Ballina Personazh Lazim Destani, më i pasur shpirtërisht, se materialisht

Lazim Destani, më i pasur shpirtërisht, se materialisht

Shoqërisë sonë i duhen njerëzit e pasur shpirtërisht, moralisht e materialisht. Njerëzit e pasur materialisht, shpirtërisht e moralisht, janë vlerë e një kombi dhe shoqërie. Në mendësinë tonë ende ka inercione nga sistemi komunist, i cili e demonizonte njeriun e pasur. Sistemi komunist e lartësonte “filozofinë e barazisë”, që hidhet poshtë nga filozofi i filozofisë personaliste dhe ekzistencialiste, Nikolaj Bedjajev.

Bota, shoqëria, njeriu, nuk zhvillohen kur të gjithë duam t’i bëjmë të njëjtë, por kur ka sistem vlerash dhe parime morale. Njerëzit nuk janë të njëjtë sipas aftësive në një profesion të caktuar. Ata janë të barabartë vetëm para Zotit dhe duhet të jenë të barabartë edhe para ligjit.

Lazim Destani është njeri i pasur materialisht, por kjo nuk thotë shumë nëse ai nuk do të ishte i pasur shpirtërisht e moralisht. Janë të shumta kontributet e tij për të mirën e shoqërisë sonë. Me kontributin e tij, së fundmi, u rregulluan varrezat e qytetit të Tetovës, pronë e Myftinisë së Tetovës dhe kanë marrë pamjen ashtu siç duhet ta kenë.
Varrezat e rregulluara, të bukura, të mirëmbajtura, janë shenja nderimi dhe respekti për të vdekurit, për traditën. Pa respektin ndaj të vdekurve, humb respekti për të gjallët. Varret janë vende të shenjta dhe shenja identitare. Ato janë imazhi i të gjallëve dhe i një shoqërie. Aty ne lutemi për shpirtrat e të dashurve tanë dhe e ruajmë kujtimin për ta. Aty ne ndjejmë frymën hyjnore. Aty i drejtohemi Zotit dhe vetvetes. Aty e ndjejmë se jemi vetëm udhëtarë të përkohshëm në këtë botë, në të cilën duhet të mbjellim pemë mirësie, dashurie, fisnikërie dhe solidariteti.

Për këtë projekt të fisëm kanë merita edhe drejtuesit e Myftinisë së Tetovës. Myftinia udhëhiqet nga personalitete me shumë kulturë e ide, që kontribuojnë me përkushtim për jetën tonë komunitare. Jam i bindur se do të kemi edhe shumë projekte të dobishme nga kjo Myftini, në bashkëpunim me njerëz të vullnetit të mirë, siç është i nderuari Lazim Destani.

Rinovimi i varrezave të qytetit është një prej kontributeve të shumta dhe të çmuara të zotit Destani, tek i cili ka një fisnikëri prej zotëriu të vërtetë, një shpirtbardhësi, që e hasim në viset prej nga e ka origjinën, një përzemërsi ndaj bashkëbiseduesit, një dëshirë që botën ta bëjë më të mirë nga çfarë është.

E çmoj të nderuarin Lazim Destani për projektet e dobishme të tij për shumë njerëz; për qasjen moderne ndaj shoqërisë; për respektin që ka ndaj kulturës, arsimit, religjionit, sportit, të rinjve. Mendjendrituri Midhat Frashëri thotë se për të pasur një shoqëri normale duhet që i dituri të kujdeset për të paditurin, i pasuri për të varfrin dhe i shëndoshi për të sëmurin.
Lazim Destani është prej të pasurve që kujdeset për të varfrit, jo vetëm duke i ndihmuar ata kur kanë nevojë, por edhe duke hapur vende pune. Një njeri që punon bën edhe jetë të dinjitetshme. Lazim Destani, me ndjenjën prej mecene, i ka bërë shërbim të madh kulturës dhe arsimit në kohëra shumë të vështira, kurse ky kontribut do të mbetet pasuria e tij e përhershme. Tek ai e hasim respektin për artistin, shkrimtarin, mendimtarin.
Tek ai hasim dashurinë e madhe për dijen, përparimin, të fismen. Kjo është pasuria më e madhe që ka ky Njeri. Për këtë pasuri ai do të përmendet përherë dhe me respekt. Ka shumë njerëz të pasur materialisht që janë e mira e familjeve të tyre, ndërkaq njerëzit e pasur materialisht dhe shpirtërisht, si zoti Destani, janë e mira e kombit, sepse japin kontribut të madh për jetën e përbashkët. Njerëzit e çmojnë Lazim Destanin, sepse tek ai shohin njeriun e sinqertë, të fisëm dhe me virtyte, që para se të ndërmarrë një projekt mendon gjatë, prandaj nuk dështon. Dhe çdo projekt i tij sjell dobi për shumë njerëz.