Kur e gjithë bota është në luftë me “Coronavirus”-in, politikanët e papërgjegjshëm kosovarë bëjnë luftë njëri me tjetrin për pushtet. E filluan me mocionin për rrëzimin e qeverisë, tani po vazhdojnë betejën e re politike në kuvend në rrethana të jashtëzakonshme, gjë e cila nuk ndodhë në asnjë vend të botës.
Sikurse seanca e parë e jashtëzakonshme e ditës së merkurë e 25 marsit 2020, me kërkesën e LDK-së, në rrethana të jashtëzakonshme që rezultoi me rrëzimin e qeverisë legjitime, edhe seanca e nesërme e jashtëzakonshme, ditë e martë, 14 prill 2020 me kërkesën e PDK-së, kinse për miratimin e një pako emergjente financiare, do të shkaktojë turbulenca të reja politike në Kuvend.
Sikurse njëra, ashtu edhe tjetra janë seanca të orkestruara që për qëllim të fundit kanë luftën politike për pushtet e jo interesin e qytetarëve.
Për dallim nga seanca e parë e jashtëzakonshme në kohë pandemie, kur u shkarkua qeveria, në të cilën deputetët e PDK-së qendruan të heshtur gjatë realizimit të planit të tyre 100 % përmes LDK-së, në seancën e nesërme të jashtëzakonshme, përseri në kohë pandemie, do të jenë të koordinuara mes tyre LDK-ja dhe PDK-ja, ku si zakonisht më të zëshmit në diskutimet e tyre kundër qeverisë në detyrë të Albin Kurtit do të jenë këta të fundit, të ndihmuar nga AAK dhe NISMA.
“Testi demokratik” i fushatës në kuvend
Është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë në seancën e nesërme e Kuvendit, për shkak se aq të paparashikueshëm janë bërë politikanët kosovarë, saqë nuk ju besohet më për asgjë!
Seanca do të jetë një “test demokratik” i fillimit të fushatës elektorale në Kuvendin e Kosovës dhe jo vetëm. Në këtë seancë do të maten impulset e deputetëve dhe analizohet mundësia e grupimeve të reja parlamentare për formimin e qeverisë së re në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
Për më tepër se kaq, seanca e nesërme e kuvendit, përveqse do të shënojë fillimin e fushatës elektorale në parlament, do të jetë kjo edhe përballja e parë mes LVV-së PLAN-it në kuvend.
PLAN apo LAN, si do që të jetë varianti final, po vërtetohet se futja e NISMA-s në kuvend ishte plan, përderisa qeveria e re e dalë nga kjo përbërje do të jetë nën tutelën e plotë të Hashim Thaçit dhe ndërkombëtarëve deri në nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë.
Variantet e zgjedhjes së qeverisë së re
Pas shkarkimit të ‘qeverisë së shpresës’, ekzistojnë dy variante të formimit të qeverisë së re. Sikurse në variantin e parë, nëse Lëvizja Vetëvendosje si parti e parë në zgjedhjet e 6 tetorit, propozon mandatarin e ri dhe provon ta bëjë shumicën në kuvend, ashtu edhe në variantin e dytë, kur mandati do t’i kalohet partisë dytë të dalë në zgjedhjet e 6 tetorit, në këtë rast LDK-së, me marrëveshje të kësaj të fundit me partitë e PAN-it, do ta kemi një qeveri kalimtare me një afatë të shkurtër qeverisës.
Kjo qeveri kalimtare e PLAN-it do ta ketë një dhe vetëm një mision politik, përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi, respektivisht nënshkrimin e marrëveshjes politike e cila është në “Stand By” tani e një kohë të gjatë në kancelaritë e larta perëndimore.
Rregullat parlamentare, kushtëzojnë vullnetin për zgjedhje
Shteti i Kosovës nuk është monarki, por është Republikë Parlamentare dhe se duhen respektuar rregullat parlamentare, gjegjësisht vulneti i shumicës së deputetëve në Kuvend.
Organizimi politik i vendit tonë, si Republikë Parlamentare që jemi, e bën që populli i Kosovës nuk mund të zgjedh drejtëpërdrejt kryeministin, presidentin dhe as kryeparlamentin por vetëm përbërjen e Parlamentit të Kosovës.
Pra, përbërja e Parlamentit si produkt i votës së qytetarëve, vendosë për zgjedhjen e drejtuesve të tri institucioneve më të larta në vendn tonë.
Për të mos u lëshuar më thellë aktet kushtetuese, janë tri raste kur shkohet në zgjedhje të reja parlamentare; dështimi në zgjedhjen e presidentit, dështimi në zgjedhjen e qeverisë dhe (vet) shpërbërja e kuvendit.
Si rezultat i mos marrëveshjeve për tejkalimin e krizës institucionale pas rrëzimit të qeverisë, do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ai i cili i determinon zhvillimet e mëtutjeshme politike rreth formimit të qeverisë apo shkuarjes në zgjedhje të reja pas tejkalimit të “Covid-19”-it.
Edhe në rast të dështimit të zgjedhjes së qeverisë së re në Kuvendin e Kosovës, vendi nuk mund të shkojë menjëherë në zgjedhje për shkak të situatës së krijuar nga “Covid-19”, prandaj është i domosdoshëm kompromisi politik për zgjedhjen e një qeverie kalimtare, si do të quhet ajo “teknike” apo “politike”, derisa të krijohen kushte për (vet) shpërbërjen e parlamnetit, gjegjësisht organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare.