1.
Rrugët e qytetit u pushtuan nga arushat. Kur folësi i televizionit hapi lajmet e mbrëmjes duke shqiptuar këtë fjali, u mendua mos te Gropa e Arushës qe harruar ndonjë derë çelë dhe kafshët kanë marrë qytetin. Apo ka ardhur ndonjë trupë shetitëse cirku? Qyteti është i vogël, joshës për turistë e gjithfarë artistësh profesionistë e amatorë. Me kalldreme të argjendta e me gjashtë kilometra arkada, pa një pëllëmbë asfalt, mbrohet nga UNESCO. E përshkon një lum që njeh vetëm dy ngjyra, të blertën e të bardhën e shkumës. Pas shpatullave të qytetit malet çohen deri në katër mijë metra.
E gërryer thellë, me gurë të lëmyshkur e shpellëza nëpër të, për mbi dyqind vjet Gropa ka qenë banesë e tri arushave. Të gjithë udhëzuesit turistikë këshillonin me e pa. Në vend të saj u ndërtua Parku i Arinjve, por njerëzit ende thonë Gropa. Parku i Arinjve u ndërtua aty ngjitur, pasi u shpyllëzua një pjesë e shpatit që rrëzohet mbi lumë. Kafshët mund të lahen në pishinën e tyre buzë lumit. Mund të katrrithen nëpër lisa. Mund të vrapojnë, të shullëhen, të zhgërryhen.
A thua pushtimi i qytetit nga arinjtë është metaforë për parkun e tyre të ri?
Përurimi i parkut që shndërruar në festë. Njerëzit u lëshuan edhe nga rrethinat. Aq shumë u dyndën, sa, pa folë për të tjerat, bashkia vendosi dyqind e tridhjetë banja të lëvizshme, duke i shpërndarë nëpër të gjitha pikat. Katër ditë pas këtij gazmendi xixëllues ndodhi aksidenti. Një djalë shtalb, që kundronte arinjtë duke shetitur nëpër rruginën përkrye murit rrethues, papritmas kërcen pingul në turinj të arushës nënë. Kafsha ndihet e sulmuar, e mbërthen rioshin me kthetra e me dhëmbë, thua qe banane. Tri krisma thyejnë kupën e qiellit. Ushtima e ujërave meket, gjindja mpaken. Arusha këputet në vend. Nuk duket më i mirë fati i gladiatorit njomëzak. Gjaku i skurron në fytyrë e në shtat.
Njëzet e katër orë rresht, dritë në dritë, një turmë e madhe qytetarësh mbështillet bletë te dera e Parkut, duke pritur lajme nga veterinerët kirurgë. U jepet dot përgjigje tërë këtyre? Vendoset një monitor te hyrja. Qytetarët mund të ndjekin drejtpërdrejt gjendjen e të plagosurës, duke e parë me sy. Te dera naltësohet një mur i ri. I tëri prej qelqi. Në vend të tullave, mija kavanozë njëri mbi tjetrin. Të tërë të mbushur me mjaltë. Qytetarët ia çojnë arushës. Luten për të, o Zot shpëtoje. Kisha e fildishtë e qytetit bëhet më e brishtë se kurrë. E zbardhur në fytyrë, dridhet prej ankthit.
Ku e ka fjalën televizioni, kur thotë qytetin e pushtuan arushat?
Mbrëmja picërron sytë te ekrani i vogël.
Vetëm në shpatinat përreth jeta rrjedh si përherë. Mështekna të pacipa çojnë fustanin, duke zbuluar shalët e bardha, të gjata. Ahishta ul qiellin në prehër, e puth dhe e përkund. Kënga e mëllizezave lulon si livadh, mbush ajrin me gjithfarë ngjyrash.
2.
Pjesa e dytë e lajmit ngjan si ëndërr a si seri filmike. Nuk janë arinjtë e parkut që kanë dalë në qytet. Nëpër qytet kanë vërshuar arinjtë e pyllit. Duken pa fund. Ecin kryevarur, në rresht. Gjithçka regjistrohet në kamera. Nga po mësyjnë, te parku? As që kthejnë kryet nga parku. Marrin udhën e spitalit. As me spitalin s’paskan punë. Diku më tej është redaksia e gazetës vendore.
Arusha që prin mban një send në duar. Diçka si katranzë a si kuti. Fotografi, portret i dikujt? Shkrepse e madhe, kuti zjarrvënëse? Është notë proteste, shqipton folësi i televizionit. Këmbëngulin me e botue të plotë në gazetë. Nuk lejojnë ndërhyrje në të.
Rreshti i arinjve zgjatet e zgjatet. Këlyshët e vegjël nuk dinë pse janë aty, luajnë me shoqi-shoqin, kërcejnë pas nënave.
Zhytur në heshtje të zymtë, vargu ndalet. Kërkojnë me u takue me kryeredaktorin.
Nuk merret vesh për ç’arsye në ekran ndërpriten pamjet e filmuara. Vijimi i ngjarjes përcillet me zërin e folësit, pa figurë. Kryeredaktori e ka të pamundur me i pritë të gjithë arinjtë, thotë dikush. S’ka sallë as stadium që ju zë, zgjidhni një përfaqësi. Pikërisht përfaqësi jemi, ia kthejnë ata. Nëpër pyje janë mija arusha të tjera. Mija ujq. Mija riqebuj, dhelpra, çakallë. Kaproj, dhi të egra, ketra. Po të vijnë të gjithë, pushtohet qyteti, i zinet fryma nën këmbët e tyre. Me se mund t’ju ndihmojmë, shqipton kryeredaktori, i prerë në fytyrë. Në gazetë kemi shprehur dashurinë e rrallë të shoqërisë për ju. Një vlerësim si ai s’është parë as dëgjuar deri sot. E gjeni edhe on line.
Kryeredaktori shpalon gazetën me shkrimin e gjatë, botuar në trajtë fejtoni në tre numra. Shkrimi shtjellon gjithë dramën te Parku i Arinjve. Djali po lëvizte përkrye murit rrethues, rruginës me tela mbrojtës, ec, këqyr. Mbante një çantë të vogël në dorë. Çanta e vogël i rrëshqet, bie para arushës nënë, që kullot nëpër bar. Djali dridhet. Në atë çantë është vajza, për të cilën është gati me u përleshë, si nëpër filma. Është celulari me fotot e videot e saj, zemra e tij në qindra pamje. Shpirt, ti në gojë të egërsirës?! Djali s’ka kohë me mendue, arusha po i merr erë sendit që ra. Djali lëshohet pingul te turiri i saj, me rimarrë çantën. Si dashnorët heronj nëpër filma. Zemra ime, ta shohësh sa të dua!
Jo vetëm djali s’ka kohë me mendue. Edhe dikush tjetër s’ka kohë me mendue. Ata që do të zbrazin armën e tmerrshme s’kanë kohë me mendue. Kapërcejnë brenda imtës mëdyshjen torturuese: me plumba të njëmendtë a thjesht me e vu në gjumë? Substanca gjumëvënëse do rreth një minutë me veprue. Një minutë është fatale për jetën e djalit. Edhe pesë sekonda janë fatale për jetën e djalit. Midis të riut e ariut, zgjedhin njeriun.
Gazeta i ka shtjelluar me paanësi të gjitha. Të dërguar specialë për ngjarjen kanë qenë reporterët më të shquar.
Arinj të dashur, tri ditë më pas bëmë një hulumtim telefonik, thotë kryeredaktori. Duhej qëlluar arusha me plumba të njëmendtë?
Heshtje.
Gjashtëdhjetë e katër përqind e të pyeturve s’e miratojnë, vijon ai. Ç’faj kishte kafsha e ngratë? Në shtëpi të vet, në punë të vet. Tjetri i hidhet në fytyrë, ajo ndihet e kërcënuar, vepron instinkti i vetëmbrojtjes. Ne botuam përfundimet e anketës. Të frikshme, thotë kryeredaktori. Kemi guxuar tepër. Del se shoqëria vlerëson jetën e mama arushës më fort se jetën e djalit! Më thoni, ç’mund të bënim tjetër për ju?
Hungrima e arinjve mbyt uturimën e lumit. Gjindja mbajnë frymën para ekranit të vogël. Nuk ju kuptojmë, thotë i pari i arinjve. Qenia më e përkryer e Zotit në tokë nuk jemi ne. Nuk është asnjë kafshë. Qenia më e përkryer e Zotit në tokë është njeriu. Ju keni këmbyer jetën e njeriut me jetën e ariut, keni përmbysur rendin e gjërave, keni dalë kundër Zotit! Është krizë luksi. Po nesër? Nesër, në rast krize të njëmendtë, s’e mohoni dot, mund të na shisni për hiçgjë. Mund të na zhdukni krejt si racë, ç’na keni ne përballë vetes?
Ekrani lëkundet. Valëzon, shirita të ngatërruar përdridhen nëpër të. Na falni, difekt teknik, shqipton folësi. Alo, regjia. Ekrani kthjellohet, pamje nga monitorimi i arushës së varruar. Arusha nuk është më në koma. Arusha paska nisë me u zgjue!
Ekrani ofshan i lehtësuar.
Cingërron telefoni i folësit. Ai ia ul zërin. Telefoni dridhet me këmbëngulje. I bezdisur, e ngre. Zë gruaje, tinguj të paqartë, dënesë. Nuk e le ngashërimi me folë. Qetësohuni zonjë, arusha shpëtoi, thotë folësi i televizionit. Gruaja shpërthen në lotë. Zonjëzeza, jam nën… Zëri humb, folësi ngjesh telefonin te veshi. Ah, më duket e kuptova, një grua pyet për gjendjen e djalit të plagosur nga ariu. Do të interesohemi, zonjë, mos u shqetësoni. Qe, fill. Alo, spitali? Presim pak sa të na lidhin me dikë te reparti i kirurgjisë. Ata duhet të dinë diçka.