Ballina ED/OP Richard Grenell, diplomati pa diplomaci i presidentit Trump – Nga Gani QARRI...

Richard Grenell, diplomati pa diplomaci i presidentit Trump – Nga Gani QARRI – Zvicër

Grenell favorizohet nga presidenti jo për suksesin në diplomacinë që zhvillon, por për faktin se ai bënë atë që Trump dëshiron!

Richard Allen Grenell u lind më 18 shtator të vitit 1966 në Jenison të shtetit Michigan në SHBA.

Pas mbarimit të fakultetit në Evangel University, ai magjistroi për administratë publike në John F. Kennedy University, të Harvardit.

Një kohë punoi si publicist i lirë dhe komentues për politikë të jashtme në Agjencinë informative Fox News.

Si anëtar i partisë republikane në vitin 2001 Grenell u emërua nga presidenti Gjorgj W. Bush zëdhënës i ambasadës së SHBA-s në Kombet e Bashkuara, ku shërbeu për mese 8 vite me radhë, deri në shtator të vitit 2008, nën administrimin e katër ambasadorëve.

Pas shtatorit të vitit 2008, tanimë si diplomat me përvojë, ai sërish vijoi angazhimin e tij si publicist dhe komentues i politikës së jashtme, por tani për rrjetin e lajmeve “Breitbart News Network”, me seli në Los Angeles, e cila ka degët e veta në Texas, Londër e Jerusalem, agjenci që politikisht konsiderohet si media populiste e krahut të djathtë deri në radikale djathtiste.

Grenell në vitin 2010 themeloi firmën konsultuese “Capitol Media Partners”, e që për klient pati edhe emra si oligarku moldav Vladimir Plahotniuc, të cilin Grenell, duket të mos e ketë raportuar, sipas ligjit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj.

Në vitin 2012 Grenell iu bashkua ekipit të fushatës presidenciale të Romneiy-t, por vetëm pak kohë më vonë u detyrua të largohej nga ky ekip, siç arsyetohet vet ai, për shkak të kundërshtive ndaj orientimit të tij seksual.

Me këtë rast duhet theksuar se Grenell është nga diplomatët më të lartë i cili qysh me 1999,kishte deklaruar publikisht se është “Gay”.

Partneri i tij është Matt Lashey me të cilin bashkëjeton, rreth 17 vite me radhë.

Në verë (qershor) të vitit 2013 Grenell do të diagnostifikohej me një sëmundje malinje limfatike të njohur si “Non-Hodgkin-Lymphom”, por gjendja shëndetësore e tij, pas një terapie disamujore me kimioterapi, në shtator të atij viti, nisi të shkonte drejt përmirësimit.

Në vitin 2017, Grenell u propozua për ambasador në Gjermani, akt i cili nxiti interesim të veçantë publik për shkak se për herë të parë një politikan homoseksual po ngrihej në një pozicion kaq të lartë diplomatik nga qeveria e presidentit Donald Trump.


Por megjithëse emërimi zyrtar i z.Grenell nga presidenti Trump, për ambasador në Gjermani u bë me 5 shtator të vitit 2017, Senati amerikan nuk e votoi kandidaturën e tij deri më 26 prill të vitit 2018, kështu që përfaqësia diplomatike e SHBA-ve në Berlin, për 15 muaj, mbeti pa ambasador.

Ndaj,vetëm me 8 maj të vitit 2018, Richard Grenell mundi të vendosej në ambasadën amerikane në Gjermani kur dhe i dorëzoi letrat kredenciale presidentit të shtetit gjerman, Walter Steinmaier, zyrtarisht.

Për habi të gjermanëve, është shumë sinjifikante të ceket, se qysh në ditët e para të punës së tij, Grenell startoi me agresivitet të skajshëm duke kërkuar në mënyrë urdhëruese nga firmat gjermane ndërprerjen e çdo lloj marrëdhënie me firmat dhe shtetet të cilat SHBA i kishin vënë nën sanksione.

Raportet  e Grenellit me udhëheqësit e Gjermanisë u acaruan deri në atë masë, sa që ai u akuzua për shkelje të rregullave diplomatike dhe diktim të udhëzimeve të drejtpërdrejta ndaj shtetit gjerman.

I irrituar nga këto sjellje, diplomati i njohur dhe me përvojë të gjatë Wolfgang Ischinger e porositi z.Grenell, që si ambasador, të mos jepte leksione dhe shpërndante udhëzime për vendin mikpritës.

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto,pa kaluar as një muaj i plotë që kur ai kishte nisë punën e ambasadorit në Gjermani, me 3 qershor të viti 2018,në një intervistë në “Breitbart News Network” Grenell deklaroi publikisht se do të ndërhynte në mënyrë aktive, për fuqizimin e “forcave konservatore” në Evropë.

Ndaj gazeta zvicerane “NZZ- Neue Zürcher Zeitung”, e habitur me deklarimet e tij, në një koment të datës 18 janar 2020,me titull: «Der andere Blick»: Die unbequemen Wahrheiten des Richard Grenell, që përkthyer në shqip, don të thotë; “Pamja tjetër”: Të vërtetat e pakëndshme të Richard Grenellit, korrespondenti Hansjörg Müller nga Berlini, shkruan: “Rrallë herë ka pasur një diplomat më jodiplomatik se Richard Grenell!”

Ndërsa sipas gazetës “Stuttgarter Zeitung” të 4 qershorit 2018, ish kryetari i SPD-s, Martin Shulz, shprehej se z.Grenell ishte i papërshtatshëm për detyrën e ambasadorit dhe po sillej si oficer i djathtë kolonizator.

Për aq më tepër, me 19 mars 2019 gazetat “welt.de”, “nzz.ch”, “focus.de”, etj, shkruajnë se nënkryetari i Bundestag-ut gjerman dhe nënkryetari i FDP-së, Wolfgang Kubicki, kërkoi nga Ministri i Jashtëm Heiko Maas, dëbimin e menjëhershëm të ambasadorit Grenell,për shkakun se ai nuk vepronte si diplomat amerikan, por si komandant i një fuqie okupuese në Gjermani.

Si për koinçidencë, po ky diplomat pa diplomaci, pra z.Richard Grenell më 4 tetor të vitit 2019, u emërua i dërguar special i presidentit Trump për ndërmjetësimin e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Nga kjo kohë duket se Gjermania e madhe shpëtoi nga diktatura e z. Grenell, por tani nën komandën e tij të rrept, është vënë pikërisht Kosova jonë e vogël.

Madje z.Grenell nuk po lë asnjë dyshim se edhe në raport me vendin tonë të shumëvuajtur,të dalë para pak vitesh nga okupimi klasik i Serbisë, me dhjetëra mijëra të vrarë dhe mbi 6500 ende të pagjetur, që nga fillimi ka nisë të veprojë,jo si ndërmjetësues por si komandant dhe guvernator fuqiplotë i Kosovës, duke rrëzuar e ngritur edhe qeveritë në vend.

E përkundër faktit se nga përvoja me aktivitetin diplomatik, jo vetëm gjatë qëndrimit të tij në Gjermani, edhe shtypi gjerman ndanë mendimin se Grenell favorizohet nga presidenti jo për suksesin në diplomacinë që zhvillon, por për faktin se ai bënë atë që Trump dëshiron, ndërhyrjen e tij dhe gjendjen e rëndë të pandemisë me Koronavirus në Kosovë, po e keqpërdorin pa asnjë pardon, hajdutët dhe kriminelët më të pështirë që për dy dekada me radhë e zhvatën dhe rrjepën këtë vend, të cilët janë bërë të gjithë bashkë për tu rikthyer serish me çdo kusht në pushtet dhe vazhduar krimin e organizuar, mbrojtur pasuritë e tyre të paligjshme dhe rrezikuar edhe ekzistencën e shtetit të Kosovës.