Ballina Sport Ideja e çmendur në Angli, 4 ndeshje në ditë në mitikun Wembley

Ideja e çmendur në Angli, 4 ndeshje në ditë në mitikun Wembley

 

Në Angli, pandemia e Koronavirusit nuk ka arritur akoma pikun, por 20 klubet e Premier League-s dëshirojnë të mbarojnë sezonin me çdo kusht dhe po studiojnë mënyrën më të mirë për ta bërë atë. Siç raporton gazeta “Sun”, kjo javë do të jetë vendimtare për rifillimin e garës, që ka shumë gjasa të ndodhë në qershor. Duke pasur parasysh që ndeshjet do të zhvillohen me dyer të mbyllura, për të kufizuar rrezikun e infeksionit, sipas “Mirror”, Federata e Futbollit do të vinte në dispozicion stadiumin Wembley, ku do të luheshin 4 ndeshje në ditë.

“Reuters” gjithashtu zbulon se Qendra Kombëtare e Futbollit “St George’s Park” (ka 228 dhoma hoteli dhe 13 fusha futbolli) do të vihet në dispozicion të klubeve, që mund ta përdorin atë si bazë trajnimi në karantinë, në mënyrë që të mbajë sa më të bashkuar lojtarët dhe stafet.

Në Angli duan me çdo kusht mbylljen e sezonit, teksa kanë mbetur edhe 92 ndeshje në total. Jo vetëm për shkak të presionit të FIFA-s, por edhe për faktin se janë shumë para në lojë, veçanërisht nga të drejtat televizive. Nëse nuk përmbyllet kampionati, klubet do të duhet t’i kthejnë Sky Sports plot 371 milionë stërlina dhe 50 milionë të tjera BT Sports. Kjo do të ishte një goditje e rëndë për futbollin e pasur anglez.

Disa klube tashmë kanë lajmëruar lojtarët për rifillimin e stërvitjes më 11 maj. Do të duhen tri javë përgatitje dhe më pas do të luhen ndeshjet e mbetura, me Liverpoolin që pret thjesht matematikën për t’u kurorëzuar kampion pas 30 vitesh.