Ballina Aktualitet Trumpi paralajmëron kohëra “të tmerrshme”

Trumpi paralajmëron kohëra “të tmerrshme”

Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëron dy javë shumë të ashpra për amerikanët, në luftën kundër pandemisë së virusit Corona. “Do të jenë kohëra të tmerrshme”, thotë presidenti.

SHBA po përballen me probleme jashtëzakonisht të mëdha në kohën e pandemisë së virusit Corona, sepse ky është vendi me numrin më të madh të infektimeve në mbarë botën. Presidenti i vendit, Donald Trump pohon madje se dy javët e ardhshme do të jenë edhe shumë më të rënda për vendin, në luftën kundër pandemisë. Para nesh kemi një periudhë “shumë të tmerrshme”, thotë presidenti Trump.

“Ne jemi duke u futur në një periudhë, e cila do të jetë shumë e tmerrshme”, deklaroi presidenti Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Do të ketë shumë të vdekur”, theksoi presidenti amerikan. “Ne nuk kemi parë ndoshta kurrë më parë shifra të këtilla. Ndoshta kemi parë vetëm gjatë luftës, gjatë Luftës së Dytë Botërore.” Javët e ardhshme, por edhe javët në vijim, do të jenë ndoshta javët më të këqija.

SHBA kanë shënuar ndërkohë numrin më të lartë të personave të infektuar me virusin COVID-19. Më shumë se 350.000 persona të infektuar janë regjistruar deri pasditen e ditës së dielë, njofton Universiteti Johns-Hopkins në Baltimore. Deri të dielën në mesditë ka pasur më shumë se 8500 të vdekur nga pasojat e virusit Corona.

Në të ardhmen 2600 të vdekur në ditë?

Ekspertët llogarisin me mundësinë e rritjes dramatike të numrit të të vdekurve brenda një dite. Përkundër masave shumë të rrepta, që po ndërmarrin autoritetet amerikane, ekspertët thonë se numri të vdekurve brenda ditës mund të shkojë deri nga mesi i prillit në rreth 2600. Këshilltarja e presidentit Trump, Deborah Birx tha se eskpertët kanë arritur deri te kjo shifer, në bazë të lakores së numrit të të vdekurve dhe të infektuarve. Instituti IHME i Universtietit Washington në Seattle konstaton në bazë të modeleve studimore se numri i të vdekurve në SHBA, deri në fund të prillit mund të shkojë deri në rreth 70.000, ndërsa deri në qershor në rreth 90.000. Deri tani në mbarë botën nga pasojat e infektimit me virusin Corona kanë vdekur rreth 70.000 persona. Vendet më të prekura jashtë SHBA janë Italia dhe Spanja. Ekspertët mjekësorë në Shtëpinë e Bardhë thonë se numri i përgjithshëm i viktimave në SHBA nga kjo pandemi mund të shkojë deri në 240.000.

Gjendja më e keqe aktualisht është në New York, ku deri në mëngjesin e ditës së dielë ka pasur rreth 113.000 raste të regjistruara të infektimeve dhe mbi 3600 të vdekur. Guvernatori Andrew Cuomo thotë se institucionet po punojnë me të gjitha kapacitetet për të zbutur gjendjen me këtë epidemi dhe po përgatiten për kohëra edhe më të vështira. “Sa më shumë kohë që kalon, aq më të ngakuara do të jenë kapacitetet tona”, deklaroi ai para gazetarëve. Guvernatori shpreson se në New York do të vërehen shumë shpejt edhe rezultatet e para pozitive, si pasojë e masave mbrojtëse që janë ndërmarrë kohët e fundit. “Do të doja që e gjitha të përfundojë sa më parë”, thotë Cuomo.