Ballina ED/OP Kriza e Coronës provë ekzistenciale për BE

Kriza e Coronës provë ekzistenciale për BE

Kriza e Coronës e vendos Bashkimin Europian para pyetjes vendimtare: A është e nevojshme bashkësia për të menaxhuar pasojat e krizës? Ursula von der Leyen po përpiqet të përballet me këtë sfidë, komenton Bernd Riegert.
Këto ditë krize të pashembullt të Coronës, përsëritet në BE një model i vjetër politik:

1) Nëse gjërat shkojnë keq, atëherë fajin e ka Bashkimi Europian.

2) Nëse gjërat shkojnë mirë, atëherë kurorën me dafina e marrin qeveritë e vendeve anëtare

Bashkimi Europian në Bruksel po përpiqet të koordinojë përgjigjet që jepen në pandeminë e Coronës. Vetë BE ka pak kompetenca në çështjet shëndetësore, luftimin e epidemive apo edhe kontrollin e kufijve. Ajo mund të veprojë vetëm, nëse shtetet anëtare bien në ujdi dhe i japin porosi Brukselit. Para zhvillimeve dramatike të javëve të fundit, fillimisht çdo shtet veproi më vete, gjë që është edhe e kuptueshme. Qeveritë kanë më të afërt qytetaret e qytetarët e vendeve të tyre. Kufijtë u mbyllën shpejt dhe pa koordinim, zinxhirët e furnizimit u ndërprenë apo u ndal eksporti i maskave mbrojtëse. BE si institucion duhet të ndërhynte më pas për të vendosur rregull brenda kaosit dhe të kufizonte dëmin mbarëeuropian.

Ajo që dukej e pamundur, tani është bërë e mundur

Në këtë rol ndodhet tani Komisioni Europian dhe presidentja e tij, Ursula von der Leyen. Ajo po bën gjithçka për të krijuar përshtypjen, se nuk do të gjunjëzohemi para krizës së Coronës dhe se për këtë krizë duhen përgjigje solidare. Von der Leyen po profilizohet si menaxhere e krizës. Një detyrë e vështirë, dhe para disa javësh e pamendueshme. Sepse mundësitë e saj për të vendosur vetë janë të kufizuara. Ajo as nuk mund të hapë postblloqet e kontrollit dhe as nuk mund të blejë vetë aparate mjekësore.

Von der Leyen bën vetëm presion përmes një serie propozimesh publike për kontrollet kufitare, instrumentat e financimit, siguracion në rast papunësie apo për kufijtë e futjes në borxhe. Qeverive të vendeve anëtare nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të pranojnë në fund propozimet e KE. Sepse Komisionin Europian, presidentja e ka shndërruar në menaxhment të krizës. Ajo që kërkonte javë apo muaj, tani merr fund brenda disa orësh. Tabutë bien njëra pas tjetrës.

Por kjo bën që tema të tjera të rëndësishme në BE të dalin jashtë vëmendjes: erozioni i shtetit ligjor në Hungari dhe Poloni vazhdon i pandëshkuar. Politika e migracionit lihet mënjanë, mbrojtja e klimës shtyhet në kohë. Mposhtjes së Coronës i nënshtrohet gjithçka, sepse presidentja e KE, që ndodhet në post prej katër muajsh, e ka kuptuar, se Corona është një test për vetë BE. „Të jesh apo të mos jesh”, pyetja shekspiriane shtrohet tani për bashkësinë e shteteve europiane. „Ne kemi parë me sy greminën”, tha von der Leyen për gjendjen e unionit para një jave. Tani e kemi vetë në dorë, t’i japim një kuptim dhe detyrë BE-së në zgjidhjen e krizës.

Garancitë e dikurshme nuk rezistojnë më

Në vetëm tre javë virusi Corona ka shkatërruar shumë arritje pozitive në BE, të krijuara në dekadat e mëparshme: tregu i brendshëm është dëmtuar, zona e Shengenit nuk funksionon më, valuta e unionit ndodhet sërish në testim, madje edhe programi i shkëmbimit studentor, Erasmus nuk ekziston më.

E përse duhet një BE pra pas Coronës? Përgjigja e Komisionit Europian është: Për rimëkëmbjen. Për këtë BE-së i duhet të rigjejë veten, ndryshe ka për t’u shkatërruar. Presidentja e KE i kushtohet variantit të parë dhe bën të ditur një “Plan Marshall” si edhe një ristrukturim të plotë të buxhetit të BE. Ky është një hap i guximshëm, sepse nëse gjërat në fund nuk shkojnë si duhet, atëherë ajo do të mbetet fajtore. Nëse gjërat shkojnë mirë, me kurorën e dafinave do të zbukurohen krerët e shteteve dhe qeverive.

Pa financim të përbashkët nuk ka zgjidhje

Prova e vështirë për BE vjen që javën e ardhshme. Këtë javë do të vendoset, se si do financohen shumat gjigande për të cilat do të kenë nevojë Italia, Spanja, Franca, por edhe Gjermania, për të mbijetuar gjendjen e komës së ekonomive të tyre popullore. Nëse këto instrumente do të quhen „corona bonds” apo jo është vetëm një çështje e marketingut politik dhe jo e substancës. E qartë është që ky financim duhet të jetë i përbashkët, përndryshe BE do të marrë fund. Gremina, për të cilën e ka fjalën Ursula von der Leyen, është shumë afër. /Bernd Riegert/ DW/