E kam thënë në ndonjë rast se po të kishte vetëm fakultete me drejtim ekonomie dhe drejtësie do të mbetesha pa mbaruar ndonjërin prej tyre. Por, falë zotit ka filozofi, sociologji, letërsi, psikologji etj. dhe nuk do të më linin me behane të mospasjes një edukim të nivelit akademik.
Duke u dorëzuar tërësisht nga lëmi i judikaturës, së paku kam të drejtë të pyes ku janë autorët dhe hartuesit e Kushtetutës së Kosovës. Asnjë prononcim, asnjë përpjekje për të dhënë sqarime lidhur me gjendjen aktuale se cila ecuri (sa fjalë e bukur, për të bërë hapa për ecur përpara, për të proceduar) duhet ndjekur që të zgjidhet qeveria e re pas shkarkimit të asaj me vota aq të fuqishme sa mund të ndërrohet edhe vetë Kushtetuta.
Autorët, nëse janë kosovarë, ose përkthyesit e Kushtetutës së Kosovës do t’i pyesja se cilit version të nenit 95 (Zgjedhja e kryeministrit) paragrafit 5 duhet besuar:
Atij shqip, anglisht apo serbisht?
Në gjuhën shqipe shkruhet:
5. Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë (vërejtja ime: mbaj mend partitë, shumës) politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.
Në gjuhën angleze shkruhet:
If the Prime Minister resigns or for any other reason the post become vacant, the Government ceases and the President of the Republic of Kosovo appoints a new candidate in consultation with the majority party (vërejtje imja, parti, njëjës) or coalition that have won the majority in the Assembly to establish the Government.
Në serbisht shkruhet:
5. Ukoliko Premijer da ostavku ili iz nekih drugih razloga njegovo/njeno mesto ostaje slobodno, Predsjednik Republike Kosovo, u konsultaciji sa političkom partijom (vërejtja ime: parti, njëjës) ili koalicijom koja je dobila većinu u Skupštini, imenuje novog kandidata, za formiranje Vlade.
Pra, cilit version duhet t’i besojmë, atij shqip – partitë politike, në shumës, apo atij anglisht – majority party, njëjës si dhe atij serbisht – politickom partijom, njëjës.
Versioni anglisht dhe ai serbisht janë të njëjtë për nga kuptimi.