Ballina Aktualitet 176 mijë familje dhe individë të tjerë, përfitojnë nga Paketa e Zgjeruar...

176 mijë familje dhe individë të tjerë, përfitojnë nga Paketa e Zgjeruar e mbështetjes

 

Komunikimi publik i Kryeministrit te Shqiperise, Edi Rama, lidhur me Paketën e Zgjeruar të mbështetjes

Të dashur miq,

Siç po e shohim të gjithë, kjo luftë është ende larg së qeni e mbaruar. Rasti shqetësues i Shkodrës, duhet të na mësojë se çdo ulje e vigjilencës, çdo lëvizje jashtë rrethit të rregullave me idenë se mua nuk më kap, çdo nxitim për t’u kthyer në normalitetin e shumëpritur, mund të na kthejë mbrapsht e të na fusë, largqoftë, në qorrsokakun që deri sot e kemi shmangur të gjithë së bashku me dinjitet të plotë.

Të gjithë jemi në hall. Çdo familje është në hall. Çdo ndërmarrje e vogël, apo e madhe është në hall. Vetë qeveria është në hall. Luftërat nuk vijnë për të na i zgjidhur, po vijnë për të na i shtuar hallet, të gjithëve pa asnjë përjashtim. Në këtë luftë të hatashme, me një armik të padukshëm, askush nuk e ka një zgjidhje për të gjitha. Askush nuk e ka një përgjigje për çdo dilemë. Askush nuk e di me siguri kur është fundi. Askund. As në vendet më të fuqishme e më të ditura të planetit.  Ne, shqiptarët, që kemi një vend të vogël dhe me jo pak halle edhe pa këtë luftë, nuk mund e nuk duhet ta harrojmë për asnjë çast gjënë më të qartë në këtë luftë: Sot halli i halleve, që na bashkon të gjithëve dhe prej të cilit askush nuk shpëton dot i vetëm, është mbrojtja e jetës në familjet tona dhe mbrojtja e Shqipërisë nga katastrofa humanitare.

Hallet e tjera janë të rëndësishme sa të duash. Por, të gjitha bashkë t’i mbledhësh, nuk janë aq të mëdha sa halli që mund të kishim dhe mos e dhëntë Zoti, mund të kemi, nëse nuk funksionon zinxhiri i unitetit dhe solidaritetit kombëtar, i cili këtu e ka penguar armikun e padukshëm të bëjë ato kërditë që po bën lart e poshtë nëpër Europë e botë.

Unë sot jam në merak, jam shumë shumë në merak, sepse e shoh, e lexoj, e ndjej që shumë ndër ju kujtojnë gabimisht se ia hodhem! “Hapi punët se po vdesim”, më thonë disa, “hapi rrugët se po plasim”, më thonë disa të tjerë, “na liro, se ti nuk je Zoti e Allahu, o i tillë, o i atillë”, më thonë disa të tjerë akoma, që lëshojnë sharje e mallkim pafund!

E vërteta është se në fakt ne kemi hyrë në një fazë shumë delikate, ku rreziku jemi më shumë ne vetë, sesa armiku që po luftojmë. Pikërisht kështu. Ne sot jemi rrezik potencial i vetvetes! Sulmi armik nuk na zuri dot në befasi, nuk na i mbushi dot spitalet me të plagosur, nuk na futi dot, deri sot që flasim, në vallen e tmerrshme të vdekjes, ku arriti të fusë edhe vende shmë të fuqishme të globit! Ndërsa sot, shansin e fundit për të na bërë gjëmën, armiku ka pikërisht dobësinë njerëzore që shumëkujt ndër ne, nga padija, nga mendjelehtësia, nga humbja e durimit, mund të na nxisë të bëhemi pa dashje aleati i tij i munguar deri tani.

Unë e di, bësomëni që jo vetëm e di, po edhe e vuaj papushim, ditë – natë, dhimbjen tuaj, dhimbjen e familjeve që kanë më shumë halle se sa të tjerat, dhimbjen e prindërve që nuk sjellin dot në shtëpi të ardhurat nga puna e mbyllur, dhimbjen e atyre që kanë mbetur matanë kufijve e nuk kthehen dot në shtëpi. E ndjej deri në palcë dhimbjen e gjithkujt ndër ju, që nuk ia del dot të qetësohet, ndërkohë që cdo ditë bëhet më e gjatë.

Por unë di, e dua ta ndaj me ju edhe tjetrën, që detyra ime në këtë kohë është të mbyll veshët dhe të mos i dëgjoj sirenat joshëse që thonë, “le të hapemi”, “le të kthehemi në normalitet”, “le ta sfidojmë armikun e të dalim pa u trembur, nën diellin ndjellës të pranverës për të vazhduar jetën tonë”. E provuan disa të tjerë, shumë më të mëdhenj se ne, që ranë pre e atyreve sirenave dhe sot janë zhytur në një vorbull infektimi e vdekjesh, nga ku ende s’po e nxjerrin kokën mbi sipërfaqe!

Është e vërtetë që ne e kemi kaluar për mrekulli deri këtu hallin e halleve, që është mbrojtja e jetës. Nuk numërojmë dhjetra të vdekur në ditë, por shohim përditë se si kurba e infeksionit në Shqipëri mbahet nën kontroll më mirë se në shumicën e vendeve të Europës. Nuk shohim gjëkundi të na mungojnë shtretërit e spitaleve dhe të na vdesin njerëzit tanë të dashur larqoftë nga mungesa e respiratorit. Nuk kemi asnjë humbje jete nga bluzat e bardha dhe nuk kemi as kufoma që s’kemi ku i varrosim, sic për fat të keq ka ndodhur dhe po ndodh në vende shumë më të mëdha se ne. E kështu po na duken edhe më të forta dhimbjet nga pasojat e luftës, në kushtet kur dhimbjen nga shkaku i saj nuk e kemi aq të fortë, sic e kanë sot shumë e shumë popuj të tjerë.

Por detyra ime është të mos e ngatërroj dhimbjen aspak të vogël nga pasojat e kësaj lufte, me shkakun e vërtetë të qëndrimit tonë kokëfortësisht në mbrojtje. E di, është shumë e vërtetë, ky qëndrim i fortë në mbrojtje e cënon lirinë e qytetarëve dhe ekonominë e familjeve shqiptare, po njësoj edhe ekonominë tonë kombëtare. Ama, mos e harroni, po edhe po e harruat ju, unë nuk e harroj dot! Liritë do të kthehen sapo ta fitojmë këtë luftë. Ekonomia do të ringrihet sapo ta mbarojmë këtë luftë. Por të vdekurit nuk i ringjallim dot nesër, nëse sot e tradhëtojmë kauzën e mbrojtjes së cdo jete, me cdo kusht.

E di mirë, nuk e harroj aspak, asnjë cast, që është gjithashtu detyra ime, të bëj gjithcka për ta lehtësuar sadopak dhimbjen e pasojave të luftës, për të gjithë ata që janë prekur ndjeshëm në ekonominë e tyre familjare. Dhe ju duhet ta dini mirë, se asgjë që është e mundur nuk e kemi lënë dhe nuk do ta lëmë pa bërë, që cdo njeri e familje të mos mbetet kurrë vetëm në këtë luftë për ekzistencë. Asgjë nuk kemi kursyer e nuk do të kursejmë për t’ua lehtësuar frymëmarrjen të gjithë më të prekurve në ekonominë e tyre familjare nga pasojat e luftës.

Pyeteni pak veten: Cili do të ishte ai kryeministër, i cili nuk do të donte t’ju jepte gjithcka që ju duhet për të mos e ndjerë fare tërë këtë stres të madh? Nuk ekziston një i tillë. Dhe besomëni, sic kemi ngritur një rrjet ekspertësh tanët e të huaj, për të përballur luftën nga pikëpamja shëndetësore, cka shpjegon edhe suksesin që kemi arritur deri këtu, po ashtu kemi ngritur një rrjet ekspertësh tanët e të huaj, për të bërë më të mirën në mbështetjen e betejës me pasojat që ka sjellë e do sjellë kjo luftë, mbi më të prekurit prej jush dhe mbi ekonominë tonë kombëtare! Dhe më falni t’jua rikujtoj cka ju kam thënë e rithënë, qysh prej ditës së parë: Duhet dhe do të bëjmë cmosin, që askujt të mos i mungojë ndihma jetike. Por duhet të gjithë ta kuptojnë se nuk mund t’i shpenzojmë menjëherë të gjitha municionet, në një luftë që nuk e dimë sa do zgjasë dhe prej së cilës do të dalim të dëmtuar, po në asnjë mënyrë nuk mund të dalin të shkatërruar.

Më vjen sinqerisht keq që opozita e ka humbur krejtësisht, mundësinë e madhe të vihej në shërbim të kësaj lufte, si një energji pozitive më shumë, në të dyja frontet: Edhe për të garantuar bashkarisht me ne shëndetin e njerëzve, edhe për të siguruar bashkarisht me ne rezistencën ekonomike të atyre që janë vërtet në nevojë për mbështetje dhe të vetë vendit. Ia kam kërkuar kryetarit të opozitës t’i bashkojë forcat me mua dhe të bashkojmë ekspertët që kemi në dispozicion, qoftë për të fituar në vijën e zjarrit të luftës për jetën e njerëzve, qoftë për të rezistuar në vijën e mbrojtjes ekonomike të individëve e të familjeve. Përgjigjen e dini të gjithë: akuza për punën heroike që po bëhet në vijën e zjarrit dhe receta iluzionesh për mbrojtjen ekonomike. Nuk po qahem, as po fajësoj kënd! Jam thjesht jam i keqardhur, shumë i keqardhur, që në vend të bashkimit në këtë luftë, ku pushteti që duhet mbrojtur është vetëm jeta e cdo njeriu dhe partia që duhet të fitojë është vetëm Shqipëria, nuk janë ulur armët e luftës të vobektë për pushtetin e radhës, e nuk janë prishur radhët e partive, as në emër të jetës së njerëzve e as në emër të atdheut që duhet ta kapërcejë me cdo kusht këtë sprovë historike. Megjithatë, kurrë nuk është vonë. Dhe thirrja ime për opozitën e për drejtuesin e saj është: le t’i bashkojmë pa u menduar më gjatë forcat; le t’i diskutojmë pa ngurruar hapat në të dyja frontet; le t’i ballafaqojmë, në distancë sociale, patjetër, po sy më sy në ekrane takimesh online, idetë, vendimet dhe cilësinë e ekzekutimit të tyre; le t’i flasim popullit me një zë për të mbrojtur çdo jetë shqiptare, deri në fund, që nga Shkodra ku disa e kujtojnë Covidin komunist që duhet përqeshur, deri në Vlorë ku disa të tjerë e kujtojnë Covidin si opozita që mundet me të qeshur. Le të bëhemi njëherë thjesht shqiptarë, pa asnjë prapashtesë politike e asnjë qëllim politik, përvec daljes së bashku, si popull, si vend, e si përfaqësues të këtij populli e këtij vendi, faqebardhë nga ky takim i madh me historinë. Unë uroj që ky apel i sinqertë e i megjithëzemërt, të mos bjerë në veshë të shurdhër në këtë moment kaq delikat në këtë luftë, ku sapo kemi kaluar mesin e tunelit dhe një fije e hollë teli na ndan nga ecja përpara drejt daljes, ose ecja prapakthehu mbrapsht në qorrsokak.

Sidoqoftë, dua t’ju kërkoj ndjesë se mbase u zgjata më shumë se sa dëshironit deri këtu, për të ndarë me ju përmbajtjen e Paketës së Zgjeruar të mbështetjes për më të prekurit prej jush. Por asnjë luftë, asnjë betejë, asnjë ndeshje, nuk fitohet dot pa një qëllim strategjik të përbashkët, asnjë strategji fitoreje nuk ndërtohet dot pa parime të qarta për të gjithë dhe asnjë ushtri, asnjë grup, asnjë skuadër, nuk lufton dot me sukses pa e mbajtur mirë të gjithë, në mendje e në zemër, qëllimin dhe parimet e strategjisë së fitores.

Qëllimi ynë strategjik është i thjeshtë: Të fitojmë luftën me sa më pak humbje jetësh dhe sa më pak vuajtje nga plagët e kësaj pandemie globale. Paketa e parë ndihmoi në zbutjen e dhimbjeve të atyre që u prekën menjëherë, qysh në momentin e parë të sulmit, 123 mijë familje, ato me ndihmë ekonomike, ato që mbyllën me urdhër të qeverisë bizneset e tyre të vogla dhe qindramijëra pensionistë. Ndihma ekonomike u dyfishua, të goditurve të valës së parë në biznesin e vogël i’u akordua një ndihmë që vazhdon të lëvrohet çdo ditë pas verifikimeve nga tatimet, pensionistëve i’u indeksua pensioni dhe pse kushtet financiare nuk janë optimale.

E thashë qysh kur e publikuam paketën e parë, që mbështetja nuk do të mbaronte aty dhe sot, pasi kemi ndjekur me vëmendje çdo ditë, dinamikën në të dyja frontet, edhe në frontin e luftës për jetën, ,edhe në frontin e ekonomisë, është momenti ta zgjerojmë paketën. Sepse në vazhdim, deri fundjavën e shkuar, që nga paketa e parë, plot të tjerë janë goditur drejtpërdrejtë, e me të drejtë kërkojnë e meritojnë ndihmë, për të mos mbetur vetëm. Goditjet kanë qenë valë – valë por sot që flasim, kjo paketë e zgjeruar, do të mbështesë, përveç atyre të parëve, plot 176 mijë të tjerë, individë dhe familje. Të cilët nuk janë goditur në të njëjtën kohë dhe nuk i përkasin të njëjtës kategori. Por të gjithëve do ti japim mjetin financiar, për ta përballuar me një frymëmarrje më të lehtësuar, këtë 40 ditësh vendimtar që kemi përpara, deri në fund të majit. Pse deri në fund të majit? Deri në fund të majit, sepse ne besojmë që duke e mbajtur të shtrënguar fort zinxhirin mbrojtës të unitetit e të solidaritetit kombëtar, kurba e infeksionit do të shkojë në një ulje të vazhdueshme dhe do të mund të lëvizim jashtë perimetrit të rrethimit ku jemi sot, me shumë kujdes me hapa shumë të matur por duke mundësuar kthimin në punë normalisht, patjetër me kushte strikte, të një numri të konsiderueshëm të atyre që do të përfitojnë nga Paketa e Zgjeruar.

Por në të gjitha rastet, ne do të jemi gati për Paketën e Tretë, mes datave 20-25 maj duke parë gjithmonë dinamikën  në të dyja frontet dhe përsëri do të jemi në gjendje t’i gjendemi pranë të gjithë atyre që nuk do të kenë të ardhura nga puna në atë moment për shkak të pamundësisë së daljes nga perimetri i rrethimit mbrojtës. Pra çdo përfitues nga kjo Paketë e Zgjeruar, do të mbështetet për të rezistuar, pa makthin e zbrazjes së plotë të arkës së familjes, deri në fund të majit. Prandaj edhe paketa është konceptuar si një pagesë e vetme dhe përmbledh disa kategori, siç thashë, përkatësisht 10 mijë punonjës në sektorin e turizmit, 66 mijë punonjës që janë larguar, pezulluar nga biznesi madh, pra çdo biznes me mbi 14 milionë  lekë të reja, xhiro në vit, të cilat u mbyllën apo u reduktuan ndjeshëm në aktivitetin e tyre, si edhe 100 mijë punonjës në bizneset e vogla, të cilët kanë punuar me xhiro minimale për shkak të goditjes indirekte nga mbyllja e përgjithshme dhe nuk përfituan nga Paketa e Parë.  Këtu dua të bëj një rikthim pak në ditët e kaluara kur pati jo pak ankesa sepse u pretendua se u refuzuan bizneset e vogla që aplikuan për të përfituar nga pagesa e parë dhe u krijua një keqkuptim i madh, që u ushqye pastaj dhe me akuzat e zakonshme të jetës së përditshme sikur u mohua ndihma jonë. Në fakt jo.

Në fakt shumica prej tyre nuk mund të miratoheshin  sepse nuk ishin të përfshirë në Paketën e Parë dhe edhe pse e thamë në krye të herës, janë goditur rëndë në xhiron e tyre e për pasojë në të ardhurat e tyre, ata nuk ishin në paketën e parë por do të përfshiheshin në paketën e zgjeruar dhe ja ku jemi sot.

Ja ku jemi sot kur jemi të gatshëm që ti trajtojmë ndershmërisht dhe seriozisht që të gjithë, me të gjithë mundësinë që na jep në këtë moment që flasim, llogaria financiare,  llogari a me hanxhiun, jo pa hanxhiun. Me këtë rast, me armikun që e kemi vërdallë në një moment të kësaj lufte ku gjëra po shkojnë mirë por nuk dimë kur mbaron dhe duhet të jemi të gatshëm për sado që kjo të zgjasë.

Për kategorinë e 100 mijë qytetarëve, individë, familjeve ku thashë, përfshihen të gjithë  ata që janë në biznesin e vogël e që nuk bënin pjesë në paketën e parë, ne do vëmë në dispozicion 40 milionë dollarë, 4 miliard lekë dhe çdo individi në këtë kategori do ti japim 400 mijë lekë apo 400 dollarë.

Po kështu për punonjësit që e kanë humbur punën në bizneset private, 66 mijë individë do të vëmë në dispozicion 2.64 miliardë lekë ose 26 milionë e 400 mijë dollarë dhe edhe ata do të marrin 400 mijë lekë direkt. Jemi të vetëdijshëm për goditjen që ka marrë turizmi. Për turizmin, po edhe për industrinë fason dhe për të gjithë bizneset prodhuese, Paketa e Zgjeruar ka një instrument të ri financiar, që do të krijojë kapital qarkullues të konsiderueshëm në këtë sektor, por përpara se sa të vijmë tek ky instrument, dua të shtoj se në listës e individëve që do të ndihmohen drejtpërdrejtë janë edhe 10 mijë punonjës në sektorin e turizmit që dhe ata do marrin 400 mijë lekë dhe këtu bëhet fjalë për 4 milion dollarë të tjera. Pra në total, paketa e zgjeruar adreson nevojën për pak frymëmarrje në ekonominë familjare të 176 mijë individëve dhe në total, 70 milionë dollarë. Është shumë shumë e konsiderueshme e cila ju  shkon të gjithë atyre që e kanë të nevojshme sot të ndjehen të mbështetur dhe ne nuk i lëmë vetëm, natyrisht duke i  kërkuar njëkohësisht të vazhdojnë rezistencën dhe të respektojnë deri në fund rregullat me të cilat ne duhet e do ta fitojmë këtë luftë.

Instrumenti i ri financiar për turizmin, industrinë fason dhe bizneset prodhuese, është një tjetër garanci sovrane prej 150 milionë USD, i cili do të vihet në dispozicion por me ndarje risku mes qeverisë dhe bankave duke pasur parasysh edhe nevojën e sektorëve.  Dhe duke u kthyer tek instrumenti i mëparshëm i garancisë, ne kemi vendosur sepse mund ta bëjmë sot, nuk e bënim dot dje, gjithmonë duke parë dinamikën, duke parë mundësitë, gjithmonë duke parashikuar qëndrueshmëri për nesër sepse nëse do na thoshte dikush lufta mbaron nesër paketat do ishin ndryshe. Pra në instrumentin e parë të garancisë, ne kemi vendosur që  qeveria do të marrë përsipër koston e interesit për kreditë.

Po ashtu, Paketa e Zgjeruar përcakton se për të gjitha sipërmarrjet me përjashtim të sistemit bankar, telekomunikacionit dhe kompanive publike si edhe kompanive të zinxhirit të furnizimit me mallra esenciale që kanë pasur një volum normal madje të rritur në këtë periudhë, pagesat e kësteve të tatim – fitimit do të mund ti bëjnë pas datës 30 shtator. Ndërsa për turizmin, fasonët, call-centerat dhe bizneset e vogla me xhiro deri në 14 milionë lek në vit ose 140 mijë dollarë, këto pagesa shtyhen përtej 31 dhjetorit të këtij viti, pagesat e kësteve të tatim fitimit.

Shlyerja e pagesave do të bëhet, në mënyrë proporcionale. Kjo Paketë e Zgjeruar, do të miratohet në 48 orët në vijim dhe shumat përkatëse do të fillojnë të lëvrohen për të gjithë nga data 20 prill.

E fundit, por jo për nga rëndësia, disa fjalë për bashkëqytetarët e mbetur dhe më të drejtë të shqetësuar, jashtë kufijve. U kërkoj të gjithë atyre një ndjesë të sinqertë të madhe, sepse e marr me mend, më dhemb mundimi i tyre i pazakontë në kushtet e pamundësisë për ty kthyer në atdhe, në shtëpinë e tyre e njëkohësisht u them turp, shumë turp, të gjithë të tjerëve që luajnë patriotash e demokratash me këtë hall të madh të njerëzve! Turp, sepse të luash patriotash e demokratash, të flasësh për bij të shqipes që i janë prerë krahët nga diktatura e Tiranës apo për mohimin e të drejtës elementare të lëvizjes drejt shtëpisë kur ne kemi marrë këtë masë ekstreme e të tjera masa ekstreme pikërisht për të qenë këtu ku jemi sot në raport me një armik të padukshëm që do të na kishte grirë nëse nuk do merrnim këto masa, do të thotë  të nxisësh infektimin masiv të popullit e të ndjellësh katastrofën  humanitare, të cilën edhe falë sakrificës së atyre mijëra shqiptarëve që janë jashtë kufijve e që vuajnë pamundësinë e kthimit në shtëpi, ne kemi arritur ta pengojmë.

Gjithsesi, do të kemi kohë për të folur për këto ynere pseudopatriotike kur të mbarojë e gjitha kjo, por në kuadrin e lehtësimit me pikatore, ashtu siç edhe e paralajmëruam javën e shkuar, ne kemi gati planin për rihapjen shumë të  kujdesshme të rrugës së riatdhesimit.

Nesër do të bëjmë publike modalitetet dhe sipas të gjitha gjasave të shtunën ë kësaj jave do të nisin fluturimet, fillimisht nga Roma. Kush dëshiron të riatdhesohet do të kalojë në një kanal të drejtpërdrejtë me prenotim të avionit, do prenotojë vetë dhe hotelin përkatës në zinxhirin e hoteleve të vëna në dispozicion si struktura karantinë. Detajet do të jepen nesër.

E në mbyllje miq, nuk do të lodhem së përsërituri, duke e marrë në sy rrezikun që të bëhem i padurueshëm, se në këtë luftë ne kemi vetëm një rrugë nuk kemi dy, nuk kemi tre, kemi vetëm një, atë që sot duket rruga më e gjatë, po që me siguri na nxjerr më shkurt se sa çdo rrugë e shkurtër, që pa diskutim na nxjerr më gjatë e shumë më të dëmtuar nesër. Kjo është rruga që ta fitojmë me nder e me shëndet e këtë luftë! Prandaj edhe është kaq e vështirë, por besoj se duke parë vendet e tjera se ç’po heqin dhe duke parë familjen e njëri-tjetrin përditë, nuk e kemi aq të vështirë të imagjinojmë se rrugë më të drejtë e më të mirë se kjo, nuk ka!

Durim, besim dhe kurajo motra e vëllezër! Më herët se vonë, kur kjo e keqe e lodhshme të ketë kaluar dhe pas vuajtjes të vijë lehtësimi, do të ndjehemi të gjithë krenarë për gjithçka që po bëjmë  me mundim ditë për ditë sot.

Faleminderit!