Asgjë nuk lind prej hiçit e për më tepër qenjet e rralla dhe humane që dhe më të shtrenjtën gjë, me jetën, njësohen me ashtin e Kombit, për të çimentosur skeletin tonë etnik, Lisin Kombëtar, kahmot të dëmtuar, në shekuj të gjymtuar e sakatuar nga sëpatat e konferencave, kongreseve, memorandiumeve, protokolleve, marrëveshjeve të fshehta që copëtuan trojet iliro- dardano- arbërore.
Këta njerëz janë të privuar nga gjetja për ta e epiteteve që mund t’i determinojë.
Për ata është e vështirë ťë ngresh piedestalin që e meritojnë.
Gjithësesi një gjë është e sigurtë për këta njerëz;
Mbijetesa.
Ata janë fotosinteza e Kombit tonë, janë asht, mish e gjak në trupin e tij, janë këngë e legjenda në artin e tij, shkronja të arta në faqet brilante të historisë së tij.
I tillë je dhe mbetesh, sa kohë të këtë truall e gjak shqiptari, sepse shtepia jote është n’derë të lirisë, pinjoll I shqiptarizmit, i përjetësuar në pavdekësi, Komandant Tahir Sinani.
Ti linde në Tropojë, mes bjeshkëve e rrënjë të forta si lisi lëshove në prehër të alpeve.
Femijëria të burrëroj sepse përbri shtëpisë tënde kishe shtëpinë e Binak Alisë e Mic Sokolit e rrënjët e tua ti vaditi ty o lis uji i Valbonës.
Në odën e sofrën tënde më shumë se me bukë e lodra fëmijërinë ta përcollën Eposi i Kreshnikëve të Jutbinës e vaji i zanave, ninullat për t’u rritur për vatan dhe rastin se humbe.
Qysh i vogël u frymëzove nga fjala e urtë e qendresa e Binak Alisë, kullat e Oso Kukës e Zhuj Selmanit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Besëlidhja e Pejës, heroizmat e Jakup Ferrit e Ali Pashë Gucisë, Col Delisë, Zmajl Hysenit e Mic Sokolit me gjoksin shkëmb, Sef Kosharja në majë të lisit, Abdullah Hoxha e Shaban Binaku me litarin në qafë në emër të Atdheut.
Nga historitë e luftërave të Malësisë së Gjakovës e Kosovës për liri, prijësit e tyre legjendarë Haxhi Zeka Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi, Ahmet Delia, Azem Bejta, Shaban Polluzha.
Kuvendi i Junikut e Konferenca e Bujanit të mbrujtën dhe ushqyen ndjenjën e patriotizmit, atdhedashurisë, etjen për çlirimin kombëtar e bashkim nacional.
Komandant!
Për ty liria nuk është rastësi por aspiratë.
Kosova, Presheva, Tetova nuk ishin vise ku shfaqej humanizmi a internacionalizmi, por pjesë e truallit tënd, gjak i gjakut tënd, dhimbje e kushtrim i shpirtit nacional o trim e luftëtar i vijës së parë që u bëre Bibel e Kuran, betim për Flamur, Komb e Atëdhe, duke siguruar vendin e merituar në sofër të parë, në odën e lirisë, si kallzuesi më autentik i qëndresës shqiptare të kohës tonë.
Komandant!
Ju hytë në historinë e re nga dashuria për Atdheun tënd e deshira e zjarrtë që të vlonte në gji për çlirimin e trojeve shqiptare.
Prirjen luftarake e diturinë ushtarake të fituar në Zall Herr, por dhe gjënë më të shtrenjtë, jetën ia kushtove Kombit dhe lirisë.
Kushtrimit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe luftës historike të UÇK- së së lavdishme, luftës më të organizuar antisllave gjatë një shekulli je ndër eprorët e parë që iu përgjigje.
Në nëntor të vitit 1998 hytë në Kosovë se mezi po prisje të hidheshe në luftime.
Gjeneral!
Ju përgjigjët thirrjes së UÇK -së e ajo të pranoj anëtar të Shtabi të Përgjithshëm të saj.
E formuat Njesitin Arbëri dhe organizove shumë sulme të rrufeshme e të befasishme mbi makinerinë gjakatare serbe duke u shkaktuar humbje të mëdha e duke e shpëtuar popullsinë civile.
Kudo në betejat e ashpra me armikun dhemb për dhemb, përkrah Kalorësit të Lirisë Ramush Haradinajt e trimave të tjerë u dallove për guxim e trimëri të rrallë.
UÇK- ja me mbështetjen e Natos triumfoj, Kosova u çlirua dhe ju u futet ngadhnjimtarë në Zonën e Pashtrikut.
U emëruat Komandant i Zonës Dytë Operative, por shpirti juaj liridashës nuk qetësohej deri në çlirimin e plotë të trojeve shqiptare të pushtuara.
Në vitin 1999 luftëtari rrufe, komandanti i tre fronteve kombëtare hidhet në veprim në Luginën e Preshevës, në Bujanovcin e Ridvan Qazimit (Komandant Lleshit) në Kosovën Lindore.
Në pranëverën e vitit 2001 hidhet në beteja në shpatet e bjeshkëve të Sharit dhe në Likovë, në Maqedoninë e Veriut.
Në qershor të vitit 2001 brigada 116-të e tij vendoset në Zonën e Gostivarit dhe Radikës.
Në të gjitha betejat u dallua për trimëri, intuitë e profesionalizem ushtarak.
Kudo zgjoj admirimin dhe dashurinë e bashkëluftëtarëve e popullit.
Me dt 29 korrik 2001 ra në Malsinë e Gostivarit sëbashku me katër luftëtarë.
Komandant!
Ju lindët me 25 maj të vitit 1964 kur gjysëm shekulli më përpara në vitin 1912 me dt 21-25 maj në Kuvendin e Junikut lindi shpresa, u hartua platëforma e strategjia e Kryengritjes së Përgjithshme nga 250 delegatë nga të gjitha viset të prirë nga Ati i Shtetit Komb Hasan Prishtina.
Nuk është rastësi që pikërisht në kullat e Junikut, të Edmond Hoxhës, ku do të bëheshin bedena kalaje të pathyeshëme gjokset e Bedri Shalës, Bekim Berishës, Elton Zherkës, Permet Vulës UÇK -ja që ju u rreshtuat u njoh zyrtarisht nga përfaqësuesi i SHBA-së, Boldazeri, Gjenerali Hollbruk në qershor të vitit 1998.
Komandant!
Ratë në korrikun e vitit 2001, me dt 29 kur 107 vjet më parë në të njëjtën datë në vitin 1913 Konferenca e Ambasadorëve në Londrër njohu Principatën e Shqipërisë dhe ndau gjymtyrët e lisit kombëtar në pesë copa.
Vdekja ju mori në moshën më të bukur, 35 vjeçare duke lënë pas në pikëllim të thellë familjen e bashkëluftëtarët. Ëndrra juaj e krismave të pushkëve habertare të Çamërisë u shua bashkë me renien tënde në fushën e nderit.
Gjeneral.
Ju ratë se trimat bien, por pushka juaj la gjurmë aty ku i ka plagët vatani për ta çuar në vend amanetin e babës tend e të parëve tu.
Ti jeton Komandant dhe timberi i zërit tend sot buçet fuqishëm nga Ulqini i Balshajve e Teutës, bjeshkët e Ali Pashë Gucisë e Ded Gjon Lulit në Mitrovicën e Isa Boletinit, Vlora e Ismail Qemalit, Peja e Haxhi Zekës e Adrian Krasniqit, Lushnja historike, nga Drenica e trinomit të lirisë Azem Bejta, Shaban Polluzha, Adem Jashari, Deçani i Haradinajve, Klina e Muj Krasniqit , Llapi i Zahir Pajaziti, Kaçaniku i Idriz Seferit, Shkupi i Nënë Terezës e Ali Ahmetit, Kosharja e Agim Ramadanit, Sali Çekajt, Abaz Thaçit, Tetova e Mujdin Aliut, Presheva e Ridvan Qazimit, nga Prizreni i Lidhjes së madhe ku prehen eshtrat tua deri në Tempullin e Lashtë të Dodonës.
Gjaku juaj hyri si det i kuq në Flamurin e Gjergj Kastriotit.
Ju ratë për të mbetur materie e gjallë e ndërgjegjes kombëtare, gurëthemel i Abetares së njësuar e Marrveshjes së Ohërit.
Emri juaj është refren i lirisë, bashkimit e integrimit të trojeve stërgjyshërore të shqiptarisë në Bashkimin Europian.
Gjeneral!
Në anët tona dhe jo vetëm ata që ikin nga kjo Botë qahen e vajtohen, ndërsa për ata që vijnë ka gëzim e këngë.
E pra ti vetëm do të këndohesh se nuk ke ikur por ke ardhur.
Ke ardhur për të mos ikur kurrë.
Pikërisht ketu ndryshon heroi nga i zakonshmi dhe ti mbetesh Hero, urë bashkimi mes lumenjëve të gjakut dhe lotëve të Kombit.
Është e natyrshme që me emrin tuaj të thuren këngë, të thirren rrugë e shkolla.
Komandant!
Ju jeni vërtebër në shtyllën e bashkimit.
Gjeneral!
Flamuri me të cilin ju luftuat është në Bruksel mes flamujëve të NATOS.
Kosova është bërë me ushtri dhe ka shpëtuar nga copëtimi i metejshëm nga Ramush Haradinaj.
Gjuha e Gjergj Kastriotit e Shën Terezës është zyrtarizuar në Maqedoninë e Veriut ku ju luftuat dhe ratë.
E kjo falë këmbënguljes të shokëve tu të luftës me në krye Ali Ahmetin, me këmbënguljen e të cilit si partner i besuar i institucioneve përendimore u materializua antarësimi i Republikës së saj në Nato e rrugëtimi drejt BE-së.
Këtë rrugë e nisi dhe Shqipëria por me kushte.
Shqiptarët e Tuzit jetësuan mesazhin e thuprave të Gjergj Kastriotit dhe finalizuan ëndrrën e Ded Gjon Lulit.
Pas 108 vitesh me dt 3 mars në vitin 2019-të Flamuri i tij u valvitet krenar.
Dardanët presin Dodonën.
Nyja Gordiane panshqiptare mbetet Lugina e Preshevës.
Të shpresojnë për dasmën e madhe.
Homazh për ty o burrë, o Asht i Kombit.
Homazh për të gjithë ata që kanë dhënë jetën për Kauzën Kombëtare, udhën e shenjtë të bekuar nga Zoti.
Ju jeni Misionar i Kombit.
Komandant Tahir Sinani!
Jeni përjetësuar në pavdekësi me refrenin e këngës Tahir Tropoja, Tahir Kosova, Tahir Presheva, Tahir Tetova, Tahir Shqipnia..
Lis i shqiptarizmit përjetësuar në pavdekësi – Nga Azgan HAKLAJ
Dialog me Tahir Sinanin promotorin e tre luftërave për çlirim kombëtar.