Ballina Aktualitet Mbretëresha Britanike apelon për disiplinë

Mbretëresha Britanike apelon për disiplinë

Mbretëresha Elizabeta e II i drejtohet popullit për shkak të krizës së Coronës. Mbretëresha bën thirrje për disiplinë dhe vendosmëri.

Mbretëresha britanike Elizabeta e II-të ka mbajtur të dielën në mbrëmje një fjalim drejtuar kombit, që është fjalimi i saj i katërt i këtillë në kohën e mbajtjes shumëdekadëshe të fronit. Ky fakt flet vetëvetiu për rëndësinë që mbretëresha, por edhe e mbarë bota po i kushtojnë luftimit të pandemisë së virusit Corona. Mbretëresha apelon tek populli i saj që të tregojë disiplinë dhe vendosmëri në luftën kundër pandemisë së virusit Corona.

“Shpresoj se në vitet e ardhshme të gjithë ne do të jemi krenarë me mënyrën se si jemi përballur me këtë sfidë të rrezikshme”, thotë mbretëresha në fjalimin e saj drejtuar kombit. Pjesë të këtij fjalimi janë publikuar edhe më parë gjatë ditës së dielë, në mënyrë që populli të njoftohet me qëndrimet e mbretëreshës.

Ndërsa fjalimi i saj konsiderohet nga shumë analistë dhe njohës të rrethanave si një shenjë se qeveria britanike është e shqetësuar thellë për zhvillimet në vend, sepse ditët e fundit është rritur shumë numri i të vdekurve nga pandemia e virusit Corona. Vetëm ditën e shtunë nga ky virus kanë ndërruar jetë mbi 700 persona, ndërkohë që numri ka qenë shumë i lartë edhe ditën e dielë. Deri tani në spitalet britanike kanë vdekur nga kjo sëmundje më shumë se 5000 vetë. Nga pasojat e infektimit me Covid-19 njoftohet të ketë vdekur edhe një fëmijë pesëvjeçar.

Të infektuar edhe princi Charles dhe kryeministri Boris Johnson

Numri i të infektuarve në Britani të Madhe ka kaluar shifrën prej 45.000. Ndër të infektuarit janë edhe djali më i moshuar i mbretëreshës, pasardhësi në fron, princi Charles si dhe kryeministri britanik, Boris Johnson. Kryeministri Johnson ende është në izolim, për shkak të problemeve me organet e frymarrjes. Ndërkohë që princi Charles është liruar nga masat e izolimit. Në kohën pas konfirmimit të infektimit ai nuk ka pasur kurfarë kontakti me prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij.

Fjalimi i mbretëreshës i regjistruar më parë në kështjellën Windsor është publikuar në mediat britanike në ora 20. Mbretëresha 93-vjeçare ka falënderuar edhe bashkëpunëtorët e saj si dhe të gjitha institucionet dhe punëtorët shëndetësorë për punën që po bëjnë në evitimin e pasojave edhe më të rënda të virusit Corona. Këto institucione dhe shërbimi i shëndetësisë janë tani ndër më të ngarkuarit me gjendjen.

Mbretëresha tradicionalisht flet vetëm në kohën e Krishtlindjeve, ndërsa në kohërat e tjera ajo prononcohet shumë rrallë për çështjet dhe zhvillimet. Deri tani ajo i është drejtur kombit në kohën e luftës së Gjirit në vitin 1991, në vitin 1997, pas vdekjes së princeshës Diana dhe me 2002 pas vdekjes së nënës së saj, pra “Queen Mum”. Ky është fjalimi i saj i katërt i këtillë.