Ballina Ravijëzime AJO GRUA – Nga Mark SIMONI

AJO GRUA – Nga Mark SIMONI

Nuk e di se nga telat e cilit ballkon,
Era fluturoi,
Këmishën e natës së një gruaje.

Sillet mbi lagje këmisha e bukur e saj,
Bën ojna në ajër, përdridhet, gjasmon,
Sikur vallëzon.
Dridhet këmisha maje pemëve,
Si një trup që bën dashuri,
Dhe pastaj kalon pranë dritareve,
Duke zgjuar nga gjumi i thellë gjithkënd.

Ç’trup të ngrohtë ka mbajtur brenda vetes ajo këmishë,
Ç’hire, ç’afshe të bukura,
Tundime të lehta,
Klithje të mbytura kënaqësie
“Ohe” të pa zë?
Por unë
S’kam nga t’ia di netët,
Kësaj këmishe të hollë nate.

Sillet, përvidhet e përdridhet në ajër,
Këmisha lakuriqe e një gruaje,
Mbi mëhallë fluturon.

Trupi i gruas së panjohur,
Diku, në ndonjë dhomë,
Sheh ëndërra të bukura tek fle,
Dhe supeve patjetër ka ftohtë.