gjithë jetës së tij, nuk i përballoi edhe këtij sulmi, që ishte goditje për ndarjen e sërishme të Kosovës. Ai priste çlirimin përfundimtar të vendit, dhe jo ndarjen e tij.
Zemra e tij kishte rrahur prore për Kosovën, për lirinë e saj, me ëndrrën e me mallin për ta parë si një zonjë të rëndë, si një nuse, të stolisur me velin e lirisë.
Në një natë prilli të agut të lirisë, në një natë të përflakur të Kosovës, shkoi me sytë hapur e për të mos vdekur kurrë, simboli i lirisë, atdhetari i paepur, Sami Peja.

Atdhetari i shquar, revolucionari patriot, partizani i vogël, trimi mbi trima, i burgosuri i njohur politik i Goli Otokut, profesori i ekonomisë, veprimtari i madh i çështjes sonë kombëtare, pajtimtari i urtë i çetës së Anton Çettës, i dënuari me vdekje, i internuari në kampet fashiste, kurrë i papërkuluri, tash jeton në kujtimet tona si një viga, si një tribun popullor, i cili më së miri na tregon se si duhet Atdheu dhe se si luftohet për ideal.