Vendimi për të dërguar një ekip shqiptar me 30 mjekë dhe infermierë në Itali është pasqyruar edhe në Euronews. Media ndërkombëtare i bën të ditur ndjekësve të saj se ekipi shqiptar u shoqërua në aeroportin e Tiranës nga kryeministri Edi Rama.
“Mjekët shqiptarë do të shkojnë në rajonin e Lombardisë për të ndihmuar kolegët e tyre. Sot jemi të gjithë italianë. Italia do ta fitojë këtë betejë”, shkruan Euronews duke cituar kryeministrin.
Zona ku do të dërgohet ekipi shqiptar është më e goditura nga kjo krizë. Aty janë shënuar më shumë se gjysma e viktimave në të gjithë vendin.
“Mjekët dhe infermierët shqiptarë do të qëndrojnë një muaj në Itali dhe do të paguhen nga qeveria shqiptare”, thuhet në lajm ku shtohet më tej se Shqipëria ka një komunitet të rëndësishëm në Itali me rreth 400 mijë shqiptarë që jetojnë atje.
Euronews kujton faktin se Shqipëria ka thirrur mjekë dhe infermierë në pension që t’i bashkohen luftës kundër pandemisë.
“Ky vend i varfër europian po përgatitet për më të keqen, për shkak të mangësisë në pajisje dhe mjekë, të cilët kanë emigruar”, shton Euronews, ku ndër të tjera citon edhe OBSH-në, sipas së cilës Shqipëria ka 1.2 mjekë për 1000 qytetarë ndërsa Italia 4.1 mjekë për 1.000 banorë.