Në këta muaj, kur Koronavirusi i ka zbritur njerëzit me këmbë në tokë si asnjëherë, i ka ngujuar në pa kohë dhe detyruar në ngujim të pabesueshëm sikur të kishte ndalur vetë rrotullimi i Tokës, aqsa edhe shtete shumë të zhvilluara e të fuqishme janë zënë në grackë sa nuk kanë mjaftueshëm as maska të thjeshta e doreza, pra në këtë kohë kanali televiziv Euronews, në emisionin “Space” paraqiste një makine të ndërlikuar për t’u dërguar në planetin Mars, e cila do të lëvizë në truallin marsian, do të çpojë me sondë në dy metra thellësi dhe materialin e marrë do ta fusë të analizohet në laboratorin brenda saj, pra e gjitha kjo si parathënie e synimit të njeriut për të kolonizuar s’dihet se kur Marsin.
Mendja shkoi menjëherë prapaktheu, në verën e vitit 1969, saktësisht më 20 korrik, gjysmë shekulli më parë. Asokohë, me Apollo 11 Lunar Module, astronautët amerikanë, Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin zbritën në Hënë, ndërsa astronauti Michael Collins i priste duke u rrotulluar në orbitën e saj, për t’i marrë dhe të tre të ktheheshin në Tokë.
Pikërisht atëherë në vjeshtë, në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës në Tiranë, futej në auditor një profesor pa shfaqjen hijerëndë të pesonalitetit të njeriut të ditur, u ngjit në katedër përkundruall studentëve dhe orën e biologjisë e shndërroi në leksion magjepës, edhe duke nxjerrë nga xhepi i xhaketës disa shkumësa të gjatë me ngjyra të ndryshme e bindeshe se nuk ishte vetëm një biolog i shkëlqyer, por dhe vizatues i talentuar me shkumësa në dërrasën e zezë të gjatë thuajse sa gjerësia e murit.
Ky ishte Robert Papajani.
Studentët dinin mbi lajmin e madh të Apollo 11 dhe netëve të errëta gjatë verës shpesh vështronin Hënën e afërt dhe yjësinë e pafund të trupave qiellor të mbështjellë me mister përtej saj. Mirëpo profesor Roberti, studentëve ua përqëndroi vëmendjen në një Gjithësi tjetër, duke u thënë si hyrje në biologji: Të dashur studentë, të gjithë habitemi kur shohim me sy të lirë gjithandej Makrobotën e dukshme, – Hënën, Diellin dhe yjësinë xixëlluese të pafund të Gjithësisë, mes tyre dhe Toka jonë, – por duhet të dini se ne jemi të rrethuar edhe nga Mikrobota e padukshme, ajo nuk shihet me sy të lirë, dhe është po aq e pafundme sa Makrobota.
Më pas, informacioni për Makrobotën u shtua dhe, në morinë e lajmeve pa ndalim, shpesh e më shpesh zunë vend tri frikëra të rrokshme prej kujtdo, edhe nga stërpërsëritja e tyre: lajmet e panumërta për UFO-t e jashtëtokësorëve që vizitojnë planetin tonë, mundësia e pushtimit të njerëzimit nga Alienët dhe rreziku prej disa trupave qiellorë që herë pas herë i vërviten Tokës tangent gati në përplasje me shpejtësi të llahtarshme. Pikërisht në kulmin e këtyre rreziqeve të mëdha a të vogla, të vërteta a të hamendësuara, njerëzimi u sulmua dhe shtetet me armatime të gjithfarshme u gjunjëzuan sa hap e mbyll sytë nga një armik i padukshëm i ardhur jo prej Makrobotës, por nga Mikrobota: është COVID-19. Edhe shtetet më të fuqishme, me shkencë tejet të zhvilluar, u zunë në befasi , ose siç tha Bill Gate “SHBA-së i mungoi dritarja për të dalë para virusit”: njerëzimi u ngujua pa afat brenda shtëpive; edhe pse në tregjet e tyre gjen gjithçka, – përveç nënës e babës siç thuhet, – ato s’kishin as mjetet më të thjeshta, pa vaksinën e duhur, dhe për t’u mbrojtur iu kthyen mjekësisë mesjetare: mbyllje në shtëpi, distancim shoqëror, larje e duarve me sapun, lidhje e maskës në fytyrë.
Njerëzimi po pëson viktima të panumërta nga Mikrobota që nuk e shohim, ndërsa ende nuk dihet kur është fundi i këtij sulmi rrufe.