Ballina Kulturë Unë kërkoj ndjesë – Nga Rexhep SHAHU

Unë kërkoj ndjesë – Nga Rexhep SHAHU

Kërkoj ndjesë që ende jam gjallë
gjallë për faj të vdekjes ajo ende s’më ka marrë
ndoshta nuk i duhem asaj, nuk i vlej, s’i hyj në punë
nuk jam gjallë për dëshiren time
as me deshirën tuaj nuk jam gjallë
nuk kam deshirë të jetoj këtu e kështu
kaq qenërisht, zagarisht, kaq skllavërisht
me urrejtje në dhëmbë
urrejtje në sy
urrejtje në lugë.

Kërkoj ndjesë që jam gjallë
ndërkohë ju siguroj se dy metër vend për varr nuk i dua
e di se është shumë kjo tokë varri për ju dhe zotat
që synojnë varre të mëdha sa lavdia.

Unë do të varrosem në këmbë
do të hyj në varr si Havzi Nela në këmbë
që të mos zë tokën e zotave i shtrirë
që të mos i shoh zotat nga poshtë…

Ju siguroj se nuk do të mbij
do t’ju shoh gjithmonë
duke u zvarritë mbi tokë
dhe do të qaj në çdo lapë gjethi
në çdo petale trëndafili që do shihni me sy
a do të mbani në dorë…