Ballina Enciklopedi Qentë do trajnohen të nuhasin koronavirusin

Qentë do trajnohen të nuhasin koronavirusin

Një organizatë në Britani thotë se mund të trajnojë qentë e saj për të identifikuar bartësit e koronavirusit. Organizata “Medical Detection Dogs” ka trajnuar me sukses qentë në të kaluarën për të pikasur sëmundje, si kancerin e prostatës, parkinsonin dhe malarjen.

Qen të trajnuar posaçërisht mund të ndihmojnë në identifikimin e bartësve të virusit COVID-19 dhe të ndihmojnë kështu për vendosjen nën kontroll të përhapjes së sëmundjes.

Një organizatë bamirëse në Britani, “Medical Detection Dogs”, e cila trajnon kafshët të pikasin sëmundjet, thotë se po përgatiten të trajnojnë qentë që punojnë në terren për të nuhatur brenda disa sekondash rastet me koronavirus.

“Do të varet nga disponueshmëria e mostrave, pra sa aromë do të ketë nga virusi. Megjithatë, gjashtë javë duhet të mjaftojnë për t’i trajnuar qentë dhe për t’i nxjerrë në terren që të gjurmojnë këtë sëmundje”, thotë dr. Claire Guest, drejtore ekzekutive e organizatës “Medical Detection Dogs”.

Nga një bashkëpunim i organizatës me Shkollën e Londrës për Higjienën dhe Mjekësinë Tropikale dhe me Universitetin Durham, u provua që qentë mund të trajnohen të pikasin malarjen.

“Pra, ne e dimë që qentë kanë aftësi habitëse për të nuhatur dhe për të mësuar aroma të reja. Nëse COVID-19 ka aromë të dallueshme, atëherë ne do të jemi në gjendje të trajnojmë qentë që ta pikasin”, thotë Profesor James Logan, i Shkollës së Londrës për Higjienën dhe Mjekësinë Tropikale.

Qentë janë trajnuar në të kaluarën me sukses për të pikasur sëmundje të tjera.

“Gjatë 13 viteve të fundit, i kemi trajnuar qentë të gjurmojnë një numër sëmundjesh, ndër to kancerin e prostatës, kancerin e fshikëzës, sëmundjen e Parkinsonit dhe malarjen”, thotë Rob Harris, trajnues i qenve nuhatës.

Organizata i ka ofruar ndihmën e saj qeverisë britanike.

“Një ekip qensh mund të skanojë deri në 4,500 njerëz në ditë, mund të shquajë individët që duhet të testohen me shpejtësi dhe që duhet të rikthehen në izolim pasi janë bartës pa simptoma që e përhapin virusin kudo… Qentë mund të punojnë gjithashtu në pikat hyrëse. Pasagjerët e ardhur p.sh. me avion nga Italia e veriut do të inspektohen dhe personat që pikasen do të testohen dhe izolohen menjëherë”, thotë Dr. Guest.

Qentë kanë gjithashtu aftësinë të dallojnë ndryshimet më të vogla të temperaturës në lëkurë, pra mund të tregojnë gjithashtu nëse dikush ka temperaturë. Që nga themelimi i saj në vitin 2007, organizata “Medical Detection Dogs” ka prodhuar disa punime shkencore që mbështesin idenë se çdo sëmundje ka aromën e saj unike.