Ballina Kulturë NJERËZIT E BRENDSHËM DHE DIKTATURAT

NJERËZIT E BRENDSHËM DHE DIKTATURAT

Cila diktaturë, doktor, cila ngrehinë tmerri qysh prej lashtësisë e deri sot u shemb nga të nesërmit ose nga të jashtmit, a nuk janë rrëzuar të tëra nga bashkëkohësit e brendshëm, që u ranë moh, i tradhtuan? Nga njerëzit që kishin marrë trajtë në to e nën to? Sepse ata ishin aty. Sepse kurrkush tjetër nuk mund t’ua njihte aq mirë përbrendësat, rropullitë, zorrët e barkut, nuk mund t’ua dinte krimet e përbindshme, mekanizmat e funksionimit, pikat ku ndihen ligsht. Ata që s’kishin lerë nuk mund ta bënin këtë. As ata, të cilëve nuk ua dinte kuki, qafa. Opozitarët e njëmendtë e disidentët qenë kalbur nëpër burgje e nëpër gropa pa emër, shtatë pashë nën dhé.

Nuk është kështu? Nuk erdhën amerikanët me e shembë komunizmin në gjysmën e kontinentit, nuk erdhën as te ne. Amerikanët frymëzuan, por punën e bënë njerëzit e brendshëm. Kush në ballë, kush një fjalë, secili sa diti e sa mundi.

-Nga romani “Piloti i qytetit nën borë” I Mehmet ELEZIT-