Ballina Ravijëzime Ndarje së gjalli – Nga Neki LULAJ

Ndarje së gjalli – Nga Neki LULAJ

Jetojmë të ndarë si me mur në të njëjtin qytet

Pa u takuar me duar dhe me sy pa u parë.

Ti rinohesh si lulet e gjethet në degë

Unë plakem çdo orë çdo ditë e çdo javë

 

Ç’qënka kjo çudi e jetës që po jetojmë

Në karantinë, mes katër mureve të bardhë

O dashuri e gjyshit vetëm me fjalë bisedojmë

Ky koronavirus na ndau, dhe pse jemi gjallë.

 

U mbyllën shkollat u mbyllën çerdhet anembanë

Por..si çdo herë ti mëso e detyra bëji me kujdes

Se dua sërish ne shkollë te jesh i parë

Se dua që nesër përherë i pari të jesh.

 

E di se të ka marrë malli për mua

Edhe mua malli më përvëlon si zjarri i lisit

Besoi se do vijë dita e madhe dhe e bekuar

Ti të vish te unë e të takohemi mes përqafimit

 

Besoi se do t’i kujtojmë edhe këto ditë

Që padrejtësisht jetuam të ndarë…

Unë merrem me punët e mia, me poezitë

Duke shkruar e me lutje për botën mbarë.

 

Që të kalojë kjo pandemi

E jeta të marrë një vrull të ri.

 

Speyer 28.mars 2020